Zhduket shoku i dhomës së Astrit Deharit

Adonis Gashi, njëri nga tre shokët e qelisë në të cilën po mbahej Astrit Deharit në Burgun e Prizrenit është shpallur në kërkim nga organet e drejtësisë.

Burime të KALLXO.com thonë se Gashi është arratisur ndërsa vendndodhja e tij nuk dihet.

Gashi ishte dënuar në rastin e vrasjes së policit Shemsedin Gashi ndërsa ishte në liri për disa muaj pas shpalljes së aktgjykimit nga gjykata e shkallës së parë.

Në ndërkohë Gjykata e Apelit e ka rritur dënimin e tij për dy vite e dy muaj, pra ai është dënuar me 8 vjet burgim.

KALLXO.com mëson se Gjykata e Prishtinës ka kërkuar kthimin e Gashit në burg mirëpo ai nuk u është përgjigjur ftesave.

Të njëjtat burime kanë saktësuar se tashmë për Adonis Gashin Gjykata ka lëshuar një fletë-arrest ndërsa Policia e ka vënë si person në kërkim.

Gashi është në mesin e personave që duhet të intervistohet për rrethanat e vdekjes së Astrit Deharit.

“Cimeri” tjetër kishte vdekur pak muaj pas vdekjes së Deharit.

Astrit Dehari vdiq në rrethana të pasqaruar në Burgun e Prizrenit.

Çështja e tij u rihap pasi një institut nga Zvicra doli me konstatime se vdekja e tij në burg është e dyshimtë.