Prioritetizimi i dialogut

Procesi i bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë duket të jetë i pashmangshëm për Qeverinë aktuale të Kosovës, ndonëse kreu i saj Albin Kurti, insiston se ky proces nuk është në mesin e prioriteteve më të mëdha të qeverisjes së tij.

Më 15 qershor të këtij viti, në kuadër të dialogut, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, Kurti takoi presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas të cilit, palët shfaqën pakënaqësi dhe mosdakordime për këtë proces.

Ndërsa, pas takimeve të ditëve të fundit në Bruksel të Belgjikës, në nivel të ekspertëve, Kurti dhe Vuçiq do të takohen për herë të dytë në kuadër të dialogut, të hënën e 19 korrikut.

Qeveria e Kosovë po këmbëngulë se prioritete e tyre mbesin të njëjtat, por se dialogun thonë se e kanë trajtuar me seriozitet.

Faktori ndërkombëtar në vazhdimësi u ka bërë thirrje Kosovës e Serbisë për të vazhduar bisedimet, duke potencuar se dialogu nuk ka alternativë.

Nga opozita në vend, thonë se qasja e Qeverisë Kurti në dialog, është e gabuar, si dhe vlerësojnë̈ se kreu i ekzekutivit kosovar, ka ndryshuar qëndrim për këtë çështje.

Njohës të proceseve integruese, vlerësojnë se dialogu si proces i pashmangshëm, do të vazhdojë të jetë prioritet i Qeverisë së Kosovës, pa marrë parasysh deklarimet e kryeministrit Kurti.

Krasniqi: Qeveria ndërtoi qasje të gabuar në raport me dialogun me Serbinë

Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Integrim Evropian, e cila vjen nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Rrezarta Krasniqi, thotë për KALLXO.com se Qeveria Kurti ka ndërtuar një qasje të gabuar në raport me dialogun me Serbinë, një qasje që siç thotë ajo, Kurti e kishte kritikuar sa ishte opozitar.

“Z. Kurti, madje deklaronte se nuk do të bënte negocim pa kushte, por kur e mori pushtetin harroi kushtet dhe shkoi në takim me Vuçiqin. Tani nuk e di si do të arsyetohet ai para familjarëve që nuk dinë gjë për fatin e më të dashurve të tyre që rezultojnë të pagjetur, sepse në mënyrë decidive thoshte nuk do të shkoj të dialogoj pa u gjetur edhe i pagjeturi i fundit, andaj mendoj se ky është veprimi më i dëmshëm që ka bërë Albin Kurti dhe më i rëndë për këto kategori që ende presin që familjarët e tyre do të kthehen në Kosovë”, tha ajo.

“Pra, që në fillim ne vërejmë një ndryshim total prej asaj çfarë kanë deklaruar më herët, ndryshim ky që për bindjen time, është i rrezikshëm edhe për demokracinë e vendit”, shtoi deputetja opozitare.

Sipas Krasniqit, Qeveria nuk po tregon as transparencë në këtë proces.

“Nuk kemi parë asnjëherë një qasje më shpërfillese ndaj mediave dhe qytetarëve. Mbase këtë e kanë bërë edhe në mungesë të argumenteve përmes të cilave do të mund ta arsyetonin mospunën e tyre dhe dështimin në këtë 100 ditësh, që sigurisht se është një periudhë e cila jep indikacione për angazhimin e mëtejmë të një qeverie”, thotë ajo.

Deputetja e LDK-së ka shtuar se qasjen e Qeverisë së Kosovës në procesin e dialogut, e konsideron sfiduese.

“Kemi një kryeministër që ka ndryshuar qëndrimet, me çka kishte manipuluar me ndjenjat e familjarëve që presin zbardhjen e fatit të me të dashurve të tyre. Në këtë kontekst, vlerësoj se një qasje e gabuar nënkupton edhe rreziqe për vendin”, tha ajo për KALLXO.com.

Deputetja ka shtuar se një tjetër sfidë do të ishte “në rast se nuk njihet kontributi i SHBA-së në arritjen e marrëveshjes finale”.

“Ne shohim një tendencë të mohimit të marrëveshjes së 4 shtatorit të nënshkruar nga ish-kryeministri z. Avdullah Hoti, e cila është e një rëndësie jetike për vendin”, shtoi deputetja Krasniqi.

Edhe nga dy partitë e tjera opozitare, PDK dhe AAK në vazhdimësi e kanë kritikuar qasjen e Qeverisë Kurti në dialog.

Xhambazi: Ka nevojë për transparencë dhe llogaridhënie më të madhe për dialogun

Hulumtuesi i politikave në “Demokraci për zhvillim” (D4D), Visar Xhambazi, ka thënë për KALLXO.com se, konsideron që ka nevojë për një transparencë dhe llogaridhënie më të madhe edhe pse palët janë takuar vetëm dy herë në Bruksel.

“Konsideroj që Qeveria Kurti duhet t’i përmbahet standardeve më të larta të llogaridhënies dhe transparencës, sikurse edhe kanë proklamuar gjatë opozitës dhe fushatës zgjedhore”, tha ai.

Xhambazi ka shtuar se është herët që të konstatohet qasja në dialog, pasi sipas tij, bëhet fjalë vetëm për 100 ditë qeverisje.

“Ndërsa sa i përket prioriteteve, me gjithë konstatimin apo deklarimet e z. Kurti se dialogu nuk është prioritet, mendoj që kjo është e pashmangshme për faktin se dialogu është një ndër temat kryesore në vend dhe pa marrë parasysh deklarimet e Qeverisë, konsideroj që dialogu do të vazhdojë të mbetet prioritet”, theksoi ai për KALLXO.com.

Qëndrimet e kryeministrit

Më 14 shkurt, pas mbylljes së vendvotimeve, nga zgjedhjet e parakohshme të asaj dite, Kurti deklaroi se procesi i dialogut me palën serbe, nuk do të jetë në mesin e prioriteteve të qeverisë së tij.

“Nuk do ta kemi prioritet formimin e ekipit të dialogut me Serbinë. Ju e dini shumë mirë që në të gjitha matjet e opinionit publik, dialogu me Serbinë është herë në vendin e gjashtë e herë në vendin e shtatë. Neve na kanë zgjedhur këta qytetarë, ne ju përgjigjemi atyre. Prioritet e kemi drejtësinë dhe punësimin”, kishte thënë Kurti në konferencën për media.

Në të njëjtën linjë, ai u deklarua edhe më 30 qershor të këtij viti, tashmë në cilësinë e kryeministrit.

“Ju po e vëreni edhe nga konferenca jonë për media, edhe nga mbledhja që patëm se prioritet i yni është punësimi dhe drejtësia, menaxhimi i pandemisë. Kur na pyetni për çështjen e dialogut edhe përgjigjemi, mirëpo votat e qytetarëve na kanë sjell në këtë pozitë për të shërbyer dhe zhvilluar aspekte tejet jetike për Republikën e Kosovës, e cila nuk e ka jetën e saj të varur nga njohja e Serbisë. Është gjynah të merremi më dialogun me gjithë këto të arritura që i kemi pasur si Qeveri”, tha kryeministri.

Së fundi, i pyetur nëse Qeveria e Kosovës ka ndërruar qëndrim për dialogun, duke qenë se më herët kanë deklaruar se prioritet janë punësimi dhe drejtësia, përderisa takimet në Bruksel janë duke vijuar në nivel të ekspertëve, zëdhënësi i ekzekutivit kosovar, Përparim Kryeziu ka thënë se procesin e bisedimeve e kanë trajtuar me seriozitet.

“Prioritetet tona vazhdojnë të mbesin ato që kanë qenë, pra punësimi dhe drejtësia bashkë me menaxhimin e pandemisë që është urgjencë e paracaktuar. Në anën tjetër dialogut e kemi trajtuar me seriozitet duke mos e neglizhuar, por duke bërë përgatitjet e nevojshme”, thuhet në përgjigjen e tij për KALLXO.com.

Cila do të jetë tema e takimit Kurti-Vuçiq më 19 korrik?

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se temë e takimit të ardhshëm mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të hënën më 19 korrik do të jenë të zhdukurit me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë.Kështu ka deklaruar për KALLXO.com zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

“Temë e këtij takimi do të jenë të zhdukurit me dhunë gjatë luftës së fundit. Ajo për neve mbetet temë me prioritet dhe urgjencë. Presim që në këtë takim të diskutohen edhe katër propozimet e kryeministrit Kurti nga takimi i mëparshëm. Po ashtu do të diskutohet në lidhje me agjendën e ardhshme të kapitullit të ri të dialogut për çka do të shohim nëse do të arrihet një pajtueshmëri”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se në atë takim do të shohin nëse pala serbe “ka reflektuar” për katër propozimet e Kurtit në takimin paraprak.

“Kryeministri Kurti tashmë i ka paraqitur katër propozimet e tij në takimin e 15 qershorit. Kanë kaluar një muaj, do të shohim nëse pala serbe ka reflektuar gjatë kësaj kohe dhe presim për këtë një përgjigje nga ata në këtë takim”, shtoi zëdhënësi i ekzekutivit.

I pyetur se cila do të jetë përgjigjja e palës kosovare në rast se në këtë takim kërkohet të diskutohet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, Kryeziu ka thënë se rendi kushtetues i Kosovës e bën të pamundur që të ketë një asociacion mbi baza etnike.

“Praktikisht kjo është dëshmuar edhe përmes aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese të 23 dhjetorit të vitit 2015. Përpos rendit juridik, asociacioni një etnik nuk gjen bazë as në karakterin e shtetit tonë. Një shtet multietnik si Kosova nuk mund të ketë brenda vetes entitete që ndërtohen mbi baza etnike e që janë një etnike. Prandaj kryeministri Kurti ka propozuar që pas njohjes reciproke, edhe pakicat në dy vendet të kenë trajtim reciprok. Pra, serbët në Kosovë ta kenë Këshillin e tyre Nacional sikur e kanë shqiptarët dhe boshnjakët në Serbi”, thuhet në përgjigjen e tij për KALLXO.com.

Takimi Kurti-Vuçiq do të jetë i dyti në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.