Vuçiq jep detaje pas takimit me Kurtin: Më pyeti kur do ta njohësh Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka folur pas takimit me kryeministrin, Albin Kurti, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian.

Siç raporton media serbe B92, Vuçiq tha se në takim janë dakorduar që dialogu të vazhdojë deri në fund të korrikut.

Ai po ashtu tregoi se ka pasur polemika të ashpëra me Kurtin sa i përket njohjes së Kosovës.

“Unë u përgjigja ashpër, por nuk e kalova kufirin. Njeriu erdhi që të mos binte dakord për asgjë. Ai tha:” Kam ardhur të të pyes kur do ta njohësh Kosovën. “Unë thashë,” Kurrë. “Ai shpërtheu”, tha presidenti serb.

Presidenti serb po ashtu theksoi se Kurti e ka përmendur edhe ngritjen e padisë për gjenocid.

Sot në Bruksel po zhvillohet rundi i ri i bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre. Ky është takimi i parë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.