Kalaja e Novobërdes. Foto: Kallxo.com

Deklarohet kompania serbe pas dyshimeve për kontrabandim të artefakteve gjatë restaurimit të Kalasë së Novobërdës

Kompania beogradase “Koto”, që ka kryer punimet për restaurimin e Kalasë së Novobërdës, është deklaruar rreth dyshimeve për kontrabandim të artefakteve gjatë restaurimit të kalasë.

Kompania “Koto” ka kryer punimet për restaurimin e Kalasë së Novobërdës, gjatë  viteve 2015- 2016. Gjatë kësaj kohe dyshohet se janë marrë artefakte apo materiale arkeologjike (ekofakte) dhe janë dërguar në Serbi.

Në dhjetor të vitit 2021, në revistën, “Journal of Archaeological”, disa autorë serbë botuan një punim të bazuar në materiale arkeologjike të gjetura gjatë restaurimit të Kalasë së Novobërdës në vitin 2015. Ky punim ngriti dyshimet për kontrabandim të artefakteve apo materialeve arkeologjike të gjetura gjatë restaurimit.

Por, në një përgjigje për BIRN kompania “Koto” thotë se të gjitha punimet janë realizuar bazuar në kontratën për Rivitalizimin e Kalasë së Novobërdës, të datës 21 maj 2015. Kjo kontratë është nënshkruar me UNESCO-n si zbatues i procedurës së prokurimit, ndërsa projekti u financua nga Bashkimi Evropian.

“Dëshirojmë të theksojmë se absolutisht të gjitha punimet konservatore dhe restauruese i kemi kryer me leje të vlefshme të institucioneve kompetente në përputhje me rregulloret ligjore pozitive, rregullat e profesionit, metodologjinë dhe teknologjinë dhe plotësisht në përputhje me projektin dhe me mbikëqyrjen e duhur”, thuhet në përgjigjen e kompanisë “Koto”.

Kompania “Koto” thotë  se kërkimet (restaurimet) në Kalanë e  Novobërdës janë kryer në përputhje me rregulloret ligjore në fuqi.

“Të gjitha kërkimet e këtij lokaliteti të rëndësishëm mesjetar, si dhe punimet e sipërpërmendura konservuese dhe restauruese janë kryer në përputhje me rregulloret ligjore në fuqi, lejet e vlefshme dhe standardet më të larta shkencore”, thuhet në përgjigjen e kompanisë “Koto”, për BIRN.

KALLXO.com ka raportuar ditë më parë për dyshimet lidhur me kontrabandim të artefakteve për në Serbi.

Në një përgjigje për KALLXO.com, zyrtarë të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit deklaruan se janë duke verifikuar informacionet lidhur me dyshimet për kontrabandim të artefakteve dhe materialeve arkeologjike.

“Në rast se kjo vërtetohet, atëherë, për MKRS -në kjo paraqet një vepër në shkelje të rëndë të përcaktimeve kushtetuese e ligjore me elemente të kryerjes së veprës penale “nxjerrje e pa autorizuar e objekteve kulturore” e dënueshme në bazë të dispozitave të kodit penal të Republikës së Kosovës, përveçse shkelje e Ligjit për Trashëgimi Kulturore. Në çdo rast do të ndiqen rrugët ligjore, duke mos përjashtuar këtu masat administrative e diplomatike të adresimit të kësaj problematike”, tha për KALLXO.com Zana Fetiu, këshilltare e ministrit të MKRS, Hajrulla Çeku.

Ndërsa, Enver Rexha, drejtor i Instituti Arkeologjik të Kosovës, instituti i cili ishte përgjegjës për mbikëqyrjen teknike të punimeve në restaurimin e Kalasë së Novobërdë gjatë 2015/16, ka thënë se nuk kanë informacione nëse janë kontabanduar artefakte apo materiale arkeologjike në Serbi gjatë atyre gërmimeve.

“Të gjitha artefaktet e gjatuar gjatë pastrimit janë dorëzuar në IAK, zyrtarisht nga ‘Koto’, përmes pranim dorëzimit,  ekzistojnë evidencat. IAK nuk ka informacione nesër artefakte të gjetura aty gjatë gërmimeve të jenë dërguar në Serbi. Nuk jeni të informua as për materialet që përmenden në atë artikull ”, ka thënë ai, për KALLXO.com.

Restaurimi i mureve të Kalasë së Artanës kishte nisur në vitin 2015 dhe përfundoi në vitin 2016. Firma “Koto” nga Beogradi u përzgjodh nga UNESCO për realizimin e punimeve, me miratimin e institucioneve vendore, përkatësisht MKRS- së.

Por, restaurimi i kalasë u përcoll me parregullsi dhe skandale. Në mars të vitit 2019 një pjesë e fasadës së mureve u rrëzua. Ndërsa në vitin 2020, punëtorët e kësaj firme u panë duke përdorur buldozer gjatë sanimeve të dëmeve. Pas kësaj, institucionet kosovare reaguan duke ia ndalur punën firmës “Koto” dhe kërkuan sqarime nga UNESCO.

Për punimet shkel e shko ndaj firmës serbe ishte ngritur edhe një aktakuzë.