Time Kadrijaj e lë në karrigen e Albin Kurtit foton e Astrit Deharit

Pasi mbajti fjalimin e saj në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ia la një foto të ish-aktivistit të LVV-së, Astrit Deharit, kryeministrit Albin Kurti.

Ajo tha se pozitës duhet t’i vijë keq për, sipas saj, ndryshimin e qëndrimeve.

“E keni shfrytëzuar për kauzën e juaj, shikoni LVV dhe unë këtë kopje të aktivistët tuaj do ta lë në ulësen e kryeministrit, le ta sheh si i ka mashtru aktivistët, elektoratin dhe popullin e Kosovës. A ju vjen keq prej aktivistëve tuaj?”, tha deputetja.

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit është duke u mbajtur rreth vendimit të Qeverisë për heqjen e tarifës 100 për qind ndaj produkteve serbe e boshnjake.

Kjo seancë është thirrur me kërkesë të 41 deputetëve të opozitës.

Kryeministri Kurti ka paralajmëruar se më 15 mars do ta heqë tarifën ndaj lëndës së parë nga Bosnja e Serbia.

Tarifa ndaj mallrave serbe u vendos në nëntor 2018 nga ish-Qeveria Haradinaj. Ky i fundit ka bërë thirrje disa herë që tarifa të mos hiqet deri në njohjen e Kosovës shtet nga Serbia.