Ilustrim

Shkrimtarët për festën e librit: Shumë pak autorë po shkruajnë për fëmijë

Pavarësisht traditës së pasur mbi 70 vjeçare, letërsia shqipe për fëmijë hyri në shekullin e ri me shumë probleme.

Numri i pakët i shkrimtarëve të rinj e i botimeve të reja e cilësore të krijuesve tanë, po e përcjellin letërsinë shqipe për fëmijë në dekadat e fundit.

Kështu thanë shkrimtarë e studiues në ‘Ditën Ndërkombëtare të Librit për Fëmijë’. 2 prilli në mbarë botën shënohet si dita e librit.

Krijuesit kosovarë thonë për KALLXO.com se dikur Kosovës kishte shkrimtarë të talentuar të cilët krijuan vepra letrare të cilat edhe sot janë të pakaluara.

Shkrimtari Reshat Sahitaj, kryetar i Unionit të Shkrimtarëve dhe Kritikëve shqiptarë, tha për KALLXO.com se letërsia për fëmijë ka krijuar një traditë me krijues që nga vitet e ’50-ta e më pas, e që, sipas tij, ishte periudha e artë e kësaj letërsie, që përfaqësohej me krijues si: Rexhep Hoxha, Mark Krasniqi, Ymer Elshani, Rifat Kukaj, Agim Deva e Gani Xhafolli.

Ai ka thënë se nxënësit e shkollave janë rritur dhe edukuar më poezitë e këtyre shkrimtarëve, të cilët sipas tij ende janë të pakaluar nga shkrimtarët e sotëm.

“Aktualisht, Dita e Librit për fëmijë, na gjen më të pasur edhe më autorë të periudhës njëzetvjeçare, por, krenaria mbetet të autoret e lartpërmendur. Fëmijët e sotëm ende nuk e kanë një Rifat Kukaj ose një Gani Xhafolli”- tha ai.

Pak autor për fëmijë

Dituri Neziraj, autore e librave për fëmijë, tha për KALLXO.com se letërsia për fëmijë, gjithmonë ka nevojë për zhvillim dhe risi.

“Nëse flasim për në vendin tonë, kemi shumë pak autorë që shkruajnë libra për fëmijë. Mungesa e librave qoftë me: përralla, tregime, poezi, drama apo romane, kanë ndikuar negativisht në zhvillimin edukativ dhe kulturor te fëmijët tanë” – thotë krijuesja Neziraj.

Sipas saj, dashuria për librin fillon qysh në fëmijërinë e hershme, që nga librat me vizatime, e deri te romanet dhe dramat.

“Libri është mjeti edukues më i lehtë dhe më i rëndësishëm. Duhet të merret më seriozisht edhe nga autorët, që të kthejnë kokën edhe nga letërsia për fëmijë, sepse kot i servon një libër për të rritur, një lexuesi që nuk e ka lexuar qoftë edhe një përrallë si fëmijë. Mundësitë për botime nuk mungojnë, kemi buxhete të veçanta për botim, nga institucionet publike, por pak autorë”- ka shtuar ajo.

Shkrimtarja Neziraj thotë se libra gjithmonë janë tërheqës për fëmijë, sigurisht ka shtuar ajo, nëse të janë të përshtatshëm për ta, të ilustruar si duhet, me histori magjike, me aventura dhe imagjinatë, e që ndihmojnë në zhvillimin e imagjinatës dhe kreativitetit.

Kurse, kritiku Ilir Muharremi, është shprehur për KALLXO.com se letërsia për fëmijë; dramat për fëmijë, literaturë për fëmijë, shfaqje të reja me kukulla për fëmijë, aktivitete për fëmijë, krijohen pak nga autorët tanë.

“Unë që tre muaj e botova librin për teatrin e kukullave, por nuk mjafton vetëm një botim libri me ilustrime për teatrin e kukullave, duhet edhe sfera e dramaturgjisë të plotësohet, të përshtatet për psikologjinë e fëmijëve, të ndërtohen ngjarje dhe skena tërheqëse, interesante për psikologjinë e fëmijëve”- ka thënë ai.

Çdo 2 prill, në mbarë botën me aktivitete të ndryshme shënohet Dita ndërkombëtare e librit për fëmijë dhe të rinj.

Me 2 prill shënohet edhe me ditëlindjen e shkrimtarit të njohur botëror për fëmijë, Hans Kristian Andersen.

Kjo ditë shënohet që nga vitin 1967, me qëllim që të nxisë leximin tek fëmijët dhe të rinjtë.