Vdes një 54-vjeçar në Prishtinë, Policia nis hetimet

Një burrë 54-vjeçar, ka vdekur të enjten (21.03.2024) në lagjen “Dardania” në Prishtinë.

Policia e ka konfirmuar rastin për KALLXO.com duke njoftuar se ka nisur hetimet për vdekjen e tij.

Vdekjen e tij, siç njofton Policia, e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje.

“Aktualisht policia në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin të gjitha veprimet e duhura hetimore dhe ato forenzike – të ekzaminimit, që do të ndihmonin hetimin e ngjarjes si dhe sqarimin dhe ndriçimin e plotë të rastit, ndërkohë që trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion” – ka thënë Flora Ahmeti, zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës.

KALLXO.com ka provuar që të marrë një përgjigje edhe nga Prokuroria në Prishtinë, por nga Zyra për Media deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk kanë ofruar informacione.