Ilustrim

Arrestohet ish-cimeri në qeli i Astrit Deharit, dërgohet në Burgun e Dubravës

Adonis Gashi, ish-cimeri j aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, është dërguar në Burgun e Dubravës pas arrestimit të tij.

KALLXO.com mëson se Gashi është arrestuar sot.

Ai ka qenë person në kërkim.

Gashi është derguar në Dubravë, në burgun ku kishte qenë edhe më herët.

Adonis Gashi ishte liruar më 26 shkurt të vitit 2018 nga Burgu i Dubravës, ku ishte transferuar pas vdekjes së Astrit Deharit në Burgun e Prizrenit.

Në janar të vitit të kaluar KALLXO.com raportoi ekskluzivisht për shpalljen në kërkim të Adonis Gashit.

Kush është Adonis Gashi?

Adonis Gashi dhe shtatë persona të tjerë po akuzoheshin për planifikimin dhe vrasjen e eprorit të Policisë së Kosovës, Shemsi Gashit, i vrarë më 25 mars 2015 në lagjen “Mati” të Prishtinës.

Gashi ishte dënuar në rastin e vrasjes së policit Shemsedin Gashi fillimisht me 3 vjet e tetë muaj ndërsa ishte në liri për disa muaj pas shpalljes së aktgjykimit nga gjykata e shkallës së parë.

KALLXO.com pati raportuar se Gashi dhe pesë persona të tjerë ishin akuzuar për planifikim të vrasjes së Shemsi Gashit.

Në gjykimin e tetë personave në lidhje me vrasjen e rreshterit Shemsi Gashi, avokatja Florie Drevinja në korrik të vitit 2017 kshte kërkuar ekzaminim psikiatrik të të mbrojturit të saj Adonis Gashi.

Drevinja ekzaminimin e kërkoi ngase kishte thënë se Adonis Gashi ishte traumatizuar pasi ndodhej në të njëjtën dhomë me Astrit Deharin dhe Naser Makollin në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.