Deputetët e Listës Serbe rikthehen në Kuvend pas 5 muajsh, e më pas largohen nga salla

Deputetët e Listës Serbe janë kthyer në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, pas rreth pesë muajve mungesë.

Sot ata kanë zunë vendet e tyre në ulëset e Kuvendit për herë të parë pas betimit si deputetë në nëntor të vitit 2022, ndërsa pak minuta më vonë janë larguar nga salla e Kuvendit.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka thënë se sjellja e deputetëve është e papergjegjshme. Konjufca ka kërkuar që atyre t’u hiqen mëditjet pasi siç tha ai, ata qëndruan në sallë më pak se 10 minuta.

“Ajo që bëri Lista Serbe sot me ardhjen pas 5 muajsh e sa ditëve në Kuvendin e Republikës së Kosovës është sjellja më e papërgjegjshme që mund ta shohim këtu në Kuvendin e Republikës, ata qëndruan më pak se 10 minuta dhe dolën menjëherë, andaj kërkoj sot nga administrata që të privohen nga mëditjet e sotme”- tha kryeparlamentari Konjufca.

Deputetët e Listës Serbe të pranishëm në sallë, 6 prill 2023

Më 17 nëntor, 10 deputetët serbë patën lëshuar sallën e parlamentit menjëherë pasi kanë kryer procedurën e betimit.

Nëntë kandidatë nga Lista Serbe dhe një kandidat nga partia GI SPO gjatë pesë muajve kanë bojkotuar punimet e Kuvendit, në disa raste edhe duke pamundësuar miratimin e projektligjeve vitale të Kosovës për të cilët duhen 2/3 e votave.

Deputetët serbë në Kuvendin e Kosovës, kanë dhënë dorëheqje pas në një mbledhje në Mitrovicë të Veriut, më 5 nëntor 2022, të ftuar nga Lista Serbe, në të cilën morën pjesë zyrtarë të lartë shtetërorë nga komuniteti serb, ku edhe u njoftua largimi i tyre nga institucionet, përfshirë nivelin qendror ekzekutiv, lokal e nga gjyqësori.

Vendet bosh, pas largimit të deputetëve të Listës Serba nga salla e Kuvendit, 6 prill 2023

Deputetët serbë largohen nga salla e Kuvendit menjëherë pas betimit