Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj, Foto: KALLXO.com
Buleshkaj: Një ish-zv.ministër kaloi si menaxher në një kompani e cila ka kryer shërbime në atë ministri
Në emisionin #KallxoPërnime, drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj, ka thënë se në kuadër të mandatit të agjencisë është edhe parandalimi i konfliktit të interesit gjatë dhënies së tenderëve nga institucionet publike për bizneset.
Buleshkaj theksoi se vitin e kaluar kanë arritur të prishin një tender me qëllim parandalimin e konfliktit të interesit.
Në këtë tender i cili është prishur nga APK, Bukeshkaj tha se ishte i përfshirë një zëvendësministër i Qeverisë Kurti. Buleshkaj ka thënë se i njëjti kishte kaluar në pozitën e menaxherit në kompaninë e cila kishte qenë donator dhe kishte kryer punë për ministrinë.
“Kemi një kontratë të cilën e kemi prish që ka pasur një ish-zëvendësministër, jo në një biznes por në një donator ka kaluar aty. E ka lëshuar pozitën e zëvendësministrit dhe ka kaluar si menaxher në një kompani e cila ka kryer shërbime për ministrinë, ne kemi kërkuar dhe ajo është anuluar si proces. Kjo ka ndodh në vitin e kaluar, nuk është kthy në pozitën e zëvendësministrit dhe është tërhequr nga kontrata”- tha Buleshkaj më 04.05.2024 në KallxoPernime.
Ai përmendi se ka pasur dhe raste të tjera kur zyrtarët publikë kjanë bërë pjesë e kompanive të cilat kanë fituar tenderë në dikasteret ku ata kanë punuar.
“Ka pas tenderë të cilët ne i kemi ‘prish’ kemi marrë vendim për t’i ri shqyrtuar apo për të anuluar procesin. Ka pasur raste kur zyrtarë publikë pas periudhës në funksion publik kanë kaluar në një biznes i cili ka pas biznes me komunën përshembull apo me institucionin. Kemi pasur raste ka më shumë se 2-3 raste kur ne kemi detyruar prishjen e këtyre marrëveshje sepse si APK kemi autorizim të nxjerrim vendime që të rishikohen tenderët”- tha ndër të tjera Buleshkaj në #KallxoPërnime.