Ekipi i Albin Kurtit shpalos planet e tij qeverisëse 

Si pjesë e serive të debateve me kandidatët për Kryeministër në #DebatPernime, Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje dhe ekipi i tij me kandidatë që konkurrojnë për ulëse në Parlamentin e Kosovës diskutuan planet e tyre politike dhe premtimet për qeverinë e ardhshme..

Të ftuar në programin televiziv të Jeta në Kosovë, Kurti dhe kolegët e tij iu përgjigjën pyetjeve se cili do të jetë plani i Lëvizjes Vetëvendosje për të përmirësuar vendin përmes pesë sektorëve kryesorë: zhvillimit ekonomik, arsimit, çështjeve shëndetësore dhe sociale dhe sundimit të ligjit.

Në fjalën e tij hyrëse, Albin Kurti deklaroi se plani i qeverisë së tij është të zvogëlojë numrin e ministrive në qeveri.

 “Imagjinojeni këtë situatë, nëse i shtoj vetëm edhe dy njerëz të tjerë [duke drejtuar gishtin drejt ekipit prej dhjetë vetësh, kjo është në fakt qeveria ime, dhe qeveria ime do të ketë vetëm 12 ministri.”

Qeveria në largim përbëhet prej 21 ministrave me më shumë se 80 zëvendësministra. 

Moderatorja e debatit, Jeta Xharra, i prezantoi 24 ekspertë nga fusha të ndryshme, pjesëmarrës në këtë debat të cilët e sfiduan Kurtin dhe ekipin e tij në lidhje me planin e tij në rast se ata do të arrijnë ta formojnë qeverinë.

 

Të përshpejtohet zhvillimi ekonomik i Kosovës

Albin Kurti tha se nga 17 ndërmarrje publike, vetëm tri prej tyre janë profitabile ndërkohë që dhe pjesa tjetër e ndërmarrjeve po i shkaktojnë humbje buxhetit të shtetit, duke përmendur korrupsionin si një nga arsyet kryesore. 

“Luftimi i nepotizmit dhe ndalja e privatizimit të mëtejshëm është pjesë e planit”, tha udhëheqësi i Vetëvendosjes, i cili po ashtu premtoi se do të mbyllë Agjencinë Kosovare të Privatizimit, APK.

Kurti njëkohësisht premtoi krijimin e një Banke Zhvillimore për të ndihmuar bizneset vendase, duke vënë theksin e tij tek kritikat ndaj normave të larta të interesit të ofruara nga bankat ekzistuese komerciale, të cilat, momentalisht, variojnë midis gjashtë dhe tetë përqind. 

“Me Bankën Zhvillimore synojmë të kemi norma të interesit në më pak se tre për qind,” tha ai, duke shtuar se bizneset e vogla dhe të mesme do të përfitonin më shumë nga një bankë e tillë.

Kurti tha se ai synon të ringjallë besimin e publikut në shtet duke përmirësuar sundimin e ligjit në Kosovë dhe se qeveria e tij nuk do të dëmtohej nga skandalet që karakterizuan qeveritë e mëparshme.

Për ta arritur këtë, deklaroi Kurti, qeveria e tij do të krijojë një Gjykatë Komerciale që do të merrej kryesisht me çështje që lidhen me ekonominë. Krijimi i kësaj gjykate do të reduktonte më shumë se 200,000 lëndë të grumbulluara administrative, civile dhe ekonomike e të cilat  sistemi gjyqësor po përpiqet t’i procesojë. Ky grumbull lëndësh ka bërë që më shumë se katër miliardë euro të bllokohen dhe të bëhen subjekt i betejave ligjore të cilat nuk mund të arrihen nga qytetarët në Kosovë, andaj një proces gjyqësor më efikas mund ti zhbllokojë ato para dhe të kontribuojë në zhvillimin ekonomik të Kosovës.

I pyetur nga njëri prej panelistëve se cila do të jetë mënyra e qeverisë së Kurtit në mbledhjen e taksave, e cila prej kohësh ka qenë një lloj beteje për qeveritë e mëhershme, Kurti tha se në momentin kur kabineti i tij do të marrë detyrën, skandalet politike do të ndalen menjëherë dhe se ky fakt do të rrisë besimin e taksapaguesve në shtet, gjë që do të inkurajonte qytetarët të paguajnë kontributet e tyre.

Eksperti ekonomik i Lëvizjes Vetëvendosjes, Hekuran Murati, kritikoi politikat aktuale qeveritare ndaj evazionit të taksave të cilat ai i konsideron “klienteliste”, me disa biznese që kanë trajtim preferencial dhe shmangin lehtësisht taksat pa ndonjë lloj dënimi, duke e dëmtuar konkurrencën e drejtë të tregut dhe në fund të fundit duke dekurajuar bizneset e tjera për investim.

Prioritetet në shëndetësi dhe mjedis

Arben Vitia, një nga kandidatët e ekipit të Kurtit që garon për një ulëse në Kuvendin e Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e tetorit, i cili më parë ishte drejtor i drejtorisë së Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, tha se rritja e transparencës është qenësore për të përmirësuar sistemin e “dobët” të kujdesit shëndetësor.

Vitia deklaroi se krijimi i një sistemi të qëndrueshëm të sigurimeve shëndetësore do të jetë prioriteti kryesor i qeverisë së Vetëvendosjes. Sidoqoftë, Vitia sqaroi se një sistem i duhur i sigurimit shëndetësor nuk do të ishte funksional deri në vitin 2023, pasi do të kërkonte angazhim afatgjatë për transformimin e sektorit shëndetësor publik të Kosovës. Për më tepër, sipas tij, funksionalizimi i një baze të dhënash për regjistrimet elektronike mjekësore do të jetë një prioritet tjetër.

Vitia premtoi një rritje prej 10 përqind të pagave të punonjësve të sektorit shëndetësor gjatë mandatit të tyre të parë, dhe një rritje prej 40 milionë eurosh të buxhetit në sektorin e shëndetësisë gjatë katër viteve të ardhshme. Arben Vitija vazhdoi tutje duke premtuar se të gjitha ilaçet bazë do të jenë në dispozicion për pacientët kosovarë brenda vitit të parë të qeverisë Kurti. Megjithatë, pa një menaxhim të rreptë dhe transparent, deklaroi ai, do të ishte i kotë investimi i  miliona eurove në sistemin shëndetësor.

Kur u pyet për qëndrimin e tij në lidhje me mjedisin, udhëheqësi i Vetëvendosjes premtoi se do të angazhojë 40 milion euro për të zhvilluar një sektor efikas të energjisë në Kosovë.

Sidoqoftë, planet e Vetëvendosjes nuk përfshijnë zhvendosjen e termocentraleve me qymyr që cilësohen diskutabile dhe të dëmshme për mjedisin e Kosovës. Kurti premtoi se do të investojë në rivitalizimin e termocentraleve të vjetra dhe në uljen e nivelit të ndotjes, duke sqaruar se nuk sheh ndonjë alternative tjetër. “Unë besoj se kjo është një zgjidhje e imponuar, nuk është zgjidhja jonë. Nuk ka asnjë mënyrë tjetër për të zëvendësuar deficitin e energjisë përmes furnizimit me energji efikase dhe kjo është ajo që thonë ekspertët tanë.”

Ndërkohë që planifikon të mirëmbajë termocentralet ekzistuese kosovare, Vetëvendosje premtoi të tërhiqej nga kontrata e lidhur me ContourGlobal nga qeveria në largim për të ndërtuar një termocentral të ri me qymyr, Kosova e Re.

Edhe pse Kurti nuk deklaroi në mënyrë të qartë sa do të jetë përqindja përmes së cilës partia e tij planifikon të ulë çmimin e energjisë elektrike, ky premtim është ndër 20 prioritetet që Vetëvendosje e bëri publik në fillim të fushatës elektorale.

Ish deputeti Liburn Aliu, premtoi se dëmtimi i pyjeve dhe lumenjve të Kosovës do të marrë fund, dhe se kjo çështje është një ndër prioritetet e Lëvizjes Vetëvendosje. Sipas tij, ndërtimi i paligjshëm në parqet kombëtare do të jetë “absolutisht jashtë diskutimit” nën qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje.

Komunitetet

Debati vazhdoi me pyetje nga përfaqësuesit e komunitetit boshnjak, ashkali dhe serb të Kosovës, veçanërisht nëse nevojat e këtyre komuniteteve do të përfaqësoheshin siç duhet nga qeveria e Kurtit.

Kurti tha se është e rëndësishme të pranohet fakti i diskriminimit të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë. Kurti këmbënguli që si shoqëri, ne duhet të synojmë barazinë dhe se diskriminimi do të marrë fund me qeverisjen e tij. Për ta arritur këtë, ai planifikon të përmirësojë arsimin dhe të luftojë varfërinë, të cilat janë probleme veçanërisht për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, tha ai.

Çdo ditë, qeveria në largim ka harxhuar rreth 34,000 euro për udhëtime jashtë vendit, ndërkohë që 102,000 njerëz mbështeten në mirëqenien sociale për mbijetesë, tha Kurti, dhe se shumë qytetarë nga këto tri komunitete jetojnë me vetëm me 80 cent në ditë. “Ne do t’i japim fund kësaj gjendjeje”, tha ai.

Për Kurtin do të ishte “e papranueshme” që në kabinetin e tij qeveritar të kishte vetëm përfaqësues të komunitetit serb dhe jo ata të komuniteteve të tjera. “Ne duam të kemi anëtarë të komunitetit Ashkali në çdo ministri, pasi komuniteti Ashkali nuk duhet të jetë i kënaqur me vetëm disa poste qeveritare. Ata kanë nevojë për zyrtarët e tyre në çdo departament,” deklaroi Kurti. “Për ne, barazia është fjala kyçe.”

Pas këtij deklarimi, Kurti u pyet nga një përfaqësues i komunitetit serb nëse tarifat e vendosura për mallrat që vijnë nga Serbia do të hiqen dhe nëse ka subjekte politike nga komuniteti serb me të cilin Vetëvendosje do të ishte i lumtur të krijonte një koalicion me të.

Kurti, i cili shpesh është akuzuar se ka shtyrë një agjendë nacionaliste brenda politikave të tij, deklaroi se qëllimi i Vetëvendosjes është të paraqesë një reciprocitet të plotë social dhe ekonomik midis Serbisë dhe Kosovës, dhe se Vetëvendosje do të preferonte të punonte me serbët që nuk dirigjohen nga Beogradi, me ata që planifikojnë të mbrojnë interesat e serbëve që jetojnë në Kosovë. Kurti më pas e përsëriti përgjigjen e tij në gjuhën serbe, e cila u mirëprit me duartrokitje nga publiku që po ndiqte debatin.

 

Proceset e vetingut për gjyqësorin dhe investimet në sektorin e sigurisë

Kurti premtoi që gjyqësori do të ketë mbështetjen e tij të plotë, dhe në veçanti do motivohet edhe më shumë që të jetë më aktiv në luftimin e krimit ekonomik. Për të, rritja e kapaciteteve në prokurori do të përmirësojë efikasitetin dhe transparencën.

Albulena Haxhiu, ish-deputete në Kuvendin e Kosovës, tha se një nga prioritetet kryesore për Vetëvendosjen është përmirësimi i procesit të vetingut në gjyqësor, prokurori dhe pozitat e larta të Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, AKI. Përmes këtij procesi, Vetëvendosje do të sigurojë një standard më të lartë të integritetit në sistemin e drejtësisë, shtoi Haxhiu.

Kur u pyet nga Jeta Xharra për praktikat e këtij procesi, si do të arrinin mbështetjen për të dhe si do ti mblidhnin fondet e nevojshme për një reformë kaq të gjerë, Haxhiu tha se qeveria e Vetëvendosjes do të ofrojë “mbështetjen e saj të pakufizuar” për të siguruar që gjyqësori të mbetet i pavarur dhe efikas gjatë gjithë rrjedhës së punës së tij.

Haxhiu shtoi gjithashtu se plani nuk nënkupton thjeshtë rritjen e pagave për personat që punojnë në sistemin e drejtësisë, por edhe rritja e numrit të stafit që punojnë në sistemin ligjor. “Nevojiten asistentë dhe ekspertë financiarë,” tha Haxhiu.

Në lidhje me sigurinë, Kurti premtoi të rrisë shpenzimet për Forcën e Sigurisë së Kosovës, FSK-në, në 400 milion euro, që është pothuajse dyfishi i buxhetit aktual.

Kurti gjithashtu tha se ai planifikon të propozojë shërbimin e detyrueshëm ushtarak ose civil në FSK për gjashtë muaj vetëm për burra. Gratë, nga ana tjetër, mund të zgjedhin nëse dëshirojnë të kontribuojnë apo jo. “Ka njerëz paqësorë që nuk u pëlqen ose mund të urrejnë armët, kështu që, ata mund të kryejnë shërbimin civil,” tha Kurti.

 

Edukimi, kultura dhe rinia

Arsimi ishte çështja e fundit që u diskutua gjatë debatit, megjithëse Vetëvendosje e ka vendosur arsimin si prioritetin e saj kryesor. Për partinë e Kurtit, përmirësimi i infrastrukturës fizike të shkollave është i rëndësishëm, por qëllimi i tyre kryesor është të punojnë në cilësinë e arsimit që i ofrohet fëmijëve në të gjitha fazat. Vetëvendosje premtoi se të gjithë fëmijët do të kenë qasje në çerdhe publike falas në Kosovë.

Ish deputetja, Arberie Nagavci, deklaroi se nën qeverisjen e Vetëvendosjes, plani është që të largojë të gjithë materialin arsimor me gabime ose gjuhë diskriminuese. Kushtet e mësuesve do të përmirësohen, dhe Vetëvendosje u zotua të sigurojë se shkollat ​​nuk do të kenë mungesë tekstesh shkollore dhe se stafi mësimor do ti kryejë trajnimet e duhura. 

Nagavci tha gjithashtu se Vetëvendosje planifikon t’i shpërblejë me bursa 100 gra të talentuara për t’u bërë mësuese, si pjesë e një stimulimi për të forcuar pozitën e grave të Kosovës në arsim.

Vetëvendosje synon gjithashtu të ofrojë arsim të lartë falas për të gjithë studentët me sukses të shkëlqyeshëm gjatë shkollës së mesme. Një masë tjetër që do të merret është krijimi i një fondi për hulumtime, duke i dhënë përkrahje studiueseve që shpresojnë të kontribuojnë në përparimin e zhvillimit shkencor dhe akademik, megjithëse nuk u përmend asnjë shumë konkrete parash në lidhje me këtë politika.

Një tjetër kandidat për ulëse në Kuvendin e Kosovës, Hajrullah Çeku, foli për prioritetet e qeverisë së Kurtit në sferën e kulturës. Sipas Çekut, prioriteti i tyre kryesor është zhvillimi i teatrove lokale në Kosovë, ndërtimi i një shtëpie të operës dhe prezantimi i përkrahjes së mëtutjeshme për Teatrin Kombëtar të Kosovës në Prishtinë.

Një strategji më e mirë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore është plani ynë, tha Çeku, i cili ishte zëvendës ministër i turizmit në qeverinë e Shqipërisë, për tu larguar këtë vit për shkak të kandidimit për një ulëse në Kuvendin e Kosovës. “Trashëgimia kulturore, përveç anës së saj shpirtërore, duhet të përdoret si për zhvillim ashtu edhe për diplomaci. Së bashku me bollëkun tonë në amvisëri, fshatrat tanë dhe trashëgiminë tjetër kulturore, ne kemi nevojë për t’i vënë të gjitha këto në shërbim të turizmit dhe për ta kthyer turizmin në diçka që do të gjenerojë me punësim dhe zhvillim. “

Në fjalën e saj përmbyllëse, kandidatja për deputete nga Lëvizja Vetëvendosje, Yllza Hoti, foli për planet politike që kanë të bëjnë me rininë e Kosovës. Është premtuar hapja e një parku teknologjik, një Fakulteti të TI-së dhe hapësirave për nisjen e një biznesi të ri. Rreth 2,000 grante në vlerë prej rreth 20 milion eurosh do t’i ofroheshin të rinjve të Kosovës për ti dhënë një shtytje këtyre nismave, tha Hoti.