Salla e Kuvendit para nisjes së seancës për Deharin | Foto: KALLXO.com

Nis Seanca e Jashtëzakonshme për Deharin

Seanca e jashtëzakonshme për Astrit Deharin pritet të zhvillohet sot në Kuvendin e Kosovës, pasi për të vendosi dje Kryesia e Kuvendit.

Për këtë seancë janë mbledhur nënshkrimet e 40 deputetëve të PDK-së e LDK-së, edhe pse deputetët e këtyre dy partive më herët kur nënshkrimet tentonte t’i mblidhte “Vetëvendosja” nuk ishin për ta mbajtur këtë seancë, duke u arsyetuar se më parë duhet të konstatohen arsyet e vdekjes së Deharit nga ekspertë mjeko-ligjorë.

“Kryesia vlerësoi se kërkesa, e nënshkruar nga 40 deputetë, të cilën në mbledhje e prezantoi kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Zenun Pajaziti, i plotëson kushtet për të thirrur seancë të jashtëzakonshme,” njoftoi Kuvendi i Kosovës me anë të një komunikate.

E këtë e konsideroi të jashtëligjshme deputetja e “Vetëvendosjes” Aide Dërguti.

“Kjo është në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit. Po thuhet se janë duke përkthyer materiale. Kjo është jashtë rregullores dhe është hipokrizi që pas dy muajsh të iniciojnë seancë të jashtëzakonshme me nënshkrime të PDK-së dhe LDK-së”, tha ajo pas mbledhjes së kryesisë.

Megjithatë, “Vetëvendosja” për KALLXO.com e konfirmoi pjesëmarrjen në seancë.

“Pavarësisht që është kërkesë hipokrite prej Kadri Veselit, i cili ka pamundësuar mbajtjen e dy seancave që kërkon drejtësi për rastin Dehari, deputetët e VV-së do të marrin pjesë në seancë,” tha Tinka Kurti, zëdhënëse e VV-së.

Astrit Dehari vdiq më 5 nëntor derisa po mbahej i paraburgosur si i dyshuar për sulmin me raketahedhës në ndërtesën e Kuvendit më 4 gusht.

Instituti i Mjekësisë Ligjore më 18 nëntor vdekjen e tij e konsideroi vetëvrasje, por ekspertë të pavarur të ngarkuar nga familja për sqarimin e kësaj vdekjeje thanë më 16 dhjetor se Dehari u vra.

http://kallxo.com/mjekesia-ligjore-percakton-se-astrit-dehari-beri-vetevrasje/

http://kallxo.com/tome-gashi-konteston-versionin-zyrtar-te-vdekjes-se-astrit-deharit/

“Vetëvendosja” në nëntor dështoi të mbledhë 40 nënshkrime për këtë seancë pasi deputetët Bislim Zogaj, Danush Ademi e Veton Berisha tërhoqën nënshkrimet.

http://kallxo.com/nenshkrimin-e-terheq-edhe-deputeti-berisha/

Shoqëria civile më pas më 29 nëntor nënshkroi peticionin me 23 mijë e 774 nënshkrime në të cilën kërkohet hetim i pavarur për vdekjen e Deharit, dorëheqje e ministrave të drejtësisë e punëve të brendshme dhe seancë të jashtëzakonshme për këtë vdekje.

Aktivistë të shoqërisë civile do të mblidhen sot para institucioneve qendrore të shtetit në kohën kur do të zhvillohet seanca për Deharin.

shoqeria

Sot Kuvendi prej orës 15:00 ka paraparë edhe vazhdimin e seancës së rregullt ku do të votohet për pikat e rendit të ditës për të cilat nuk u votua gjatë seancave të kaluara nga mungesa e kuorumit.