Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca
Konjufca: Me keqardhje dëgjoj se BE-ja mezi pret të punojë me qeverinë serbe
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i është përgjigjur deklaratës së Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Europian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, i cili tha se “se mezi pret të punojë me Qeverinë e re të Serbisë”.
Konjufca tha se me keqardhje e dëgjon një deklaratë e tillë se Bashkimi Europian “mezi pret të punojë me Qeverine re të Serbisë”, në të cilën është përfshirë edhe zëvendëskryeministri, Alexander Vulin, i cili është nën sanksionet e SHBA-së por nuk janë të gatshëm të heqin masat kundër Kosovës.
“Me keqardhje dëgjoj se BE-ja mezi pret të punojë me qeverinë serbe, duke përfshirë zëvendëskryeministrin Alexander Vulin, i cili është nën sanksionet e SHBA-së për lidhjet e tij të ngushta me Rusinë, ndërsa ata ende nuk janë të gatshëm të heqin masat e padrejta kundër Kosovës”- ka shkruar Konjufca në rrjetin social ‘X’ më 04.05.2024.
Regrettable to hear that EU is looking forward to work with serbian govt, including Deputy PM Alexander Vulin, who is under US sanctions for his close ties to Russia, while they are still not ready to lift unfair measures against Kosova.
— Glauk Konjufca (@KonjufcaGlauk) May 4, 2024
Më 02.05.2024, deputetët e Kuvendit të Serbisë zgjodhën Qeverinë e re, të kryesuar nga Millosh Vuçeviq, i cili paralajmëroi ditë më parë se Serbia nuk do t’i ndryshojë qëndrimet e mëparshme në lidhje me Rusinë dhe Kosovën.
Pjesë e tij si zëvendëskryeministër do të jetë edhe ish-kreu i shërbimit inteligjent të Serbisë, Aleksandar Vulin, i cili është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës prej korrikut të vitit 2023 – mes tjerash, për shkak të lidhjeve me Rusinë.
Nga “lista e zezë” e SHBA-së, për shkak të lidhjeve me Rusinë, do të jetë edhe Nenad Popoviq, si ministër pa portofol.