Arkiv: Sylë Hoxha. Foto: Kallxo.com

Kryeprokurori Sylë Hoxha Flet për Xhirimet e Dala nga Burgu i Prizrenit

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Sylë Hoxha ka thënë se nuk është në dijeni se nga kush kanë dalë pamjet e burgut të Prizrenit, provë e cila është duke u hetuar për vdekjen e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari.

“Unë ndihem i shqetësuar nuk e di se si kanë dalë ato publikime. Sigurisht që këto ne ende nuk i kemi në dorë, prokurorët e prokurorisë janë në kontakt me policinë me hetuesit, si do që të jetë sigurisht që do të merremi edhe me çështjen se si u publikuan këto pamje. Nuk e dimë se kush i ka dhënë këto publikime”, tha Hoxha për KALLXO.com.

Ai theksoi se pamjet nga burgu i Prizrenit nuk janë ende në prokurori dhe se është i sigurt që nga ata nuk kanë dalë këto pamje.

“Ne jo. Ato s’kanë qenë ende pronë e prokurorisë”, tha në fund Hoxha.

Mbrëmë në televizionin Klan Kosova u shfaqën xhirimet nga kamerat e sigurisë të ditës kritike të 5 nëntorit, ditën e vdekjes së aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari.

Gjatë ditët së sotme Lëvizja Vetëvendosje në një konferencë ka thënë se hetimet janë duke u kryer në mënyrë jo profesionale.

http://kallxo.com/vv-hetimet-per-vdekjen-e-astrit-deharit-joprofesionale/

Ndërsa, përfaqësuesi juridik familjes së Astrit Deharit, avokati Tomë Gashi, ka paraqitur kallëzim penal kundër personave përgjegjës të cilët mundësuan publikimin e videove nga burgu i Prizrenit, vendin ku i ndjeri Dehari vdiq më 5 nëntor.

http://kallxo.com/kallezim-penal-publikimin-e-xhirimeve-ne-burgun-e-prizrenit/