Objekti i Gjykatës së Kaçanikut, Foto: KALLXO.com

Policia po interviston të miturit e dyshuar për zjarrin në zyrat e gjyqtarëve në Kaçanik

Tre të mitur të dyshuar për zjarrvënien në dy zyrat e  gjyqtarëve të Gjykatës Themelore të Ferizajt, Dega në Kaçanik, janë dërguar në stacion për intervistim pasi të njëjtit fillimisht janë lokalizuar e më pas janë arrestuar. 

KALLXO.com mëson nga burime brenda institucioneve të rendit, se janë kryer edhe disa kontrolla ndërsa janë konfiskuar edhe disa prova të cilat do të ekzaminohen e më pas nga to do të nxirren raporte të cilat do të bëhen pjesë e dosjes penale.

Siç ka mësuar KALLXO.com, për këtë rast është njoftuar edhe Drejtoria Kundër Terrorizmit në Policinë e Kosovës ndërsa në kontrolla ka asistuar edhe një hetues në nivel lokal. 

Prokuroria Themelore e Ferizajt ka njoftuar më 15.03.2024 se, tre të miturit po dyshohet se ishin dorasit e vënies së zjarrit në objektin e Gjykatës Themelore të Ferizajt Dega në Kaçanik. 

Ngjarja u regjistrua mëngjesin e datës 13.03.2024, ndërsa policia njoftoi se dyshimi rëndonte mbi tre persona të dyshuar. Vepra që rëndon mbi ta është zjarrvënie. 

Nga zjarrvënia që ndodhi në orët e para të së mërkurës, dy zyra të gjyqtarëve kanë pësuar dëme.  KALLXO.com raportoi në lidhje me ngjarjen.

Gjyqtarët që iu dogjën zyrat trajtojnë çështje penale.

Detaje lidhur me djegien e zyreve në degën e Gjykatës së Ferizajt në Kaçanik