ZKA: Ujësjellësit ‘Prishtina’ i mungojnë disa dëshmi të investimeve

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” nuk posedon dëshmi përkatëse për të gjitha investimet.

Në raportin e Pasqyrave Financiare të Zyrës Kombëtare të Auditimit thuhet se në investimet prej rreth 900 mijë euro, për vlerën 300 mijë euro kompania nuk kishte arriturr të ofrojë dëshmi.

“Kompania në pasqyrën e pozicionit financiar kishte prezantuar investimet në vijim në vlerë prej 894,513 euro. Ne kemi identifikuar se kompania për vlerën 304,525 euro të investimeve në vijim nuk kishte arritur të na ofrojë dëshmi përkatëse për shumën e investuar”- thuhet në raport.

Sipas ZKA-së, kjo ka ndodhur për shkak që mungesës së kontrolleve të brendshme lidhur me azhurnimin e regjistrit të investimeve në vijim.

Në raport potencohet se, mungesa e evidencave për investimet në vijim ka ndikuar që pasqyra e këtyre investimeve në kontabilitet të mos jetë e plotë, dhe si e tillë të mos prezantohet drejtë edhe në pasqyra financiare.