Cilat ministri duhet të shuhen?

Qeveria e re e Kosovës pritet të mos ketë më shumë se 15 ministri e më shumë se dy zëvendësministra për secilën ministri.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka fituar zgjedhjet nacionale të mbajtura më 6 tetor, e pasuar me një diferencë të ngushtë nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), përderisa të dy këto parti që pritet ta formojnë qeverinë e re, kanë premtuar 12 ministri.

Të dy këto parti që javën e kaluar janë dakorduar për koalicion kanë premtuar edhe uljen e numrit të zëvendësministrave, Vetëvendosje ka premtuar 1 zëvendësministër për ministri ndërsa LDK, dy zëvendësministra.

Qeveria “megalomane” Haradinaj ka qenë në fokus të shumë kritikave për numrin e madh të ministrive gjithsej 21 dhe numrin e madh të zv/ministrave, aktualisht 75.

E këtë iniciativë të LDK-së dhe VV-së për zvogëlimin e numrit të ministrive dhe zëvendësministrave e ka mirëpritur shoqëria civile në Kosovë, të cilët kanë konsideruar se Kosovës nuk i nevojiten më shumë se 12 deri në 15 ministri.

Cilat janë ministritë që duhet të ‘shkrihen’ sipas shoqërisë civile

Organizata Demokraci Plus (D+) në fillim të fushatës zgjedhore kishte kërkuar nga kandidatët për kryeministër që të nënshkruanin deklaratën për qeverisje të mirë e cila në një ndër pikat e saj parashihte zvogëlimin e ministrive nga 21 në 15, vetëm kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani dhe kandidati i VV-së për kryeministër, Albin Kurti kishin nënshkruar këtë deklaratë.

Jetmir Bakija, nga kjo organizatë në një prononcim për gazetën Jeta në Kosovë  ka thënë se zvogëlimi i numrit të ministrive nuk do të thotë shkurtim të administratës publike apo më pak shërbime se deri tani.

“Qëllimi i zvogëlimit të numrit është shkrirja e disa ministrive në ministri tjera dhe mos të shpenzohet për ministra e zëvendësministra të shumtë, staf përkrahës dhe shpenzime tjera që vijnë me këto pozita të emëruara politike”, ka thënë Bakija.

Edhe drejtori ekzekutiv i organizatës “Çohu”, Arton Demhasaj  e sheh si pozitive iniciativën për zvogëlimin  e numrit të ministrive dhe zëvendësministrave.

“Kosova një vend me 1.8 milion banorë nuk ka nevojë për një kabinet të tillë aq të madh, kështu që është në këtë qeveri të ardhshme të shkurtohet kabineti qeveritar, pastaj edhe të bëhet ligji për qeverinë”, ka thënë Demhasaj.

Jetmir Bakija nga ‘D+’ dhe Arton Demhasaj nga ‘Çohu’ kanë dhënë propozime të ngjashme se cilat ministri mund të shkrihen në një të vetme.

“Ministria e Zhvillimit Rajonal, Ministria e Inovacionit, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Ministria e Integrimeve Evropiane mund të akomodohen nën ministrat e dikastereve tjera si Ministria për Ekonomi dhe Financa, Ministria e Punëve të Jashtme e të tjera”, ka theksuar Bakija.

Gazeta Jeta në Kosovë, ka kontaktuar VV-në dhe LDK-në për të marrë përgjigje sesi kanë planifikuar zvogëlimin e numrit të ministrive, mirëpo të njëjtit nuk kanë dhënë përgjigje deri në publikimin e tekstit.

Më shumë efikasitet me më pak para të harxhuara

Duke iu ‘referuar’ skandaleve të cilat kanë ndodhur në qeverinë ‘Haradinaj’, ku disa herë ministritë kanë dalë me deklarata kontroverse për të njëjtën çështje, Arton Demhasaj drejtor ekzekutiv i organizatës “Çohu”, ka thënë që zvogëlimi i ministrive do ti kontribuoj efikasitetit dhe ndarjes së përgjegjësive.

“Kur janë dy-tre ministri që merren me të njëjtën fushë, pastaj është probleme dhe koordinimi, i vendimeve por edhe i qëndrimeve. Është mirë që secila fushë ta ketë një ministër të asaj fushe dhe pastaj dështimet dhe të arriturat ke ku të drejtohesh. 12 ministri munden me qenë të mjaftueshme sepse ministria është më e efikase në punë e saj”, ka thënë Demhasaj.

E për Jemir Bakijen nga D+, shkrirja e ministrive do ti kontribuoj edhe ruajtjes së buxhetit dhe koordinimit të programeve.

“Shkrirja e disa ministrive në ministri tjera me profil të ngjashëm, përpos kursimeve, do të rezultojë edhe me punë më efektive në qeverinë e ardhshme për shkak se koordinimi i punëve në ata sektorë të ngjashëm do të jetë më i mirë. Dhe ne e kemi vërejt që një nga sfidat në qeveritë e kaluara ka qenë koordinimi i mirë i programeve dhe strategjive”, ka theksuar Bakija.