Seanca gjyqësore ndaj Arlind Manxhukes dhe Egzon Azemit të LVV | Foto: Kallxo.com

Gjykimi ndaj Arlind Manxhukës e Egzon Azemit shtyhet sepse u paraqitën pa avokat

Më 28 dhjetori të vitit 2022, Gjykata e Prishtinës kishte aprovuar propozimin e Prokurorisë Speciale që të dyshuarit për sulm në zyrat e KQZ-së në veri të vendit, i ndryshoi masën e sigurisë. Masa ndaj Dejan Pantiqit u ndryshua nga ajo e paraburgimit në masën e arrestit shtëpiak.

Veprime këto të sistemit të drejtësisë që ngjallën reagime të shumta tek opinioni i gjerë, e në veçanti tek katër persona të cilët sipas aktakuzës ndërmorën veprime konkrete duke kanosur e duke nxitur përçarje.

Për këtë, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj Arlind Manxhukës – zëdhënës i Lëvizjes Vetëvendosje, Egzon Azemi – asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Qerim Elshani dhe Edi Zenelaj.

Katër të akuzuarit janë paraqitur në gjykatën e Prishtinës por seanca është shtyrë një orë pasi tre nga të akuzuarit Egzon Azemi, Arlind Manxhuka dhe Edi Zenelaj nuk kanë angazhuar mbrojtës, e gjykata pritet të njoftoj odën e avokatëve me qëllim që të ua siguruoj nga një mbrojtës secilit nga te akuzuarit.

Gjykimi që do të mbahet në departamentin special me Gjyqtar Arben Hotin, në këtë fazë palët do të deklarohen lidhur me akuzat e prokurorisë.

Sipas aktakuzës së siguruar nga KALLXO.com, Arlind Manxhuka dhe Egzon Azemi nga LVV akuzohen se kanë kryer veprën penale të nxitjes së përçarjes dhe mosdurimit.

Dosja e prokurorisë tregon se dy të akuzuarit secili veç e veç, kanë nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje dhe mosdurim përmes rrjetit të tyre social të Facebookut ndaj gjyqtarit Mentor Bajraktari dhe prokurorit Afrim Shefkiu, më 28 dhjetor të vitit 2022.

Mentor Bajraktari si gjyqtar i procedurës parapake dhe prokurori Afrim Shefkiu, kishin ndërmarrë veprim për ndryshim të masës së paraburgimit, në rastin ku i dyshuari për sulm terrorist në zyret e KQZ-së në veri të vendit është Dejan Pantiq.

Lidhur me këtë veprim të gjyqtarit dhe prokurorit kishin reaguar publikisht dy të akuzuarit, Arlind Manxhuka dhe Egzon Azemi. I akuzuari Arlind Manxhuka kishte shpërndarë postime në rrjetin e tij social Facebook me mbishkrimin “Ky aktlirim është akttradhëti” duke vazhduar me postime të tjera nxitëse “Për kë punon kjo Gjykatë!?”

Kurse i akuzuari tjetër, Egzon Azemi kishte bërë pastime me mbishkrime “Pas atentatit që kreu në Paris, ndaj Esat Pashë Toptanit, ndër të tjera Avniu tha “e këtij shkrimi i’a kishte bashkëngjiur fotografitë me përshkrimin “ Tradhëtarët plumbin e kanë hak”.

Kurse të pandehurit e tjerë Qerim Elshani dhe Edi Zenelaj akuzohen për veprën penale të kanosjes, secili veç e veç.

Kurse në postimet e lartëcekura kishin komentuar fillimisht i akuzuari Qerim Elshani, në postimin e Egzon Azemit ishte shprehur “Atij jo plumbin, po bumen n’goj po dashke me ja lshu qe mos mi jet as copza me hy n’dhe ne token tone!” .

Kurse i akuzuari Edi Zenelaj kishte ndërmarrë aksione duke vendosur grafite në muret më mbishkrimin “Shtyll e Turpit Gjyqtari Mentor Bajratari dhe Prokurorit Afrim Shefkiu”.

Aktakuza ndaj zëdhënësit dhe asamblistit të LVV-së, cilat ishin komentet në Facebook ndaj gjyqtarit dhe prokurorit?