Mbahet e mbyllur seanca gjyqësore për rastin e vrasjes së 18-vjeçarit në Podujevë, avokati Gashi: Ishin të ftuar dy dëshmitarë

Në Gjykatën e Prishtinës në Departamentin për të mitur është mbajtur sot më 11.04.2024 seanca gjyqësore ndaj dy të miturve që tashmë zyrtarisht ngarkohen nga prokuroria për rastin e vrasjes së 18-vjeçarit, Lulzim Fejzullahut më 14.01.2024.

18-vjeçari vdiq më 20.01.2024, gjashtë ditë pas plagëve që mori nga goditja me veturë e më pas me mjete të forta nga të dyshuarit dy bashkëmoshatarë në Podujevë.

Përfaqësuesi i palës së dëmtuar, Tomë Gashi, tha para mediave pas përfundimit të seancës se nuk munden të japin shumë detaje nga seanca pas vendimit të marrë në gjykatës.

“Seanca është e tipit të mbyllur, ne vetëm mundemi me ju thënë që është vazhdimi sipas propozimit të prokurorit të shtetit për shqiptimin e dënimit, dhe gjykata ka sjell një vendim me të cilin faktikisht ka urdhër që detajet rreth gjykimit të mos shpalosen. Kështu që mundem me ju thanë që seanca e radhës është me 15 dhe 16 prill të këtij viti”- tha Tomë Gashi.

Sipas Gashit, ajo çka mund të thuhet është se në këtë seancë ishin të ftuar dy dëshmitarë për të dëshmuar, por që vetme njëri nga ta ka qenë prezent për dhënie të dëshmisë.

“Nuk është e ndaluar me ju tregu që kanë qenë dy dëshmitarë, njëri prej tyre është marrë në pyetje ndërsa tjetri në mungesë të asaj se a e ka pranuar ftesën në mënyrë të rregullt apo jo ka mbetë për seancën e radhës”- tha përfaqësuesi i palës së dëmtuar.

Përfaqësuesi i palës së dëmtuar tha se me provat që i posedon prokuroria do të jetë e lehtë të argumentohet propozimi për shqiptimin e dënimit.

“Në bazë të video-incizimeve nuk ka çfarë të ndryshojë faktikisht përveç asaj që është incizuar dhe prokuroria fare lehtë do ta dëshmojë propozimin për shqiptim të dënimit”- tha Gashi

Kurse xhaxhai i të ndjerit, Rrahim Fejzullahu tha se i beson drejtësisë së vendit dhe se për çdo pyetje shtesë mund t’i drejtohen përfaqësuesit të tij avokatit Tomë Gashi.

”Unë i besoj drejtësisë dhe vetëm drejtësisë”- tha Rrahim Fezjullahu.

22.02.2024 Gjykata kishte marrë vendim me të cilin dy të dyshuarve ja u kishte vazhduar masën e paraburgimit dy të përfshirëve në këtë rast.

Rasti ishte iniciuar si vrasje në tentativë, e më pas shefi i repartit intensiv në QKUK, Shaqir Uka, kishte treguar për KALLXO.com se te viktima nuk u evidentua se ka pasur therje me thikë, por rrahje brutale ndaj me mjete të forta (shkop druri).

Për rastin në fjalë Inspektorati Policor i Kosovës kishte treguar se kanë filluar hetimet për të zbardhur trajtimin e rastit të të riut.

Në një video-incizim, që është publikuar në rrjete sociale, është parë se i riu fillimisht ishte goditur me veturë e më pas dy personat që ishin në veturë dalin dhe e godasin me mjete të forta.

Për këto pamje të publikuara kishte reauar edhe Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve, KOMF, i cili ka kërkuar që mediat të largojnë pamjet pasi sipas tyre, të njëjtat nuk janë në interes të publikut dhe në funksion të raportimit etik dhe profesional.

Lulzim Fejzullahu ishte rrahur brutalisht më 14.01.2024 në Podujevë në 13:00h.

Sipas raportit policor të datës 15.01.2024, ai fillimisht kishte pranuar tretman mjekësor në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë dhe më pas ishte dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.

Në këtë raport gjithashtu u tha se “njësiti policor në vendin e ngjarjes ka konfiskuar një thikë dhe një veturë”.

Gjashtë ditë më vonë, më 20.01.2024, Lulzim Fejzullahu vdiq në QKUK.