Sylë Hoxha: Astrit Dehari ka Vdekur nga Asfiksia
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore, Sylë Hoxha, tha sonte se vdekja e Astrit Deharit në qendrën e paraburgimit në Prizren është shkaktuar si pasojë e pengesës në organet e frymëmarrjes.
Komentet e Hoxhës u bënë pas përfundimit të autopsisë në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, proces që pritet t’i shpjegojë arsyet e vdekjes së të riut, aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje.
Dehari po mbahej në këtë qendër paraburgimi për më shumë se dy muaj pasi dyshohej si i përfshirë në sulmin që ndodhi ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës në korrik të këtij viti.
“Vdekja është shkaktuar nga asfiksia, zënia e rrugëve të frymëmarrjes”, tha Sylë Hoxha në konferencë për shtyp.
Ai tha se prokuroria në Prizren është duke i bërë hetimet rreth kësaj vdekjeje, e cila vazhdon të mbetet enigmatike edhe në ditën e tretë.
“Hetimet janë duke u zhvilluar prej momentit kur e kemi marrë informacionin për këtë akt. Nuk kemi të dyshuar e të arrestuar, por hetimet janë duke u zhvilluar”, tha ai.
Hoxha ka thënë se nuk është i vërtetë versioni që është dhënë në fillim si viktima ka përdorur barna.
“Nuk kemi informacione se ka konsumuar barna, nuk dimë nga ka dalë ky informacion. Në vend të ngjarjes nuk ka pasur barna”, u shpreh ai.
Ndërsa avokati i familjes së Astrit Deharit, Tomë Gashi, tha se tani duhet të priten rezultatet.
“Kemi pasë obduksion që ka zgjatë dy orë e gjysmë. Janë marrë të gjitha mostrat e nevojshme dhe presim rezultatet preliminare të Institutit të Mjekësisë Ligjore”, tha avokati Gashi.