Pamje nga promovimi i librit ‘Shqipëria në dokumentet amerikane 1945’. Foto: KALLXo.com.
Promovohet libri me dokumente amerikane për Shqipërinë
Organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Instituti i Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë, më 19.03.2024, në amfiteatrin e institutit është promovuar libri dokumentar, “Shqipëria në dokumentet amerikane 1945”.
Ky libër dy gjuhësh: shqip dhe anglisht, me bashkautorë: Marenglen Verli, Arbër Hadri dhe Ibrahim Gashi, përmban dokumente arkivore amerikane të pahulumtuara më herët lidhur me Shqipërinë, pas Luftës së Dytë Botërore, (LDB).
Teuta Peli, drejtoreshë e IH-së “Ali Hadri” në Prishtinë tha gjatë promovimit se botimi i librit “Shqipëria në dokumentet amerikane 1945” përben një kontribut me rëndësi për historiografinë shqiptare. “Botimi i këtij libri është edhe një dëshmi se bashkëpunimi mes institucioneve tona (Kosovë- Shqipëri)- tha ajo.
Ndërsa, autorët e librit thanë se përmes këtij botimi ofrojnë për studiuesit dokumente arkivore origjinale të pahulumtuara më parë.
Historiani Marenglen Verli, bashkautori i librit, tha gjatë fjalës së tij se ky botim përmban dokumente të cilat pasqyrojë interesimin e SHBA-ve për zhvillimet në Shqipëri pas 1945-tës. “Botimi i këtyre dokumenteve ka rëndësi për të njohur interesimin amerikanë për çështjen e shqiptare, si në aspektin historik, ashtu dhe në atë ekonomik e social”- ka thënë ai.
Ndërkaq, Ibrahim Gashi, foli rreth rrethanave gjeopolitike në të cilat u gjend Shqipëria dhe shqiptarët pas LDB-së dhe raporteve të diplomatëve ameriakë rreth situatës në atë kohë. “Askush më mirë se diplomatët amerikanë nuk e pasqyruan synimin e ish- Bashkimit Sovjetik për të shtrirë ndikimin e tij në shumë vendet evropiane”- tha ai.
Kurse, Arbër Hadri, tha se botimi librit me dokumente “Shqipëria në dokumentet amerikane 1945” është me rëndësi të veçantë për historinë e shqiptarëve për trajtimin e ngjarjeve që kanë përcaktuar rrjedhat politike e shoqërore në një periudhë kohore të pas LDB-së.
“Kjo përudhë 1945-1948 dhe qëndrimi amerikan ndaj shqiptarisë i cili ka qenë i një rëndësi të veçantë ndriçohet përmes serisë së dokumenteve ‘Shqipëria në dokumentet amerikane’’- tha ai.
Botimi i serisë së dokumenteve amerikane, sipas Hadrit hap një perspektivë të shqyrtimit të marrëdhënieve të SHBA-ve, aleatëve me Shqipërinë në suaza të historiografisë botërore.