“Politikanë e profesorë universitarë e kanë deklaruar këstin e kredisë sa paga e tyre” 

Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj, ka thënë se regjistrat e deklarimit të pasurisë së zyrtarëve publikë të cilët janë publikuar në muajin prill, kanë hasur në raste kur profesorë universitarë dhe politikanë e kanë deklaruar këstin e kredisë aq sa e kanë pagën e tyre.

Buleshkaj në një intervistë në KallxoPernime theksoi se institucionet bankare kanë nënvizuar se nuk aprovojnë kredi më këst më të lartë se 60% e pagës së një klienti.

“Ka një numë të madh të profesorëve dhe politikanëve që këstin e  kredisë e kanë sa paga e tyre. Neve na është thënë që bankat nuk aprovojnë kredi që 60% rata është me e madhe se rroga” – tha ai më 04.05.2024.

Buleshkaj në emisionin #KallxoPërnime tha se ka raste kur politikanët vozitin vetura të cilat nuk janë në emër të tyre apo familjarëve të tyre.

Kemi një numër të politikanëve që vozitin vetura që janë në emër të disa bizneseve që nuk kanë lidhje familjare me ta. Edhe nëse shkon para Kuvendit i sheh disa vetura që nuk janë të deklaruara. Kjo po besoj që duhet të trajtohet prej dikujt që munden me u hetu” – tha drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit.

Buleshkaj theksoi se vitin e kaluar (2023) rreth 1 mijë e 700 zyrtarëve publikë u është verifikuar pasuria. Ai tha se të gjithë verifikimin e kanë kryer vetëm 10 zyrtarë të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit.

“Kemi pasur përafërsisht 1 mijë e 780 zyrtarëve të cilëve u është verifikuar pasuria. Punojnë rreth 10 zyrtarë për këtë punë ndërsa gjithsej kemi 43 zyrtarë që punojnë në APK. Këtë vit na është shtuar pak numri i stafit”- tha ai.

“Këtë vit kemi identifikuar edhe nivel të lartë të zyrtarëve që nuk e kanë deklaruar një pjesë të pasurisë, e të cilët kanë qenë duke shërbyer për pozita mbi 20 vite e kanë harru pasurinë e paluajtshme, saktësisht hetimet janë në faza finale. Për neve mjafton edhe harresa ne nuk dëshirojmë të hyjmë nëse e kanë bo me qëllim apo jo. Ajo arsye për neve nuk është e pranueshme por prokuroria e pranon nganjëherë”- shtoi Buleshkaj gjatë intervistës në #KallxoPërnime.