Aktakuzë ndaj firmës nga Serbia për dëmtimet në Kalanë e Novobërdës

Prokuroria në Gjilan ka ngritur aktakuzë ndaj Srgjan Gjorgjeviq dhe Kompanisë ‘’Koto’’ nga Republika e Serbisë për shkak të dëmtimit të Kalasë së Novobërdës.

Prokuroria  e Gjilanit ka konfirmuar për KALLXO.com se aktakuza ndaj Gjorgjeviqit dhe “Koto” është ngritur në dhjetor të vitit 2019.

Liridona Xheladini, zëdhënëse e Prokurorisë në Gjilan, e ka konfirmuar aktakuzën e ngritur.

“Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti Përgjithshëm, më 6 dhjetor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Srgjan Gjorgjeviq dhe Kompanisë ‘’Koto’’ nga Republika e Serbisë, për shkak të veprës penale ‘’Dëmtimi, shkatërrimi dhe nxjerrja e paautorizuar e monumenteve ose objekteve të mbrojtura jashtë Republikës së Kosovës’’, ka thënë Xheladini për Kallxo.com.

Në shtator të 2019, Ministria e Kulturës ngriti ka paraqitur kallëzim penal kundër Srgjan Gjorgjeviq me banim në Novobërdë dhe kundër kompanisë “KOTO” nga Serbia e kontraktuar për realizimin e punimeve në projektin e revitalizimit të Kalasë së Novobërdës.

Projekti i revitalizimit të Kalasë së Novobërdës financohet nga UNESCO dhe kompania fituese ka qenë e obliguar që t’i kryejë punimet nën mbikëqyrjen e zyrtarëve profesionalë të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve.

Në fillim të shtator 2019, punëtorët e kompanie serbe ishin filmuar duke përdorur një buldozer në mënyrë jo profesionale dhe duke kryer punime në muret e Kalasë.

Firma nga Serbia ‘restauron’ me buldozer Kalanë e Novobërdës – Video