Kalaja e Novobërdes. Foto: Kallxo.com

Dyshimet për vjedhje të artefakteve në Novobërdë, autorët serbë e bazojnë punimin e tyre në gjetjet e 2015-ës

Gjatë vitit 2015 dhe 2016 në Kalanë e Novobërdës janë kryer punim për restaurim – konservimin e kësaj kalaje. Punimet janë kryer si mos më keq nga firma beogradase, “Koto”.

Gjatë kësaj kohe dyshohet se janë marrë artefakte – materiale arkeologjike pa dijeninë e institucioneve kosovare, të cilat janë dërguar në Serbi.

Gjetje nga punimet në kala, gjatë atyre viteve janë përdorur për një botim nga disa autorë serbë në revistën “Journal of Archaeological”, në fund të 2021. Duke përforcuar kështu dyshimet për kontrabandim të artefakteve apo materialeve arkeologjike të gjetura gjatë restaurimit të Kalasë së Novobërdës.

Punimi “Mummified animal skin with tar content from the castle of the late medieval toën of Novo Brdo (Central Balkans)” (Lëkurë e mumifikuar e kafshëve me përmbajtje katrani nga kështjella e qytetit mesjetar të vonë të Novobërdës -Ballkani Qendror) i autorëve serb nga disa institucione të Serbisë, (Institute of Archaeology, National Museum nga Beogradi, Serbi dhe Faculty of Technology, University nga Novi Sad) është bazuar në gjetjet e bëra gjatë restaurimit të Kalasë së Novobërdës (2015-2016).

Materiali arkeologjik i Novobërdës

Në dhjetor të viti të kaluar, në revistën “Journal of Archaeological”, u botua një artikull nga disa autorë serb që bazohet në gjetjet gjatë punimeve në Kalanë e Novobërdës.

“Gjatë gërmimeve arkeologjike të kështjellës së Novobërdës në vitin 2015, u zbulua një grup unik i përbërë nga lëkura e mumifikuar e kafshëve me qime të ruajtura, të mbushura me material rrëshirë dhe katër copa më të vogla të lëkurës së kafshëve me qime të ruajtura”, thuhet ndër të tjerash në atë artikull.

Qyteti mesjetar i Novobërdës, thuhet më tej në punim, ishte një vendbanim i rëndësishëm minerare në Ballkanin Qendror (dhe e gjithë Evropës) për prodhimin dhe shpërndarjen e mineralit të argjendit.

“Konteksti arkeologjik për lëkurën e mumifikuar të kafshëve, ishte punishtja për prodhimin e predhave të plumbit, e vendosur në këndin verilindor të Sallës së Madhe të kështjellës dhe mund të datohet me siguri në gjysmën e parë të vitit 1455. Gjetjet fillimisht iu nënshtruan analizës makroskopike, e cila përfshinte vëzhgime mbi metodën e heqjes së lëkurës dhe detajet e përdorimit”, thuhet në konkludimet e studiuesve serbë.

Mosdija e institucioneve

Institucionet kosovare nuk kanë përgjigje se si ka përfunduar materiali arkeologjik në Serbi, mbi të cilin studiuesit serbë kanë bërë punimin.

Zana Fetiu, këshilltare e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, kanë thënë për KALLXO.com se nëse vërtetohen dyshime për kontrabandim të artefakteve apo materialeve arkeologjike do të ketë masa ligjore ndaj përgjegjësve.

“Natyrisht, kjo nga ana e MKRS-së nuk do të kalojë pa adresim të përgjegjësisë ligjore për kryerësit e veprimeve eventuale të kundërligjshme ashtu sikurse do të vlerësohet edhe zbatimi ose jo me sukses i detyrave mbikëqyrëse të institucioneve tona vartëse e personave përgjegjës në këto institucione”.

“Ne do të shohim për së afërmi nëse ky zhvillim, ka ndodhur për shkak të neglizhencës ose mungesës së mbiqkyrjes së institucioneve tona që janë të mandatuara për një proces të tillë. Në çdo rast do të ndiqen rrugët ligjore, duke mos përjashtuar këtu masat administrative e diplomatike të adresimit të kësaj problematike”, shton ajo.

Fetiu ka thënë se projekti për restaurimin e Kalasë së Novobërdës është përcjellë me përplot paqartësi.

Përgjigja e mbikëqyrësit

Instituti Arkeologjik i Kosovës ka qenë përgjegjës për mbikëqyrjen teknike të punimeve në restaurimin e Kalasë së Novobërdës, gjatë 2015/16.

Enver Rexha, drejtor i këtij instituti, ka thënë për KALLXO.com se nuk është në dijeni nëse artefakte nga Novobërda janë kontrabanduar për në Serbi.

Ai ka thënë se punimi i autorëve serbe në “Journal of Archaeological”, bazohet në materiale të cilat nuk janë artefakte.

Rexha thotë se gjatë restaurimit të kalasë nuk janë bërë gërmime arkeologjike, por pastrimi dhe depozitimi i materialit të rënë shekullor brenda kalasë, për të realizuar konservim-restaurimin.

“Të gjitha artefaktet e gjatuar gjatë pastrimit janë dorëzuar në IAK, zyrtarisht nga ‘Koto’, përmes pranim dorëzimit,  ekzistojnë evidencat. IAK nuk ka informacione nesër artefakte të gjetura aty gjatë gërmimeve të jenë dërguar në Serbi”, ka thënë ai, për KALLXO.com.

Ai thotë se edhe për  materialet arkeologjike që përmenden në atë artikull, IAK nuk ishte njoftuar.

Historiku i restaurimit

Restaurimi i mureve të Kalasë së Artanës kishte nisur në 2015 dhe përfundoi në 2016-së. Firma “Koto” nga Beogradi- Serbi, u përzgjodh nga UNESCO për realizimin e punimeve, me miratimin e institucioneve vendore, përkatësisht MKRS- së.

Por, restaurimi i kalasë u përcoll me parregullsi dhe skandale. Në mars të 2019-ës një pjesë e fasadës së mureve u rrëzua. Ndërsa në 2020 punëtorët e kësaj firme u panë duke përdorur buldozer gjatë sanimeve të dëmeve. Pas kësaj institucionet kosovare reaguan duke ia ndalura punën firmës “Koto” dhe kërkuan sqarime nga UNESCO.

Për punimet shkel e shko ndaj firmës serbe ishte ngritur edhe një aktakuzë.

Sanimi i dëmeve pritet të bëhet gjatë këtij viti.

Kalaja e Novobërdes. Foto: Kallxo.com
Kalaja e Novobërdes. Foto: Kallxo.com

Kompania serbe e akuzuar për dëmtim të Kalasë merr lejen për rifillimin e restaurimit në Novobërdë