Këshilli i Evropës, Strasburg/ Foto: Denis Sllovinja, KALLXO.com

Pritjet që Kosova të futet pa fusnotë në Këshillin e Europës

Katër vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosova pranoi t’ia bashkëngjis emrit të saj një fusnotë me pretendimin se kështu nuk do të pengohej në anëtarësimet dhe përfaqësimet në nismat rajonale. Këtë e bëri me anë të një marrëveshjeje të arritur në Bruksel në kuadër të dialogut teknik me Serbinë. Shpresat e autoriteteve kosovare ishin që “asterisku” në qoshe të emrit të shtetit do të hiqej shpejtë.

“Ajo fusnotë është si fjollë bore dhe do të shkrihet me kalimin e dimrit”, pati thënë me plotë bindje ish- shefja e delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, në vitin 2012.

Por, qe 12 vjet nga ajo kohë “fjolla e borës” u “rezistoi” të gjitha stinëve.

Fusnota ende figuron mbi dokumentet e BE-së për Kosovën duke u përcjell gjithmonë me sqarimin: “Ky emërtim nuk paragjykon qëndrimet mbi statusin dhe është në përputhje me Rezolutën 1244/1999 të Kombeve të Bashkuara dhe Opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtave të Njeriut për shpalljen e pavarësisë së Kosovës”.

Së voni, fusnota u rikthye në diskursin publik pas miratimin të opinionit të raportueses për Kosovë në Këshillin e Europës, Dora Bakoyannis – raport në të cilin kërkohet që të largohet fusnota nga denominimi i Kosovës dhe rekomandohet që Kosova të ftohet si shtet (state) në Këshillin e Europës, sipas nenit 4 të Statutit të KiE, dhe jo si vend, sipas nenit 5.

Pritjet për heqjen e fusnotës

Pas zhvillimeve të fundit, Kushtrim Istrefi, ligjërues për të drejtat e njeriut në Universitetin e Utrehtit në Holandë, dhe këshilltar në Ministrinë e Punëve të Jashtme, thotë se nëse raporti i raportueses së Këshillit të Europës për Kosovë, Dora Bakoyannis pranohet si i tillë dhe Kosova anëtarësohet në Këshillin e Europës pa fusnotë, atëherë Kosova hynë në këtë mekanizëm ndërkombëtar, si shtet e jo si vend.

“Me këtë përfundon përdorimi i fusnotës për KiE” – thotë Istrefi për KALLXO.com.

Por ai sqaron se nëse kjo ndodhë atëherë duhet të kihet parasysh se organizatat tjera ndërkombëtare nuk ndikohen, por vetëm Këshilli i Europës.

Në disa aspekte mendim të njëjtë ndan edhe Alejandro Esteso Perez, analist i politikave të Ballkanit Perëndimor. Ai thotë se përdorimi i fusnotës qartazi nuk e portretizon Kosovën në baza të barabarta në nivel të BE-së, dhe kjo do të vazhdojë për aq kohë sa 5 shtetet jonjohëse të BE-së të vazhdojnë të qëndrojnë në pozicionet e tyre. Shumëçka, sipas tij, varet nga dialogu i Kosovës me Serbinë.

Megjithatë, Perez beson që është zhgënjyese që “marrëveshja me yll” e vitit 2012 është marrëveshja më e fundit (dhe ndoshta më e mira) që është arritur për këtë çështje, pasi tregon se sa pak progres ka arritur Kosova në forcimin e shtetësisë së saj në përgjithësi.

“Përpjekjet diplomatike të Serbisë për të penguar këtë përparim sigurisht që janë të rëndësishme për t’u mbajtur parasysh, por ato nuk mbajnë të gjithë përgjegjësinë”- thotë Perez për Kallxo.com.

Në këtë kuptim, ai beson se anëtarësimi i mundshëm i Kosovës në Këshillin e Europës duhet të ndihmojë qeverinë të vendosë drejt prioritetet e saj dhe të bazojë agjendën e saj të ardhshme në udhërrëfyesin e përcaktuar nga organizata.

Megjithatë, një fund i paqartësisë në lidhje me subjektivitetin dhe shtetësinë ndërkombëtare nuk ka gjasa të arrihet në afat të shkurtër, thotë Perez duke e quajtur këtë “mallkim të Kosovës”.

Por, sipas tij, kjo nuk duhet ta pengojë Kosovën të ndjekë integrimin serioz në organet evropiane dhe ndërkombëtare”

“Kosova po performon mirë në indekset e demokracisë dhe sundimit të ligjit, sigurisht më mirë se Serbia – këto janë historitë e suksesit që duhet t’u shiten partnerëve ndërkombëtarë dhe kjo është sigurisht ajo që do të sjellë njohje demokratike”- shprehet Perez.

Heqja e fusnotës do të ishte “përparim i madh për Kosovën”

Për analistin politik, Seb Bytyçi, njëherësh dekanin e asociuar në Fakultetin e Shkencave Humane dhe Sociale në Universitetin e Winchesterit në Angli, heqja e fusnotës është padyshim një përparim i madh për Kosovën.

“Përdorimi i saj në kontekste tjera shpërfaq njëanshmëri anti-Kosovë”- thekson ai për Kallxo.com.

Fusnota, sipas tij, nuk do të duhej të përdorej kurrë sepse ajo vlen vetëm për disa mbledhje të caktuara të shteteve të Ballkanit perëndimor si pjesë e procesit të integrimit në BE.

Dorajet Imeri, profesor i Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës tha që BE-ja do te bënte mirë që t’i ftonte me ngulm secilin nga pesë shtetet e saj që nuk e njohin Kosovën ta bëjnë ketë, sepse do të ishte në interesin e saj që stabiliteti politik të rritej në Ballkanin Perëndimor.

Heqja e fusnotës, siç thotë ai, do të ishte arritje e madhe në këtë aspekt, pasi në këtë mënyrë Kosova pranohet në këtë organizatë si shtet i pavarur dhe sovran, me tipare të qarta dalluese dhe me të drejta dhe përgjegjësi të plota politike.

“Në anën tjetër, kjo duhet te jetë mësim se forcimi i subjektivitetit ndërkombëtar i Kosovës vjen nga pranimi në organizata ndërkombëtare”- deklaron ai për KALLXO.com.

Miratimi i opinionit të Bakoyanis në të cilin përfshihen edhe këto dy kërkesa i hapë rrugë votimit në sesionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i cili do të mbahet në Strasburg më 18.04.2024.

Pas votimit të suksesshëm më 18 prill, opinioni do t’i dërgohet Komitetit të Ministrave të cilët duhet të votojnë për anëtarësimin e Kosovës në ministerialin e radhës që planifikohet të mbahet në maj të këtij viti.

Dokumenti i parë i BE-së me fusnotë është paraqitur 28.02.2012, nga takimi i Këshillit të Bashkimit Evropian.

Me fusnotë Kosova prezantohet në nisma rajonale që nga 24 shkurti 2012 si rezultat i një marrëveshjeje në dialogun Prishtinë-Beograd. Me këtë fusnotë ishte pajtuar atëkohë edhe ish-kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ndërkaq ishte refuzuar nga opozita nën arsyetimet se e dëmton shtetësinë dhe subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.

Fusnota i është vënë emrit të Kosovës për të mundësuar përfaqësimin e saj në konferenca e nisma rajonale, por edhe në ato të nivelit më të gjerë ndërkombëtar.