Pjesa ku ulej Lista Serbe, Foto: KALLXO.com

Deputetët e Listës Serbe dorëzojnë zyrtarisht dorëheqjet në Kuvendin e Kosovës

Deputetët e Listës Serbe zyrtarisht kanë dorëzuar dorëheqjet e tyre në Kuvendin e Kosovës.

Kështu ka bërë të ditur Kuvendi i Kosovës përmes një komunikate për media.

“Njoftojmë se 10 deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga subjektipolitik parlamentar Lista serbe, kanë dorëzuar dorëheqje të parevokueshme”- thuhet në njoftim.

Deputetët që kanë dorëzuar dorëheqjen janë: Slavko Simic, Adem Hodza, Igor Simic, Miljana Nikolic, Zoran Mojsilovic, Verica Ceranic, Branislav Nikolic, Milos Perovic, Ljubinko Karadzic, Jasmina Dedic dhe Dragana Antonijevic.

Në një mbledhje në Mitrovicë të Veriut, më 5 nëntor 2022, të ftuar nga Lista Serbe, në cilën morën pjesë zyrtarë të lartë shtetëror nga komuniteti serb, u njoftua largimi i tyre nga institucionet, përfshi niveli qendror ekzekutiv, lokal e nga gjyqësori.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq në një takim të përfaqësuesve politikë dhe institucional të serbëve të mbajtur sot në Zveçan, njoftoi për bojkotimin e institucioneve të Kosovës duke treguar edhe vendimet që ishin marrë në këtë mbledhje.

Rakiq ka thënë se këto vendime do të jenë në fuqi derisa Prishtina të fillojë të respektojë marrëveshjet dhe ligjin, derisa të tërheqë vendimin për targat dhe të formojë Asociacionin në përputhje me Marrëveshjen e Parë dhe të gjitha marrëveshjet e tjera të lidhura për këtë çështje në kuadër të Dialogut dhe në bazë të punës së Ekipit Menaxhues për hartimin e Statutit të Bashkësisë së Komunave Serbe.