Pasaporta e Republikës së Kosovës Foto: Emirjeta Vllahiu/ KALLXO.com

Policia e Kosovës arreston një person që po kërkohej nga Interpoli i Greqisë

Policia e Kosovës përkatësisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Mitrovicën e Veriut ka arrestuar një person nën dyshimin se më 22.03.2024, në qendrën për pajisje me dokumente në Komunën e Zubin Potokut ka tentuar të pajiset me letërnjoftim, pasaportë dhe patentë shofer, duke ofruar të dhëna të rreme.

Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtarë për Zbatim të Ligjit – ILECU, përmes gjurmëve të gishtërinjve dhe fotografive, ka pranuar raport nga Interpoli ku ka rezultuar se gjurmët e gishtërinjve përputhen me personin në arrati me iniciale G. S. (viti 1977) në Greqi.

Sipas komunikatës për media të policisë, i dyshuari është kërkuar nga Interpoli i Greqisë për disa vepra të rënda penale, si: krim i organizuar, grabitje, detyrim, lëndim i rëndë trupor, dhënie e deklaratave false, posedim ilegal i eksplozivit dhe mjeteve shpërthyese” etj. ndërsa nga Interpoli i Malit të Zi është kërkuar për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”.

Policia potencon se personi i dyshuar, më  07.06.2013, përmes dokumenteve të falsifikuara është regjistruar me të dhëna të rreme si D. B. i lindur në vitin 1980 në Mitrovicë si shtetas i Kosovës, ku edhe është pajisur me dokumente personale të RKS-së, si letërnjoftim, pasaportë dhe patentë shoferi.

Ndërsa, më 05.01.2024, me të dhënat e lartcekura është paraqitur për aplikim në Zubin Potok për të vazhduar afatet kohore të  dokumenteve personale të Republikës së Kosovës,

“Gjatë verifikimit të dokumenteve që i dyshuari NN i ka paraqitur me rastin e aplikimit, NJRHKEK-Mitrovicë e Veriut, ka ardhur deri tek një dyshim i bazuar se i dyshuari NN ka marrë identitet të rremë si shtetas i RKS-së”- thuhet në njoftim.

Lidhur me këtë rast është njoftuar prokurori kompetent, i cili të dyshuarit i ka caktuar masën e ndalimit policor, dhe pas masës së ndalimit policor, me vendim të gjykatës i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.