Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Tri vjet në krye të shtetit, Osmani mes kritikave dhe vlerësimeve për punën e saj

Vjosa Osmani, më 4 prill të vitit 2021 u bë presidente e Kosovës me mandat pesëvjeçar. Përgjatë këtyre tri vjetëve në krye të shtetit, ajo vlerësohet për prezantimin e mirë të Kosovës në arenën ndërkombëtare, por edhe kritikohet për qasjen e saj në politikën e brendshme

Ishte ushtruese e detyrës së presidentes për 137 ditë dhe për më pak se dy javë pas dorëzimit të kësaj pozite, Vjosa Osmani-Sadriu, më 4 prill 2021, mori bekimin e shumicës së deputetëve të Kuvendit të Kosovës për t’u bërë presidente me mandat të plotë kushtetues prej pesë vjetësh.

Për angazhimin e saj përgjatë këtyre tri viteve në krye të shtetit ajo vlerësohet nga njohës të politikës për “prezantim të mirë” të Kosovës, sikundër që edhe kritikohet nga të tjerët që nuk ka arritur të konsolidohet si një figurë e unitetit politik në vend. Masat e Bashkimit Europian ndaj Kosovës dhe mosdekretimi i Kryeprokurorit të Shtetit theksohen si disa nga ngecjet e deritashme të saj si shefe e shtetit.

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Dritëro Arifi e vlerëson punën e presidentes Osmani me notë të studentëve, mesatarisht 7 ose 8. Ai thotë se Kosova ka krijuar një imazh të ri dhe të mirë nën përfaqësimin e saj.

Por, për njohësin tjetër të politikës, Artan Muhaxhiri, trajektorja e mandatit presidencial të Osmanit ka pasur lëvizje domethënëse. Ai thekson se nga Osmani pritej një stil i pragmatizmit balancues në politikëbërje, me idenë e kontribuimit në tejkalimin e hendekut ekzistues mes kryeministrit Albin Kurti dhe bashkësisë ndërkombëtare.

Kurse, analisti tjetër Albinot Maloku thotë se për tri vjet presidentja Osmani nuk arriti të kapërcejë dallimet e saja politike, sidomos me spektrin opozitar, e që do t’i leverdiste para së gjithash asaj si shefe e shtetit.

Funksioni kushtetues në 1,096 ditë

Profesori Dritëro Arifi e konsideron si “dështimin më të madh” të presidentes mos dekretimin e Kryeprokurorit të Shtetit. Sipas tij, Osmani as nuk është orvatur për të gjetur një zgjidhje dhe e ka neglizhuar tërësisht si proces.

“Presidentja në njëfarë mënyre nuk e ka kryer detyrën e saj si duhet me çështjen e Kryeprokurorit, dhe rrjedhimisht Kosova është ende pa kryeprokuror. Ky është një dështim shumë i madh i saj, pasi ajo as nuk është orvatur për të gjetur zgjidhje, gjë që tregon që s’ka pasur vullnet për ta bërë një gjë të tillë”- tha Arifi për KALLXO.com.

Më 06.04.2022, Blerim Isufaj ishte votuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës për Kryeprokuror të Shtetit. Ai ishte nominuar me 11 vota për. Më pas emri i tij kishte shkuar te Zyra e Presidencës për dekretim. Pas më shumë se një viti e gjysmë, presidentja Osmani pati njoftuar se nuk do ta dekretonte atë.

Në një konferencë për media më 17.10.2023, Osmani arsyetoi vendimin duke deklaruar se ka “shkelje masive në këtë proces”.

“Siç jeni në dijeni procesi është konsideruar i parregullt. Shumica e shkeljeve që janë pjesë e vlerësimin të presidencës janë bërë publike nga organizatat joqeveritare dhe ambasadat. Përgjegjësia ime më obligon që ndaj një procesi të tillë që cenon rëndë vlerat fundamentale të mos rri duarkryq”- ishte shprehur presidentja.

Për analistin, Albinot Maloku, e para e shtetit deri më tani nuk mbahet mend për ndonjë veprim si shkelëse e kushtetutshmërisë së vendit. Por, duke iu referuar disa vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për një numër të madh të ligjeve që u shpallën të mos jenë në harmoni me Kushtetutën, Maloku thotë se Osmani nuk ka arritur të jetë mbrojtëse e duhur e Kushtetutës në raport me veprimet kundër-kushtetuese të legjislaturës aktuale.

“Mirëpo duke e qenë e zgjedhur nga një legjislaturë me më së shumti shkelje kushtetuese, ajo [presidentja Osmani] nuk arriti të jetë mbrojtëse e duhur e Kushtetutës në raport me veprimet kundër-kushtetuese të legjislaturës aktuale të Republikës. Kjo sjellje me siguri nuk i jep kredite në rrafshin e ruajtjes së Kushtetutës”- thotë Maloku për KALLXO.com.

Një prej çështjeve të ndjeshme me të cilën vazhdon të përballet vendi është aplikimi i masave kufizuese nga ana e Bashkimit Europian. Këto masa u vunë gjatë vitit 2023, pas tensioneve në veri të cilat shpërthyen pas zgjedhjeve të kryetarëve shqiptarë të katër komunave me shumicë serbe në veri.

Ndonëse zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano, nuk i kishte quajtur sanksione, ai kishte konfirmuar më 14.06.2023 se shtetet anëtare të BE-së janë dakorduar që të vendosin “masa kufizuese” me efekt të menjëhershëm ndaj Kosovës. Edhe sot kur kanë kaluar afro 10 muaj nga ajo ditë, masat e BE-së nuk janë larguar ende.

E çështjen e masave kufizuese, profesori Arifi e konsideron si një ndër ngecjet më të mëdha.

“Edhe pse ka pasur një imazh të mirë në përfaqësimin jashtë vendit nga ana e presidentes Osmani, në të njëjtën kohë, Kosova është sanksionuar nga Bashkimi Evropian. Dhe këtu është një kontradiktë”, thotë Arifi.

Për masat e BE-së, analisti Maloku e “drejton gishtin” kah kryeministri Albin Kurti. Por, sipas tij, Osmani nuk arriti të dal në asnjë moment si alternativë reale e politikave karshi BE-së.

“Nga vizitat e ndryshme dhe të bollshme të saja si presidente e Kosovës, ajo në fakt nuk është se i solli leverdi të prekshme shtetit dhe qytetarëve të saj”- thekson Maloku.

Marrëdhëniet me SHBA-të

Vlerësime pozitive presidentja Osmani megjithatë ka marrë nga zyrtarë të lartë amerikanë.

“Presidentja Osmani, ju jeni garantuesja kryesore e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet SHBA-së dhe Republikës së Kosovës”- kështu deklaroi Zëvendës ndihmës sekretari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar në një konferencë të përbashkët për media me Osmanin, më 13.03.2024, në kohën kur Kosova po përballet me kritika dhe paralajmërime serioze për prishje të mundshme të raporteve me SHBA-të, shkaku i refuzimit të kërkesës për moszbatim të Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës.

Duke theksuar se ekziston një problem komunikimi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Escobar pati përmendur edhe faktin se tash është viti i dytë që s’ka pasur takime të nivelit të lartë mes dikujt nga Qeveria e Kosovës dhe administratës amerikane.

Sociologu Artan Muhaxhiri thekson se veçanërisht në vitin e fundit evidentohen ndryshime graduale vepruese që e synojnë simbolikën e distancimit identitar të presidentes Osmani ndaj kryeministrit Kurti.

Sipas tij, kjo është e vërejtshme në raportet e tyre me përfaqësuesit e SHBA-ve.

“Derisa Kryeministri Kurti është në një konflikt të hapur politik, që shpesh projektohet edhe me anashkalimin e tij prej zyrtarëve të lartë amerikanë, presidenten Osmani e cilësojnë si aleate të SHBA-ve në Kosovë. Kualiteti i raporteve mes Presidentes Osmani dhe Kryeministrit Kurti do të ketë ndikim të madh në dinamikat e spektrit politik kosovar”- thekson Muhaxhiri në një përgjigje për KALLXO.com.

Për profesorin Arifi, Osmani një herë ka mbajtur qëndrime të rrepta së bashku me Qeverinë e Kosovës dhe më pas është vërejtur një ndryshim i lehtë në qasje për çështjet e politikës së jashtme, përfshirë këtu edhe raportet me miqtë amerikan.

“Presidentja sidomos kohëve të fundit, pas sanksionimit të Kosovës, është vetëdijesuar apo e ka parë rrezikun se kah po shkon Republika në politikën e jashtme dhe është orvatur që ta krijojë një mekanizëm ndërmjetësues … Këtu mund të themi se ka një vijë pozitive në këtë pikë”- shprehet Arifi.

Edhe Maloku konsideron se ka një vullnet të paparë sidomos nga amerikanët që ta nxjerrin presidenten Osmani si alternativ të korpusit aktual politik të Kosovës. Mirëpo siç thotë ai, presidentja ende nuk po arrin ta kap momentin e të dëshmohet si e tillë.

Roli unifikues

Presidenti/ja është kreu i shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit të Republikë së Kosovës. Kështu thuhet në nenin 83 të Kushtetutës së Kosovës, Statusi i Presidentit.

Sipas analistit Maloku, në politikën e brendshme shefi i shtetit përgjegjësi themelore e ka kujdesin për gjithë qytetarët e saj- pa asnjë dallim. Mirëpo, ai konsideron se tek pas tre viteve, presidentja ka filluar të vizitojë komunat e të njihet me hallet dhe nevojat e qytetarëve.

“Me gjithë rrëmujën e këtyre viteve, sidomos në katër komunat veriore të Kosovës, ku është i përqendruar komuniteti serb, asnjëherë nuk i vizitojë ata, sidomos qytetarët. Ka mundur të jetë nismëtarja e dialogut me këtë komunitet, por nuk e bëri këtë”- argumenton ai.

Gjatë mandatit të saj, presidentja iu është adresuar dy herë deputetëve të Kuvendit të Kosovës me fjalim vjetor, por adresimet e saj në vazhdimësi janë bojkotuar nga një pjesë e opozitës, respektivisht nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Në lidhje me këtë, profesori Arifi thotë se Osmani rolin unifikues nuk ka arritur ta krijojë tek partitë, sidomos tek opozita. “Në këtë pikë, presidentja duhet të angazhohet shumë që të paktën në fund të mandatit të saj të dal- të themi fituese, por se kjo varet edhe nga orvatja dhe sinqeriteti i saj”- nënvizon Arifi.

Kurse Maloku konsideron se Osmani nuk arriti asnjë herë të dal mbi veten e të dëshmojë vullnet gjithëpërfshirës në raport me subjektet politike në Kuvend.

“Në asnjë fjalim të saj vjetor në Kuvend nuk i qëndruan gjithë deputetët. Vjosa Osmani-Sadriu është presidente dhe ajo duhet të fitojë respektin ndaj të tjerëve”- përfundoi ai.

Ditën kur i mbushi tri vjet si presidente, Osmani përmes një video në Facebook, përmblodhi punën e saj duke përfshirë ndër tjera edhe momente nga fjalimi në Parlamentin Europian në Strasburg.

“Liri, Pavarësi, Demokraci”-ishin fjalët e saj hyrëse në gjuhën shqipe në PE teksa ka vijuar më pas duke thënë se “Republika e Kosovës qëndron si testament i qëndrueshmërisë, vendosmërisë dhe shpirtit të palëkundur të qytetarëve të saj, të luftës sonë çlirimtare, si dhe mbështetjes së aleatëve dhe partnerëve, siç është ky institucion i rëndësishëm”.

Në video material ajo ka veçuar edhe deklaratën e emisarit special të SHBA-së, Gabriel Escobar, ku ai e quan atë si “garantuesja kryesore e marrëdhënieve dhe trashëgimisë së marrëdhënieve dypalëshe në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës”.

Këtë deklaratë të tij, ajo e ka shoqëruar me pamjet nga fotografia e përbashkët që kishte me presidentin amerikan Joe Biden dhe nga takimet me sekretarin amerikan, Antony Blinken.

Vjosa Osmani ka qenë pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, deri kur u shkarkua nga pozitat udhëheqëse në këtë parti në qershor të vitit 2020.

Përmes një letre, ajo iu kishte drejtuar partisë së saj duke kërkuar evidencën e votave të të gjithë anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së.

“Duke qenë subjekt i procesit të votimit në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së, përmes kësaj shkrese, kërkoj të ma dërgoni gjithë dokumentacionin e lëndës së shkarkimit tim, përfshirë rezultatet e votimit dhe evidencën e votimit të të gjithë anëtarëve të KP të LDK-së”- thuhej në letrën e Osmani drejtuar kryesisë së LDK-së.

Osmani kishte qenë një nga 3 deputetët e LDK-së që nuk e kishte votuar qeverinë me kryeministër Avdullah Hotin më 03.06.2020.

Në zgjedhjet e mbajtura më 14.02.2021, duke qenë në listën e Lëvizjes Vetëvendosje si partnere e koalicionit nga Lista “Guxo”, Vjosa Osmani është votuar nga 300 mijë e 756 qytetarë të Kosovës.