Foto: Atdhe Mulla

Vdekja e mistershme e Astrit Deharit e pazgjidhur tash e pesë vjet

Hetime, intervista, arrestime, raporte, ekspertiza u kryen gjatë këtyre pesë viteve që nga 5 nëntori i vitit 2016 për të zbardhur vdekjen e ish-aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, e cila ende mbetet një mister.

Prova e persona të dyshuar për këtë çështje sipas avokatit të familjes Dehari, Tomë Gashi ka me bollëk.

Ai thotë se prokuroria duhet të ndërmarrë hapa dhe të mos e mbulojnë në heshtje vdekjen e Astrit Deharit.

“Ka prova të mjaftueshme dhe nuk mund të mbulojnë me heshtje vrasjen e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, i cili u vra në tentativë për t’i marrë deklaratat vetinkriminuese, ku shënjestër ishte Albin Kurti dhe LVV”, thotë Gashi.

Ai ka treguar disa nga zhvillimet që janë ndërmarrë gjatë këtyre viteve ndaj rastit të zbardhjes së vdekjes së Astrit Deharit brenda qelisë së burgut në Prizren.

Tomë Gashi, thotë se për pesë vite kishte kërkuar që të nxirret aktvendim për zhvillim të hetimeve, por kjo gjë nuk ka ndodhur.

Këto veprime Gashi thotë se i ka ndërmarrë pasi ekspertiza e Institutit Zviceran të Mjekësisë Ligjore në Zvicër kishte konstatuar dyshimet se Astrit Dehari ishte vetëvrarë.

“Një vit më parë, ekspertët e mjekësisë ligjore erdhën në Kosovë dhe morën informata shtesë për annex-ekspertizë, ku me siguri do të vërtetohet ekspertiza e parë dhe mund të kemi prova shtesë që mund të dërgojnë në identifikimin e vrasësve të Astrit Deharit. Ndërsa sa i përket shtytësve në vrasje dhe zyrtarëve që fshehën vrasjen këta me emra dhe mbiemra duhet t’i emërojë prokuroria në aktvendim për zhvillim të hetimeve për t`u gjetur vrasësit e Astrit Deharit”, thotë avokati Gashi për KALLXO.com.

Gashi tutje shton se së bashku me familjen Dehari kanë kërkuar që institucionet politike të mos implikoheshin në këtë rast.

“Implikimi i tyre i mëhershëm çoi deri te neglizhenca e qëllimshme e prokurorisë në zbardhjen e vrasjes së Astrit Deharit. Kur e themi këtë mendojmë në grupe të caktuara politike që ishin në pushtet në vitin 2016 dhe më tutje dhe më pastaj që thjeshtë pengonin qëllimisht zbardhjen e vrasjes”, shton tutje Gashi.

Gashi përmendi edhe disa raste kur ish-krerë të institucioneve nuk u morën në pyetje asnjëherë pas referimeve që kanë bërë se Astrit Dehari ishte vrarë.

“Hashim Thaçi në cilësinë e presidentit dhe Kadri Veseli në cilësinë e kryetarit të kuvendit deklaruan se Astrit Dehari është vrarë, prokurori i rastit kurrë nuk pati guxim që t’i thërrasë për t’i marrë në pyetje për njohuritë që kishin”, shton tutje Gashi.

Tomë Gashi tregon edhe se kallëzimi penal i ushtruar ndaj ish-kryeprokurorit Sylë Hoxha ka të bëjë me video-incizimet që ishin bërë publike në atë kohë në njërën nga televizionet e Kosovës, ku shihej koha kur ishte gjetur Astrit Dehari në qelinë e tij.

Përveç Hoxhës, sipas Gashit në Kallëzim Penal janë edhe përgjegjës të Policisë së Kosovës që kishin mundësuar publikimin e pamjeve nga korridori i burgut ku ishte Astrit Dehari.

Në pesë vjetorin e vdekjes së Astrit Deharit janë organizuar edhe disa aktivitete. Sot në orën 9:30 do të mbahen homazhe te varri i tij, në orën 12 do të mbahet akademi përkujtimore, në 15:30 do të dhurohet gjak në kujtim të tij, ndërsa nga ora 20:00 është bërë ftesë që të ndizen qirinj në shtëpitë e të gjithë qytetarëve në nderim të Astrit Deharit.

 

Si u raportua vdekja e Astrit Deharit?

Më 5 nëntor të vitit 2016, në orët e para të mbrëmjes u raportua për një vdekje të një personi brenda Qendrës së Paraburgimit në Prizren. Vetëm pak minuta më pas u raportua se brenda qelisë së tij ishte gjetur i vdekur ish-aktivisti i LVV-së, Astrit Dehari, i cili aty po qëndronte nën dyshimet se ka qenë një nga gjashtë personat që mori pjesë në sulmin e gushtit të po atij viti me granatahedhëse në Kuvendin e Kosovës.

Deklarata e parë nga Policia e Kosovës në atë kohë ishte se Dehari kishte vdekur si pasojë e medikamenteve. Këtë deklaratë e kishte thënë për KALLXO.com ish-drejotri i Policisë së Rajonit të Prizrenit, Nexhmi Krasniqi, i cili për një kohë të gjatë kishte mohuar se kishte dhënë këtë deklaratë.

Vdekja e Astrit Deharit, menjëherë u cilësua si e dyshimtë, ndërsa u kërkua që ndaj tij të bëhej edhe autopsia nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.

Ish-kryeprokurori i Prizrenit, Sylë Hoxha, i cili tash është në pension, pesë vite më parë kishte thënë se Astrit Dehari kishte pasur shenja në qafë.

“E kam pa trupin e viktimës, ka gërvishtje në qafë e në duar (por jo gjak). Kemi informata se ka përdorë medikamente, mirëpo asgjë në shumë nuk mund të themi për momentin. Jemi në pritje të ekipeve të mjekësisë ligjore për detaje më të sigurta”, kishte thënë Hoxha në një prononcim për KALLXO.com në atë kohë.

Në ditën kritike, menjëherë u njoftua edhe se Ministria e Drejtësisë në atë kohë e udhëhequr nga ish-ministrja e Drejtësisë Dhurata Hoxha, se kishin filluar hetimet për të zbardhur rrethanat e vdekjes së Astrit Deharit.

Një ditë ma pas, Lëvizja Vetëvendosje kishte mbajtur një konferencë, në të cilën Visar Ymeri kishte thënë se Dehari po mbahej në paraburgim për një rast të montuar sipas tij.

Astrit Dehari kishte vdekur në ditën e 68-të të qëndrimit të tij në paraburgim në Prizren.

LVV në atë kohë tha se vdekja e Astrit Deharit ishte përgjegjësi institucionale. Dyshime rreth vdekjes së Astrit Deharit pati edhe familja e tij.

Më datë 7 nëntor të vitit 2016, u krye edhe autopsia e trupit të Astrit Deharit ndërsa, Sylë Hoxha atë kohë kishte dalë me deklaratë se ish-aktivisti i LVV-së kishte vdekur si pasojë e asfiksisë apo problemeve me frymarrjen.

 

Arkiv: Sylë Hoxha. Foto: Kallxo.com

 

Dilemat për vdekjen e Astrit Deharit çdo ditë shtoheshin. Nga vdekja prej medikamenteve, raporti fillestar i autopsisë e kryer në IML tregoi për probleme me frymëmarrje.

Pas këtyre deklaratave zyrtare të krerëve të Prokurorisë e Policisë, LVV doli sërish në konferencë. Ata kërkuan që të grupi hetues në atë kohë të ndërrohej për shkak të deklaratave të gabuara që u dhanë në fillim kur u raportua për vdekjen e Astrit Deharit.

Më datë 10 nëntor të vitit 2016, KALLXO.com kishte publikuar të gjitha vizitat që iu bën Astrit Deharit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ku po mbahej nën dyshimet për sulmin ndaj Kuvendit, i cili ndodhi në gushtin e po të njëjtit vit.

Në të gjitha vizitat për të cilat i kishte siguruar dokumentet KALLXO.com, ishin prindërit dhe gruaja e tij, e në gjashtë prej tyre familjarët ishin shoqëruar edhe nga zyrtarë të LVV-së.

Vizita të gjitha që kishte mbajtur për shtatë javë, çdo të enjte, kishin zgjatur 60 minuta.

Gjendja shëndetësore e Astrit Deharit kishte qenë e mirë, kështu kishte deklaruar në atë kohë në një emision në “Jeta në Kosovë”, Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Burim Buleshkaj.

Një gjendje jo e qetë e krijuar pas vdekjes së Astrit Deharit dhe ngritja e shumë pikëpyetjeve u shtua kur mbrëmjen e 10 nëntorit 2016,  në televizionin Klan Kosova u shfaqën xhirimet nga kamerat e sigurisë të ditës kritike të 5 nëntorit, ditën e vdekjes së aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari.

Hetimi po konsiderohej jo-profesional sipas Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa në po atë kohë, avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi kishte ushtruar kallëzim penal për disa persona të cilët ishin përgjegjës për pamjet e kamerave të sigurisë.

Ish-kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Sylë Hoxha nuk kishte qenë në dijeni se si kishin rrjedhur pamjet nga hapësirat e burgut të ditës kritike.

“Unë ndihem i shqetësuar nuk e di se si kanë dalë ato publikime. Sigurisht që këto ne ende nuk i kemi në dorë, prokurorët e prokurorisë janë në kontakt me policinë me hetuesit, si do që të jetë sigurisht që do të merremi edhe me çështjen se si u publikuan këto pamje. Nuk e dimë se kush i ka dhënë këto publikime”, kishte thënë Hoxha për KALLXO.com.

Pamjet e publikuara cenuan familjen Dehari, kështu kishte cilësuar Avokati i Popullit në atë kohë, Hilmi Jashari.

 

Drejtësia kërkohej edhe përmes protestave

Një javë pas vdekjes së Astrit Deharit, ish-aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje brenda qelisë ku po mbahej nën akuzat për terrorizëm, pasi dyshohej se kishte marrë pjesë në sulmin ndaj Kuvendit në gusht të 2016-ës nisën edhe protestat.

Aksioni i parë për të kërkuar drejtësi për vdekjen e Astrit Deharit u mbajt në Prizren më saktësisht para Qendrës së Paraburgimit ku vdiq në atë kohë 26 vjeçari.

Në murin e Qendrës së Paraburgimit në Prizren ishin shkruar fjalët “Drejtësi për Astritin” të shoqëruar me fytyrën e ish-aktivistit Astrit Dehari që vdiq në këtë qendër. Nga njerëzit që ishin mbledhur në aksionin e LVV-së para qendrës së paraburgimit u bë thirrje që “populli të angazhohet për drejtësi për Astritin. Këtë thirrje e kishte bërë në atë kohë, Albin Kurti, tash kryeministër i Kosovës.

Më pas doli se edhe pas tre muajve sa qëndruan në Qendrën e Paraburgimit në Prizren aktivistët e LVV-së nuk ishin intervistuar nga prokurori i rastit nën dyshimet se kishin sulmuar kuvendin.

“Arsyeja se pse nuk janë intervistuar ende  është se kam qenë në pritje të rezultateve të disa ekspertizave”, kishte thënë për KALLXO.com prokurori Abdurrahim Islami.

Për sulmin e 4 gushtit të vitit 2016 kundër Kuvendit të Kosovës si të dyshuar ishin arrestuar në atë kohë aktivistët e Vetëvendosjes: Atdhe Arifi, Astrit Dehari, Adea Batusha, Egzon Haliti, Petrit Ademi dhe Frashër Krasniqi.

Protestat nuk u ndalën. Më 14 nëntor u organizua marsh protestues për vdekjen e Astrit Deharit. Këtij marshi iu përgjigjën qindra qytetar.

Shoqëria civile e nxënës të shumtë protestuan edhe më datë 18 nëntor të po atij viti.

 

 

Protestat tani nuk po mbaheshin vetëm në Prishtinë. Qytetarë të shumtë marshuan rrugëve edhe të Pejës, Gjakovës, Mitrovicës e shumë vendeve të tjera të Kosovës.

Sërish, kërkohej zbardhja e vdekjes së Astrit Deharit nga ana e institucioneve shtetërore në atë kohë.

 

Vdekja e Astrit Deharit “po politizohej”

Disa ditë pas vdekjes së Astrit Deharit, Lëvizja Vetëvendosje filloi nisjen e mbledhjes së nënshkrimeve për një seancë të jashtëzakonshme për Astritin.

Glauk Konjufca në atë kohë akuzonte pushtetin se nuk po pengonte mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme për ish-aktivistin e LVV-së, Astrit Dehari.

 

Pankarta në Kuvend | Foto: KALLXO.com

 

Dështimi i seancave bëhej për shkak të tërheqjes së nënshkrimeve nga deputetët.

Ish-deputeti Demush Berisha, e kishte tërhequr nënshkrimin për seancë të jashtëzakonshme nën arsyetimin se rasti i Astrit Deharit po politizohej.

Seanca e jashtëzakonshme e cila ishte kërkuar që të mbahej nga data 15 nëntor 2016, u mbajt pas më shumë se një muaji ose më saktësisht më 20 dhjetor 2016.

Në seancën e jashtëzakonshme për Astritin më 20 dhjetor të vitit 2016, u tha nga ana e deputetëve të LVV-së se fajtor për vdekjen ishte pushteti.

Në po atë seancë, ishte miratuar rekomandimi i PDK-së, sipas të cilit nëse familja Dehari kërkon ekspertizë të jashtme për vdekjen e Astrit Deharit, shpenzimet për të do t’i heqte qeveria.

Këtë rekomandim e kishte paraqitur në Kuvend shefi i grupit parlamentar të PDK-së Zenun Pajaziti, duke kërkuar që “rasti i vdekjes se Astrit Deharit në burgun e Prizrenit të zbardhet në mënyrë transparente që të mos ketë mundësi manipulimi”.

Në atë kohë u kërkua edhe hetimi për keqpërdorim detyre ndaj tre personave. Në një letër që ministrja e Drejtësisë Dhurata Hoxha i kishte dërguar më 20 dhjetor 2016 kryeprokurorit të shtetit Aleksandër Lumezi, kërkoi që të kryhen hetime për keqpërdorim të detyrës zyrtare ndaj Tomë Gashit, avokatit të familjes Dehari dhe ekspertëve Besim Ymaj dhe Besim Latifaj.

“Kohëve të fundit jemi dëshmitarë të deklarimeve, por edhe publikimit të raporteve të cilat i referohen humbjes së jetës së Astrit Deharit… publikimi i raporteve të tilla nga personat jokompetentë dhe të tillë të cilët dalin përtej autorizimeve ligjore, sipas pikëpamjes tonë konsiderojmë se bijën ndesh me dispozitat e legjislacionit në fuqi që i referohen detyrës zyrtare”, thuhej në letër.

Më 29 dhjetor të vitit të njëjtë kur vdiq Astrit Dehari, u ngrit aktakuza në lidhje me sulmin ndaj Kuvendit.

Aktakuza ishte ngritur ndaj Atdhe Gashi, Frashër Krasniqi, Egzon Haliti dhe Adea Batusha, për kryerjen e veprës penale të terrorizmit.

Më 25 janar të viti 2017 u mbajt seanca e parë në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Aktivistët e LVV-së që po akuzoheshin për terrorizëm u shfaqën në seancë me fanella të bardha me mbishkrimin “Drejtësi për Astritin” dhe fotografinë e të njëjtit.

 

 

Vdekjen e Astrit Deharit pritej atë kohë që ta bënin edhe disa ekspertë mjeko-ligjor zviceranë.

Se hetimit për vdekjen e Astrit Deharit i kishte ardhur fundi, ishte thënë në vitin 2017, më saktësisht rreth pesë muaj pas ngjarjes kritike. Prokurori i rastit në atë kohë kishte thënë një gjë të tillë, ndërsa as sot që janë bërë pesë vite nuk ka zgjidhje të rastit të vdekjes së ish- aktivistit të LVV-së.

Dhjetëra marshe e protesta u organizuan gjatë gjithë vitit 2017 ku kërkohej që të zbardhej rasti i vdekjes së Astrit Deharit.

 

 

Lëvizja Vetëvendosje në krye me Albin Kurtin gjatë gjithë kohës kishte kritikuar qeverisjen në atë kohë për vdekjen e Astrit Deharit dhe neglizhencën e zbardhjes së rastit.

Meqë ishin bërë tashmë dy ekspertiza për të vërtetuar vdekjen e Astrit Deharit, KALLXO.com në atë kohë kishte arritur që të siguroj dy ekspertizat, atë të IML-së në Kosovë dhe të institutit zviceran.

Në raportin e IML-së i cili është përshkruar në ekspertizën e Institutit zviceran dhe është publikuar nga avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi thuhet se analizat për përdorim të substancave të ndryshme kishin dalë negative, ai nuk kishte përdorur ndonjë substancë narkotike apo të ndonjë lloji tjetër.

Tutje në raport të IML-së ishte thënë se “Vdekja e Astrit Deharit është rezultat i një asfiksie mekanike përmes obstruksionit të rrugëve respiratore të epërme me një objekt me përbërje të fortë. Mekanizmi i vdekjes mund të shpjegohet si një ndalesë refleksi të punës kardiak mundësisht i ndihmuar me stimulim të peksusit nervor të laringut ose të spazamave laringale”, thuhej në raportin e IML-së.

Ndërsa, Ekspertiza e cila është bërë nga një Instituti zviceran në Lozanë nuk kishte përjashtuar mundësinë e vrasjes së Astrit Deharit.

“Ashtu siç është thënë në ekspertizën tonë El180001, ne kemi dyshime që lidhen me rrethanat e vdekjes së z.DEHARI Astrit. Në fakt hipoteza e një vetëvrasjeje e z.DEHARI Astrit përmes mjete të caktuara nga mjekët ligjor duket pak e vërtetë dhe intervenimi i një personi të tretë në proces fatal duhet të kihet parasysh. Analizat e ADN-së të kryera në laboratorët tona kanë mundësuar të vëjnë në dritë një profil të ADN-së mbi mostrën e përshkruar nga ekspertët e Kosovës siç thuhet se përmban pak ose shumë pak ADN. Nga ajo çfarë u tha, ne vlerësojmë se një hetim i ri është i nevojshëm për t’i qartësuar rrethanat e vdekjes së z.DEHARI Astrit.  Ekipet tona dhe laboratorët tona janë në dispozicion të hetuesve të ngarkuar me çështjen”, thuhet në ekspertizë.

Në po të njëjtin raport, u kontestua edhe mundësia e vetëvrasjes.

Deklaratat e tilla të shkruara në raportin nga Instituti i Mjekësisë Ligjore i Lozanës në Zvicër, bëri që  LVV sa ishte në opozitë të kërkonte me ngulm zbardhjen e rastit Dehari. Marshet e protestat, homazhet nuk ndaluan as gjatë vitit 2019 e 2020.

Madje u rekomandua rihapja e hetimit nga instituti zviceran pasi kishte konstatuar prezencën e ADN-së së një personi tjetër në rripin e orës së ekzaminuar të Astrit Deharit.

 

Vdekja e arratisja e dëshmitarëve në rastin Dehari

Më datë 3 prill të vitit 2017, dëshmitari i parë që kishte parë të shtrirë në tokë Astrit Deharin u raportua i vdekur.

Naser Makolli ishte dëshmitari i parë i ngjarjes së rëndë e cila kishte ndodhur në Qendrën e Paraburgimit në Prizren më datë 5 nëntor 2016.

Problemet shëndetësore kishin qenë arsyet e vdekjes së Naser Makollit, sipas versionit zyrtar të Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe Ministrisë së Drejtësisë në atë kohë.

Hysen Makolli, vëllai i Naserit kishte thënë ekskluzivisht në atë kohë për KALLXO.com se vëllai i tij është ankuar nga lukthi, por nuk beson se ky problem mund ta dërgonte të vëllain deri te vdekja.

“Probleme shëndetësore ka pasur ankesë vetëm prej lukthi. Në jetën e tij asnjëherë nuk ka qenë i sëmurë. Këtu diçka është çka u ba, na se dimë. Për 1 muaj 115 kilogramë i ka pas tash me këqyr as 50 kilogram nuk i ka”, kishte thënë Hysen Makolli.

Hetimet për vdekjen e Naser Makollit kishin nisur menjëherë nga ana e prokurorisë.

Në qelinë ku ishte gjetur i vdekur Dehari , ai ishte i vendosur me tre të burgosur të tjerë, Naser Makolli, Frrok Lasku dhe Adonis Gashi.

Pas ngjarjes në Prizren, Naser Makolli ishte transferuar në Burgun e Lipjanit ndërsa Frrok Lasku ishte transferuar në Dubravë e Agonis Gashi ishte liruar në tetor të vitit 2019.

Instituti i Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës, kishte ardhur në përfundim në raportin prej 58 faqesh, se gjasat janë të vogla që Dehari ta ketë vrarë veten në burg.

Aty gjithashtu thuhej se analizat e ADN-së që janë kryer në laboratorin e Institutit zviceran, kanë nxjerrë një profil të ADN-së së të ndjerit, ani pse nga ekspertët kosovarë është thënë se mostra përmban pak ose krejt pak ADN.

Në një raport që kishte siguruar KALLXO.com në atë kohë kishte vërejtur se ish-cimeri i Astrit Deharit kishte ndërruar dy herë deklaratat.

Makolli kishte deklaruar fillimisht se Astriti kishte kërkuar nga Makolli numrin e të afërmve të tij që të u telefonoj në rast se ndodh ndonjë gjë, por të njëjtat shqetësime nuk i ka përmendur në deklaratën e tij të dytë para hetuesisë.

Në deklaratën tjetër Naser Makolli, e kishte përshkruar Astritin si një njeri të qetë, të lumtur, që nuk paraqiste asnjë çrregullim, asnjë frikë apo shqetësim dhe se i njëjti asnjëherë nuk e kishte përmendur se do të mund t’i bëjë diçka vetes.

Pas vdekjes së Naser Makollit, KALLXO.com kishte raportuar në janar të vitit të kaluar se Adonis Gashi, njëri nga tre shokët e qelisë në të cilën po mbahej Astrit Deharit në Burgun e Prizrenit ishte shpallur në kërkim nga organet e drejtësisë.

Ai ishte arratisur pas vendimit të shkallës së parë ndërsa Gjykata e Apelit i kishte rritur dënimin edhe për dy vjet të tjera për të cilën i njëjti duhej t’I vuante në burg.

Pas këtij lajmi reagimet nuk munguan. Ministrja e Drejtësisë e tanishme Albulena Haxhiu që në atë kohë ishte deputete kishte reaguar në lidhje me raportimin e KALLXO.com.

“Mbrëmë nga portali KALLXO.com u informuam se njëri nga personat që ka qenë në dhomë me aktivistin tonë Astrit Dehari është zhdukur. Padyshim se ky lajm ishte tronditje e radhës për të gjithë”, kishte shkruar Haxhiu në Facebook.

Lëvizja Vetëvendosje në vitin e kaluar kishte thënë se ish- presidenti Hashim Thaçi, kishte liruar nga burgu, njërin nga dëshmitarët e rastit Dehari, Luz Allakaj, duke ia falur 3 vjet e gjysmë, i cili ishte i dënuar për vrasje të një të mituri 13 vjeçar.

“Prokuroria Speciale po heshtë për rastin. Nuk ka asnjë informacion. Çfarë po ndodhë me rastin, deri ku kanë shkuar hetimet? A janë marrë në pyetje të gjithë ata që kanë mundësuar lirimet e dyshimta nga burgu të dëshmitarëve për të hetuar edhe rrethanat tjera që qojnë në zbardhjen e së vërtetës”, thuhej në postimin e Vetëvendosjes.

Adonis Gashi, ish-cimeri i aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, ishte dërguar në Burgun e Dubravës pas arrestimit të tij në qershor të këtij viti.

Ai ishte në kërkim nga organet e rendit në Kosovë.

Vitin e kaluar, Albin Kurti u shpall kryeministër i Kosovës. Në seancën ku u votua qeveria e re morën pjesë edhe prindërit e Astrit Deharit.

Një muaj pas qeverisë së re, ishte deputetja Time Kadriaj që kishte thënë në njërën nga seancat e kuvendit se Lëvizja Vetëvendosje kishte përdorur vdekjen e Astrit Deharin.

“E keni shfrytëzuar për kauzën e juaj, shikoni LVV dhe unë këtë kopje të aktivistët tuaj do ta lë në ulësen e kryeministrit, le ta sheh si i ka mashtru aktivistët, elektoratin dhe popullin e Kosovës. A ju vjen keq prej aktivistëve tuaj?”, kishte thënë Kadriaj.

Edhe sot, misteri i vdekjes së Astrit Deharit mbetet mister i pazgjidhur nga organet e rendit e të drejtësisë në Kosovë ani se u bë zhurmë shumë se kur LVV të vinte në pushtet do të merrej me zbardhjen e rastit.