Kalaja e Novobërdes. Foto: Kallxo.com

Dyshime për vjedhjen në Kalanë e Novobërdës, institucionet në kërkim të ‘hajdutit’ që dërgoi artefaktet në Serbi

Institucione kosovare janë vënë në kërkim të “hajdutit” që mori dhe dërgoi në Serbi artefakte të gjetura gjatë restaurimit të Kalasë së Novobërdës, në 2015 dhe 2016.

Megjithëse, deri më tani nuk kanë arritur shumë për të sqaruar mënyrën se si gjetjet arkeologjike gjatë restaurimit u dërguan në Serbi.

Afërsisht, dy vite pasi Prokuroria Themelore e Gjilanit ngriti aktakuzën ndaj firmës dhe përfaqësuesit të saj që kishte bërë restaurimin e kalasë, disa autorë serbë botuan një studim të bazuar në materiale arkeologjike -eko fakte të marra gjatë restaurimeve në Kalanë e Novobërdës.

Punimi që alarmoi institucionet

Në fund të 2021-ës, disa autorë serbë botuan në revistën “Journal of Archaeological” punimin “Mummified animal skin with tar content from the castle of the late medieval town of Novo Brdo (Central Balkans)” (Lëkurë e mumifikuar e kafshëve me përmbajtje katrani nga kështjella e qytetit mesjetar të vonë të Novobërdës -Ballkani Qendror), të bazuar në matriale arkeologjike të marra në kala gjatë restaurimit.

Ky publikim përforcoi dyshimet e ngritura për kontrabandim dhe vjedhje të artefakteve dhe dërgimin e tyre në Serbi. Autorët serbë në punim cekin se materiali arkeologjik është marrë gjatë restaurimeve të kalasë (2016).

Pas dhënies së lajmit për botimin e këtij punim, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit premtoi për të hetuar rastin.

Por, as Dega e Gjykatës Themelore në Novobërdë e as MKRS nuk është se kanë arritur ndonjë gjë për të zbardhur të vërtetë rreth dyshimeve për vjedhje të artefakteve gjatë restaurimeve në Kalanë e Novobërdës.

Dega e Gjykatës Themelore në Novobërdë nuk ka mundur të mbajë asnjë seancën gjyqësore ndaj të akuzuarit Srgjan Gjorgjeviq, i cili si përfaqësues i firmës “Koto” LLC nga Serbia, akuzohet për dëmtimin, shkatërrimin dhe nxjerrjen e paautorizuar e monumenteve ose objekteve të mbrojtura jashtë shtetit.

Në dhjetor të 2019-tes, Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti Përgjithshëm ngriti aktakuzë ndaj Gjorgjeviqit dhe firmës “Koto” me akuzën: ‘’Dëmtimi, shkatërrimi dhe nxjerrja e paautorizuar e monumenteve ose objekteve të mbrojtura jashtë Republikës së Kosovës” në Degën e Gjykatën Themelore në Novobërdë.

Dështimi në gjykatë

Kjo gjykatë nuk ka arritur të mbaj asnjë seancë për këtë rast.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Gjykata Themelore në Gjilan potencon se pesë seancat gjyqësore pothuajse kanë dështuar, pasi që i pandehuri në disa raste ka rezultuar me Covid- 19 dhe në disa të tjera nuk i është përgjigjur ftesës së gjykatës.

“Kompania ‘Koto’ LLC nga Republika e Serbisë, ka njoftuar Degën e Gjykatës Themelore në Novobërdë ‘nuk dimë adresën e personit, nuk përgjigjet në vendin e punës dhe jemi në procedurë të ndërprerjes së marrëdhënies së punës’. (Avokati mbrojtës i të pandehurit ka njoftuar Gjykatën se të pandehurit i është ndërprerë marrëdhënia e punës nga kjo kompani). Pasi që i pandehuri është nga Republika e Serbisë, Gjykata është në procedurë të verifikimit të adresës së të pandehurit përmes rrugëve zyrtare mes dy shteteve, në mënyrë që i pandehuri të sillet në Gjykatë dhe të gjykohet për veprën penale të cilën ngarkohet”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Themelore të Gjilanit.

Ndërkaq, MKRS nuk ka kthyer përgjigje për KALLXO.com nëse ka arritur të zbardh dyshimet për vjedhje. As Policia e Kosovës nuk iu është përgjigjur interesimit të KALLXO.com, nëse i është kërkuar të hetojë dyshime për vjedhje të artefakteve në Novobërdë.

MKRS, më herët pati deklaruar për KALLOX.com se nëse dyshime vërtetohen, atëherë do të ndiqen rrugët ligjore, duke mos përjashtuar, siç deklaroi MKRS, këtu masat administrative e diplomatike të adresimit të kësaj problematike.

Ndërkaq në një përgjigje për BIRN, firma “Koto” ka thënë se të gjitha punimet janë realizuar bazuar në kontratën për Rivitalizimin e Kalasë së Novobërdës, të datës 21 maj 2015. Kjo kontratë është nënshkruar me UNESCO-n si zbatues i procedurës së prokurimit, ndërsa projekti u financua nga Bashkimi Evropian.

“Të gjitha kërkimet e këtij lokaliteti të rëndësishëm mesjetar, si dhe punimet e sipërpërmendura konservuese dhe restauruese janë kryer në përputhje me rregulloret ligjore në fuqi, lejet e vlefshme dhe standardet më të larta shkencore”, thuhet në përgjigjen e kompanisë “Koto”, për BIRN.

Restaurimi i dështuar

 Restaurimi i mureve të Kalasë së Novobërdës kishte nisur në vitin 2015 dhe përfundoi në vitin 2016. Firma “Koto” nga Beogradi u përzgjodh nga UNESCO për realizimin e punimeve, me miratimin e institucioneve vendore, përkatësisht MKRS- së. Projekti për restaurim u bë bërë nga kompania “Omega Engineering” nga Dubrovniku në Kroaci, kurse , është  financuar nga Komisioni Evropian.

Por, restaurimi i kalasë u përcoll me parregullsi dhe skandale. Në mars të vitit 2019 një pjesë e fasadës së mureve u rrëzua. Ndërsa në vitin 2020, punëtorët e kësaj firme u panë duke përdorur buldozer gjatë sanimeve të dëmeve.

Pas kësaj, institucionet kosovare reaguan duke ia ndalur punën firmës “Koto” dhe kërkuan sqarime nga UNESCO. Për punimet shkel e shko ndaj firmës serbe ishte ngritur edhe një aktakuzë.

Dyshimet për vjedhje të artefakteve në Novobërdë, autorët serbë e bazojnë punimin e tyre në gjetjet e 2015-ës