Astrit Dehari | Foto: LVV
Ymeri: Vdekja e Astritit Është Përgjegjësi Institucionale
Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur një konferencë për media lidhur me rastin e vdekjes së aktivistit të saj, Astrit Dehari, i cili ndërroi jetë dje gjatë kohës që po mbahej në paraburgim në Prizren.
Sipas kreut të VV-së, Visar Ymeri, Astriti vdiq në ditën e 68-të të mbajtjes në paraburgim për një rast, sipas tij, të montuar nga Policia dhe Prokuroria. “Rast i kulluar i montimit politik”, tha ai.
Visar Ymeri tha se pavarësisht mossqarimit të rrethanava, vdekja e Astrit Deharit është përgjegjësi institucionale.
Ai tregoi se i kanë dërguar kërkesë Ministrisë së Drejtësisë për të vizituar e ngushëlluar dy aktivistët e mbetur në paraburgim.
Gjithashtu, Ymeri tha se Lëvizja Vetëvendosje e mbështet kërkesën e familjes Dehari për autopsi të pavarur. “Ne nuk do të heshtim deri në zbardhjen e këtij rasti”, tha ai.
Ndërsa, sekretari organizativ i VV-së, Dardan Molliqaj, tha se dita e djeshme për Vetëvendosjen ka qenë një prej më të vështirave.
“Ajo që ndodhi dje nuk ishte fatkeqësi. Ishte rezultat i persekutimit të pushtetit”, tha Molliqaj.
Duke përkujtuar se edhe vetë ka qenë në burg, Molliqaj tha se aty nuk ka liri. “Aty veç mendjen e ke të lirë. Gjithçka është në dorën e institucionit dhe çkado që ndodh në burg është përgjegjësi e institucionit”, theksoi Dardan Molliqaj.
“Deklaratat e djeshme të ngutshme e kontradiktore veç e kanë bërë edhe më të rëndë atë çka ndodhi. Komandanti i Policisë tha se ai vdiq nga barnat. Kjo nuk është vërtetuar as në këtë moment. Astriti nuk ka vdekur në spital, ai ka vdekur rrugës për në spital, kjo është e vërtëta zyrtare”, theksoi po ashtu zyrtari i VV-së, duke treguar se një javë më herët Astrit Dehari i ka bërë analizat dhe se ai nuk vuante nga asnjë sëmundje.
Ai nuk ka përdorë barnat, si u bë që ai vdiq nga barnat?, pyeti po ashtu ai.
Molliqaj më tej nga përvoja e tij tregoi si përdoren barnat në burg. “Barnat pihen në prezencë të mjekut të Shërbimit Korrektues. Duhet t’i përpish aty e nuk të lihen në dorë”, tha ai.
Molliqaj njoftoi për një tubim që do të mbahet sot në ora 17:00 në sheshin “Skënderbeu”, ku do të bëhen homazhe për astritin dhe do të shprehin indinjatën.
Pasi theksoi se Astrit Dehari ka studiuar mjekësinë dhe ka qenë i kujdesshëm për shëndetin e tij, Molliqaj tha se për të kuptuar të vërtetën kanë kërkuar që prezentë gjatë autopsisë të ketë edhe ekspertë ligjorë nga jashtë, nga Shqipëria por edhe nga Zvicra. “Prezenca e ekspertëve nga këto dy vende do ta rriste kredibilitetin (e raportit të autopsisë)”, shtoi Dardan Molliqaj, pasi që tha se Vetëvendosje ka dilema, duke qenë se shteti i Kosovës është i kapur.
http://kallxo.com/kryekuvendari-ngushellon-familjen-dehari/
http://kallxo.com/vdes-ne-qender-te-paraburgimit-nje-aktivist-i-vv-se/
http://kallxo.com/syle-hoxha-e-dyshimte-vdekja-e-deharit/