Kurti: Nga katër propozime, tri na u refuzuan

Kryeministri Albin Kurti është deklaruar pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian.

Kurti tha se i kanë bërë katër propozime në takim, por shtoi se tri prej tyre janë refuzuar.

“Takimi ishte konstruktiv nga ana jonë. Ne do të marrim pjesë në këtë proces i cili është i vështirë. Pala tjetër fliste për ide të vjetra. Ne dhamë katër propozime të reja”, tha Kurti në paraqitjen e tij para mediave.

“Shpresoj që kur të kthehen në Beograd, z. Vuçiq dhe z. Selakoviq, të mendojnë më shumë dhe ta konsiderojnë seriozisht pranimin e këtyre propozimeve”, ka shkruar Kurti në mes tjerash.

Ndërsa në profilin e tij në Facebook, kryeministri Kurti ka shkruar 4 propozimet që pala kosovare i ka shpalosur në takim:

  1. Gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor e avansojnë CEFTA-n në SEFTA (South-East European Free Trade Agreement) sipas modelit të EFTA-EEA, pra marrëveshje çfarë Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Islanda kanë me BE-në.
  2. Kosova dhe Serbia menjëherë nënshkruajnë një marrëveshje të përbashkët të paqes duke u zotuar se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën. Kjo është e rëndësishme tani si asnjëherë më parë, një ditë pas Samitit të NATO-s në Bruksel dhe porosive unanime që u dhanë aty.
  3. Pas njohjes së ndërsjelltë midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, në të dy vendet tona do të kemi reciprocitet bilateral, përfshirë çështjen e pakicave këtu. Pra, serbët në Kosovë mund të kenë Këshillin e tyre Nacional siç e kanë shqiptarët dhe boshnjakët në Serbi.
  4. Për çështjen e të pagjeturve, të të zhdukurve me dhunë, duhet larguar nga pozita që ka dhe duhet marrë në pyetje kreun e delegacionit serb, z. Veljko Odaloviq, i cili në vitet 1997-1999, ishte “naçelnik i qarkut të Kosovës”, dhe udhëhiqte me Kosovën e okupuar bashkë me z. Zoran Angjelkoviq.