Foto: REL/AFP

PDK-ja pret që Kurti të mos takohet me Vuçiqin para se Serbia të kërkojë falje për gjenocid

Ushtruesi i Detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka thënë se presin që kryeministri i Kosovës Albin Kurti, të mos takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq më 15 qershor para se Serbia të kërkojë falje për gjenocid në Kosovë.

Sipas Hoxhajt, këto janë deklarime dhe pretendime që më herët i ka pasur Kurti.

“E dini se ai ka pretenduar që kurrë asnjëherë ai personalisht dhe Lëvizja Vetëvendosje nuk do të ulen me Vuçiqin pa kërkuar falje Serbia për gjenocid dhe ne presim për këtë deri më 15 qershor, ose Kurti të mos shkojë në takim. Ai ka pretenduar që pa u gjetur i pagjeturi i fundit nuk do të ulej në takim. Dhe ne presim që deri më 15 qershor të gjenden të gjithë ata që i mungojnë familjeve në Kosovë, para se z. Kurti të merr pjesë në takim”, tha ai në një bashkëbisedim në Lëvizjen “FOL”.

Kreu i PDK-së, ka shtuar se Kurti duhet ta gjejë një konsensus me veten e tij, para se ta ftojë opozitën për konsensus për dialogun me Serbinë.

Bashkimi Evropian njoftoi të mërkurën se takimi i radhës ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve mes palëve, do të mbahet me 15 qershor në Bruksel.

Ky do të jetë takimi i parë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Procesi i bisedimeve që shënoi një rifillim në korrik të vitit të kaluar, u pezullua sërish për shkak të zgjedhjeve në Kosovë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar disa herë se bisedimet nuk janë prioritet i qeverisë së tij, por nuk u shmanget atyre.

BE: Bisedimet Kosovë – Serbi, me 15 qershor