Haki Rugova, LDK, Istog. Foto: Atdhe Mulla

A do t’i Japë më Haki Rugova Tenderë Kompanisë së Vëllezërve?

Kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova i cili është rikandiduar nga LDK-ja edhe për një mandat, është përballur me kritika lidhur me tenderët që u kishte dhënë kompanisë së vëllezërve të tij, në të cilën ishte edhe vet aksionar.

Siç pati transmetuar emisioni “Drejtësia në Kosovë”, kryetari i Komunës së Istogut bashkë me vëllezërit e tij në vitin 2003-2004 me kompaninë e tyre “Macon” kishin ndërtuar një objekt shtatëkatësh në pronë komunale.

Kundër kandidati i Rugovës, Arif Elshani nga Inciativa e Pavarur për Istogun në debat pernime ngriti dyshime se kryetari do të favorizojë kompaninë ‘Macon’ në një kredi të marrë për furnizim me ujë të pijes në vlerë  mbi 5 milionë euro.

“Ky është interes personal, do të merret një kompani që ka bager, një milion e ka me qelë kanale, interesi i kryetarit është te bagerat .Në vitin 2014, kompania Macon merr tender, ka disa tendera që merr, nepotizmi, ndikimi”, tha Elshani në Debat Pernime.

Në anën tjetër, Rugova përballë Jeta Xharrës, u zotua se kompania ku tashmë nuk është bashkëpronar nuk do të punojë në projektin në fjalë.

“Bageri i ‘Makonit’, s’ka me punu kurrë aty, me ja nalë nuk muj. S’jam aksionar më, kaherë nuk jam. Çka kam me ba, janë firmë e fortë, edhe Ganiu (Dreshaj) ia ka dhanë punën Maconit”, tha Rugova.

Ndërkaq, Gani Dreshaj, kandidat nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës lavdëroi kompaninë në fjalë duke bërë thirrje megjithatë për largim të Rugovës nga udhëheqja e komunës.

”Mendoj që ka ardhë koha me ja lshu vëllezërve të vet vendin kryetari se nuk punojnë keq, po ju del fjalë e po ju del punë që është kryetar. Për këtë arsye duhet me ma dhanë mu me udhëheq komunën, si firmë punojnë ata mirë”, tha Dreshaj.