Miroslav Lajçak dhe Besnik Bislimi, Foto: Twitter

Dialogu i Brukselit - politik apo teknik, Lajçak dhe Bislimi me qëndrime të kundërta

Dialogu mes dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, ka nisur që nga marsi i vitit 2011. Një herë si teknik e më vonë u diskutuan edhe çështje politike.

Që nga ajo kohë, palët nga të dyja vendet, por edhe nga Bashkimi Evropian si ndërmjetësues, dialogun e kanë quajtur herë teknik e herë politik.

Së fundmi, pas një takimi me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se takimet në kuadër bisedimeve mes dy vendeve nuk janë teknike por me karakter politik.

“E mirëprita Besnik Bislimin, zëvendëskryeministrin e parë të Kosovës për diskutime sot para takimit të dialogut në nivelin e kryenegociatorëve nesër. Gjithçka në bisedimet mbi normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është politike, asgjë s’është teknike”, shkruajti më 6 korrik Lajçak në Twitter.

Por, me këto konstatime të Lajçak nuk po pajtohen nga ekzekutivi kosovar. Në njoftimin e fundit rreth takimit të së martës, Qeveria iu referua dialogut me termin “teknik”.

“Takimi me karakter teknik, i zhvilluar në praninë e përfaqësuesit special të BE-së për dialogun, z.Miroslav Lajçak, kishte për qëllim arritjen e një pajtueshmërie për gjendjen aktuale dhe ecurinë e implementimit ndër vite të marrëveshjeve që janë pjesë e dialogut”, thuhet mes tjerash në njoftimin e Qeverisë.

Tutje, në njoftim u tha se takimi ishte me karakter informues mbi ujditë që janë arritur deri më tani në kryeqytetin evropian.

Lajçak pas takimit me Bislimin: Dialogu është politik, s’ka asgjë teknike

www.kallxo.com