Këshilli i Etikës i UP-së do të rifillojë procedurën disiplinore ndaj profesorit Krasniqit pas hetimeve nga Prokuroria

Vendimi i Këshillit të Etikës të Universitetit të Prishtinës ndaj profesorit të UP-së, Xhevat Krasniqi, të dyshuar për ngacmim seksual është marrë në mbledhjen e tyre të datës 02.05.2024.

Xhevat Krasniqi është denoncuar nga 27 studente të Fakultetit të Mjekësisë për ngacmim seksual, ku ishte i angazhuar si profesor i lëndës së matematikës.

Ky vendim i Këshillit të Etikës të UP-së erdhi pas më shumë se një javë që profesori Krasniqi kaloi në pezullim nga puna, me vendim të rektorit të UP-së Qerim Qerimi të datës 23.04.2024.

Këshilli i Etikës i rekomandoi rektorit Qerimi që ta pezullojë nga puna profesorin Krasniqi derisa të përfundojnë veprimet hetuese nga ana e Prokurorisë së Shtetit lidhur me denoncimin për ngacmim seksual, por si Këshill nuk doli me vendim.

Se nuk morën vendim, por vetëm dolën me rekomandim për Rektoratin për këtë rast, Këshilli i Etikës u kritikua nga aktivistët. Ndërsa, KALLXO.com e ka siguruar vendimin e Këshillit të Etikës ndaj Krasniqit.

Përveç rekomandimit për marrjen e masës për pezullimin e përkohshëm nga puna të Krasniqit, Këshilli i Etikës në këtë vendim ka njoftuar se do të rifillojë procedurën disiplinore ndaj Krasniqit pas veprimeve hetuese nga organet e hetuesisë.

Këshilli i Etikës së UP-së përbëhet nga katër anëtarë burra: Iset Morina (kryetar), Skender Muji, Arben Hajdari dhe Rrezeart Galica.

“Këshilli i Etikës do të rifillojë me automatizëm dhe sipas detyrës zyrtare procedurën disiplinore kundër prof. Xhevat Krasniqi pas përfundimit të veprimeve hetuese të organeve kompentet shtetërore lidhur me pretendimet për ngacmim seksual. Këshilli i Etikës nuk ka as kompetencën ligjore dhe as kompetencën e ekspertizën e duhur për të zhvilluar hetime dhe bërë gjetje hetimore për vepra të karakerit penal” – thuhet në vendimin e Këshillit të Etikës.

Tutje në vendim, Këshilli i Etikës pretendon se deri në këtë fazë kanë ndërmarrë të gjitha veprimet procedurale dhe ka trajtuar të gjitha faktet dhe provat në dispozicion, përfshirë pretendimet për ngacmim seksual, si dhe vlerësimet e studentëve në vitet e fundit për performancën e profesorit Krasniqi në Fakultetin e Mjekësisë dhe atë të Edukimit.

Lidhur me denoncimin e studenteve të Mjekësisë për ngacmim seksual, të cilin e kishte dorëzuar dekania e Fakultetit të Mjekësisë në atë kohë, Suzana Manxhuka-Kërliu, Këshilli i Etikës thotë se denoncimi është paraqitur me dy segmente – mosvlerësimi i studentëve nga profesori Krasniqi dhe ngacmimi seksual.

“Me datën 05.03.2024 Këshilli të Etikës të UP-së i ka ardhur një denoncim nga prof. Suzana Manxhuka-Kërliu, dekane e Fakultetit të Mjekësisë së UP-së kundër profesorit Xhevat Krasniqi, profesor i angazhuar në Fakultetin e Mjekësisë, me pretendimet për ngacmim seksual dhe mosvlerësim të studentëve” – kanë thënë nga Këshilli i Etikës.

Vendimin e kanë arsyetuar duke përfshirë pretendimet e studenteve të Mjekësisë dhe deklarimet e tyre në seancat e zhvilluara nga Këshilli i Etikës, deklarimin e parë dhe të dytë të profesorit Krasniqit para anëtarëve të Këshillit të Etikës, si dhe deklarimet e menaxhmentit të Fakultetit të Edukimit dhe të Mjekësisë, lidhur me rastin.

Sa i përket pretendimeve të studenteve të Mjekësisë janë përmendur tri raste, në të cilat studentet pretendojnë se Krasniqi i ka ngacmuar seksualisht.

Rasti i parë paraqet pretendimet e një studenteje e cila ka treguar se çfarë i kishte thënë profesori Xhevat Krasniqi në konsultimet e afatit të janarit të provimit në vitin 2023, pasi profesori i kishte zbritur 0.05 pikë nga provimi.

“Në vijim ajo citon fjalët që i kishte thënë profesori: “Emri (redaktuar), unë jam i drejtë në vlerësim e kështu jam i drejtë … kur të duash të bëj masazh”, në vijim ajo pretendon se profesori i kishte demonstruar me duar fjalën ‘masazh’ si dhe ishte afruar për ta përqafuar” – thuhet në rastin e parë, në arsyetimin e vendimit të Këshillit të Etikës.

Rasti i dytë paraqitet të jetë dhënë nga dy studente, të cilat kanë treguar se gjatë mbajtjes së ushtrimeve me profesorin Krasniqi, pas mbarimit të ushtrimeve, kishin qenë objekt i ngacmimi seksual nga profesori.

“Në deklaratën e tyre pretendojnë se: “Kur ne veç ishim te dyja duke ecur për në shtëpi, ai na afrohet duka na u drejtuar me fjalët, ‘Të dyja i keni lyer buzët njëjtë’ dhe vazhdon me fjalë tjera “Lyej ti sa të duash buzët, si të kësaj nuk mundesh me i pasur” – thuhet në rastin e dytë, në arsyetimin e vendimit të Këshillit të Etikës.

Kurse, në rastin e tretë, një studente tjetër e Mjekësisë pretendon se më 22 shtator 2023, gjatë kohës sa organizoheshin konsultimet dhe provimi me gojë, pretendon se ishte ngacmuar seksualisht nga profesori Krasniqi.

“Profesori më pyeti nëse dëshiroja të shkoja një ditë tjetër në konsultime, por që duhet t’ia jap fjalën të mos i tregoj askujt. Unë mbeta e shokuar dhe ai më vërejti nga reagimi im dhe më tha ‘Leje se s’je ti që e mban fjalën’. Më pas më tha ‘mund të shkosh’, e pyeta për notën, më tha ‘ e sheh në SEMS (Sistemi Elektronik i Menaxhimit të Studentëve)’ dhe siç duhet nota në SEMS ishte 5” – thuhet në rastin e tretë, në arsyetimin e vendimit të Këshillit të Etikës.

Tutje, Këshilli i Etikës ka përmendur edhe disa nga komentet që pretendohet t’i ketë bërë Krasniqi ndaj studenteve, si “Shumë bukur je veshur”, “shumë bukur po dukesh”, “Femrën kur e mbulon me jorgan, i humb bukuria”, “Aq simpatike je, lehtë mbahesh në mend”.

“Studentët në ankesën e tyre pretendojnë se këto janë vetëm disa nga fjalët që përdor profesori, të cilat pasqyrojnë ngacmimet seksuale. Tutje ata pretendojnë se kjo është edhe arsyeja se përse profesori i pyet studentët në zyrë një nga një që t’i ngacmojë dhe të dalin nga zyra të trishtuara” – thuhet në vendimin e Këshillit të Etikës.

Më tej, vendimi i Këshillit të Etikës përmend se studentët janë ankuar për vlerësimin që u bëhet nga Krasniqi, që sipas tyre, nuk bëhet në përputhje me kriteret e parapara në syllabusin e lëndës.

“Studentët më nuk kanë fuqi të përballen me profesorin edhe as me këtë sistem që nuk bazohet në syllabusin e lëndës, e nëse nuk bëhet ndonjë zgjidhje, kemi premtuar që do ta bëjmë lajm mediatik dhe protestë deri në largimin e profesorit, e që nuk janë vetëm shqetësime të studentëve, por edhe të familjarëve të tyre. Andaj shpresojmë në shqyrtimin e drejtë dhe në kohë të ankesës sonë dhe të mbroni të drejtat e studentëve e jo një profesori, ngase nuk do të ndalemi me kaq” – janë shprehur studentët, sipas vendimit të Këshillit të Etikës.

Pasi është paraqitur denoncimi, Këshilli i Etikës shprehet se më datë 18.03.2024, përmes adresës elektronike e kanë njoftuar Krasniqin për denoncimin që ishte bërë ndaj tij dhe për mundësinë, afatin dhe formën e deklarimit nga ana e tij.

Sipas Këshillit të Etikës, Krasniqi u është përgjigjur më datë 31.03.2024 dhe në mënyrë kategorike i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat me pretendimin se “ato janë shpifje të kulluara si dhe inskenime të pavërteta”.

“Profesor Krasniqi tregon se të gjitha fjalët e paraqitura në pretendimet e studentëve në ankesë janë shtrembëruar me qëllim të njollosjes së tij, duke ofruar sqarime, është shprehur ai dhe se si janë shtrembëruar” – njoftojnë nga Këshilli i Etikës në vendimin e tyre.

Në vazhdim janë dhënë sqarimet që Krasniqi i kishte dhënë sipas Këshillit të Etikës për tri rastet e lartpërmendura të studenteve të Mjekësisë, ku kanë pretenduar se janë ngacmuar seksualisht nga ai.

Sipas profesorit Krasniqi përmbajtja e rastit të parë është “një tërësi gënjeshtrash” dhe se studentja ishte informuar mbi gabimet në provimin me shkrim dhe pikët e humbura.

“Pastaj, ajo ka kërkuar që t’i falen pikët dhe normalisht që kjo kërkesë e zakonshme e studentëve i është refuzuar me rikujtimin që unë jam në përpikëri i drejtë në vlerësim të detyrave. Shprehja pasuese me përmbajten e fjalës ‘masazh’ është shpifje, rrjedhimisht edhe demonstrimi i kuptimit të saj me duar është i pakuptimtë dhe i sajuar. Ndërsa, akuza që gjoja unë qenkam afruar duke dashur ta përqafojë, është gënjeshtër e radhës” – ka theksuar Krasniqi, sipas vendimit të Këshillit të Etikës.

Tutje, në lidhje me këtë rast, Krasniqi ka sqaruar po ashtu se në afatin e provimeve në janar 2024, më 23.02.2024, te pjesa e provimit me gojë, e njëjta studente kur e kishte kuptuar se nuk e kishte kaluar me sukses provimin, në prani të studentëve e kishte kërcënuar Krasniqin me fjalët “Hajt se ke me e pa ti!”.

Kurse, për rastin e dytë, Krasniqi ka deklaruar se përshkrimi i këtij rasti është i trilluar dhe një qasje të tillë me studentët nuk ka ndodhur kurrë, në asnjë rrethanë.

Dhe për rastin e tretë, Krasniqi ka sqaruar se studentja provimin me shkrim e kishte kaluar në afatin e qershorit të vitit 2023 dhe me dëshirë të saj ky rezultat ishte ruajtur për afatin e shtatorit, më 22.09.2023.

“Të gjitha akuzat e bëra ndaj meje për ngacmim seksual, vlerësim jo të drejtë, hakmarrje, krijim të klimës negative, mosvendosje të notave në SEMS, detyrim për konsultime, mosrespektim të syllabusit, sjellje arrogante, diskriminim, janë të pavërteta dhe tendencioze” – është cituar Krasniqi në vendimin e Këshillit të Etikës.

Më tej, Këshilli i Etikës ka treguar se çka kishin deklaruar në seancën dëgjimore të datës 04.04.2024, tri studente Mjekësisë dhe Krasniqi.

Studentja e parë e cituar nga Këshilli i Etikës, përveç që ka deklaruar se qëndron mbrapa deklaratës së saj me shkrim ku është ankuar ndaj Krasniqit, ajo ka potencuar edhe raste tjera, por që nuk i ka cekur në deklaratën me shkrim.

Këshilli i Etikës e kishte pyetur studenten se a kishte qenë prezent dikush kur profesori e kishte ngacmuar seksualisht me fjalët që ajo pretendon se ia ka thënë, ajo ka deklaruar se ka qenë një studente dhe një student tjetër.

Pasi ajo ka deklaruar se rasti me profesorin Krasniqi kishte ndodhur në afatin e provimeve të janarit 2023, Këshilli i Etikës e ka pyetur se sa herë ka hyrë në provim te profesori deri në janar 2024.

“Tri herë tjera se i kemi pas 6 afate. Ti provimin po e kalon, por hajde në zyrë të mundësoj provimi me gojë. Sa herë shkojsha në konsultime vetë na ka shti me mbyll derën dhe thojke jo po të rrëzoj” – është cituar përgjigjja e studentes së Mjekësisë.

Studentja e dytë që ka dëshmuar po ashtu ka qëndruar mbrapa deklaratës me shkrim, ndërsa Këshilli i Etikës thotë se arsyeja që ajo u kishte dhënë se pse nuk e kishe denoncuar më herët profesorin, ishte për shkak të frikës me arsyetimin se ka qenë studente e vitit të parë.

Por ajo ka deklaruar, sipas Këshillit të Etikës, se e kishte kaluar provimin te profesori Kransiqi, herën e dytë që i është nënshtruar provimit.

“Herën e parë e kam kaluar me shkrim, nuk e kam kaluar me gojë, herën e dytë e kam kaluar me shkrim, pastaj me gojë, profesori nuk ma ka vendos notën në SEMS, i kam shënuar në Viber përmes numrit, më ka thënë – nuk është e vërtetë. Jam detyruar të hyj prapë me shkrim edhe me gojë e kam kryer në qershor” – ka thënë studentja, sipas Këshillit të Etikës.

Më tej, studentja ka treguar një rast kur kishte veshur një duks, një fund të gjatë dhe kishte pasur një palltë, Krasniqi e kishte shikuar dhe e kishte komentuar për veshjen, sipas saj.

“Profesori na thirri, tha ‘O shumë bukur koke vesh, mundesh me u ul ku të duash ti’. U ula te vendi herës së kaluar. (emri i studentes – E redaktuar) paske veshur fund? Thashë po. Më tha – ku e di unë që ti nuk ke shti diçka ndër fund, ndonjë letër a diçka tjetër” – ka deklaruar studentja se e ka pyetur Krasniqi.

Lidhur me rastin e tretë, studentja e cila ka pretenduar se Krasniqi e kishte pyetur nëse donte të shkonte ndonjë ditë tjetër në konsultime, por me kushtin që të mos i tregonte askujt, ajo ka deklaruar se nuk ka pasur dëshmitar të këtij rasti pasi Krasniqi, sipas saj, i ka detyruar të hyjnë në konsultime.

Në seancën dëgjimore të datës 04.04.2024, është ftuar edhe Xhevat Krasniqi, i cili ka deklaruar se qëndron prapa deklaratës me shkrim, duke shtuar se asnjëherë nuk kishte krijuar afërsi me studentet përveç asaj zyrtare dhe se nuk kishe përdorur gjuhë të papërshtatshme me vetëdije.

Me këtë rast, Këshilli i Etikës ia ka përmendur fjalët dhe komentet që pretendohet se ua ka thënë studenteve, Krasniqi u është përgjigjur “Absolutisht nuk e përdori këtë fjalor dhe janë trillime”.

“Absolutisht nuk i kam thënë të bëjë masazh me duar ose iu kam afruar për ta përqafuar” – kishte deklaruar po ashtu Krasniqi.

Krasniqi po ashtu ka deklaruar se nuk ishte ftuar nga dekania e Fakultetit të Mjekësisë ndonjëherë, porse më 04.03.2024, ishte ftuar nga dy prodekanët, ndërsa zyrtari për mësim i kishte thënë, sipas tij, se nuk i kishte vendosur notat në afat të prillit dhe për këtë janë ankuar studentët.

“Ai tregon se në afatin e janarit të vitit 2024, ka marrë informata se afati mbyllet më 28 janar, rrjedhimisht ka kohë deri më 25 janar për t’i vendosur notat, ndërsa studentët kanë bërë ankesën më 27 janar 2024” – thuhet në vendimin e Këshillit të Etikës.

Si rezultat i kësaj, Krasniqi ka pretenduar se që nga janari i vitit 2023 kanë filluar një fushatë kundër tij me tendencë kundër dhe rreth vlerësimit.

Më tej, Krasniqi e ka pranuar se ligjëratat i ka mbajtur në Fakultetin e Edukimit.

“Ligjëratat janë mbajtur në Fakultetin e Mjekësisë, po për shkak të hapësirave dhe orarit të ngjeshur, tani i mbaj në Fakultetin e Edukimit, kurse ushtrimet në klinikën e Neurologjisë” – është shprehur Krasniqi.

Tutje, ai ka theksuar se vlerësimi i studentëve bëhet sipas syllabusit, në dy forma me shkrim, testi 1 dhe testi 2, dhe se në konsultime hyjnë nga pesë studentë.

“Në konsultime hyjnë nga 5 studentë, derën e lë herë të hapur, nganjëherë të mbyllur, sepse bëjnë zhurmë studentët në korridor. I pyes thjesht për formula” – ka thënë Krasniqi.

Në fund të intervisitimit Krasniqi ka shprehur dyshime se lista e nënshkrimeve të studenteve të Mjekësisë në ankesën kundër tij, mund të jetë falsifikuar sepse aty gjenden, sipas tij, studentë që nuk e kanë dëgjuar mësimin fare si dhe nënshkrimet janë bërë nga shoqet e tyre.

“Këto dyshime janë të bazuara, duke krahasuar nënshkrimet e të njëjtëve studentë me nënshkrimet në fletë-evidencat e ligjëratave” – thuhet në vendimin e Këshillit të Etikës.

Pastaj, më datë 17.04.2024, Këshilli i Etikës thotë se ka organizuar një seancë tjetër dëgjimore, ku kanë qenë dëshmitar studentë tjerë të Mjekësisë dhe menaxhmentet e Fakultetit të Mjekësisë dhe atij të Edukimit të UP-së.

Me kërkesën e rektorit të UP-së, Këshilli i Etikës ka vendosur që seanca dëgjimore të jetë publike për gazetarë dhe të gjithë të interesuarit tjerë.

Një student i Mjekësisë, i cili ka qenë dëshmitar në rastin e parë të studentes së Mjekësisë, ka deklaruar se profesori është shprehur me fjalët “po dukesh shumë bukur”, “ke fytyrë karakteristike” dhe se kishte përsëritur rastet që kanë cekur studentet tjera.

Dy studente tjera të Mjekësisë, kanë treguar se ishin njoftuar nga studentja që ka dëshmuar para anëtarëve të Këshillit të Etikës se çfarë kishte ndodhur gjatë kohës së konsultimeve, porse sipas tyre, ato nuk kanë pasur ndonjë rast të tillë me profesorin Krasniqi.

Në anën tjetër, nga menaxhmenti i Fakultetit të Mjekësisë në Këshillin e Etikës kanë deklaruar ushtruesi i detyrës së dekanit, Fatos Sada dhe prodekani për mësim, Valon Krasniqi.

Prodekani Krasniqi në dëshminë e tij ka deklaruar se më 24.02.2024 kishte pranuar një mesazh në telefon nga dekania në atë kohë, Suzana Manxhuka-Kërliu, të cilën e kishte marrë në telefon menjëherë për ta pyetur dhe njoftuar më shumë për rastin.

Tutje, prodekani Krasniqi ka deklaruar se e kishte ftuar profesorin Krasniqi menjëherë në takim për të biseduar për rastin.

“Në vazhdim prodekani Krasniqi tregon se më datë 26.02.2024 në ambientet e Dekanatit (të Fakultetit të Mjekësisë) kishte pritur disa studentë, të cilët gojarisht i kishin treguar për rastin… Pas kësaj, prodekani Krasniqi tregon se kishin përgatitur shkresën zyrtare më 27.02.2024 e kishin denoncuar rastin” – thuhet në vendimin e Këshillit të Etikës.

Pastaj menaxhmenti i Mjekësisë e kanë ftuar në takim profesorin Krasniqi, me të cilin prodekani Krasniqi ka thënë se kanë biseduar lidhur me dy ankesa – çështja e notave në SEMS dhe denoncimi nga studentët.

“Ankesa e studentëve i ishte lexuar në prani të profesorit Krasniqi. Profesor Krasniqi i kishte mohuar kategorikisht ato, duke thënë se e gjithë kjo ka të bëjë vetëm me kriteret e mia të vështira të vlerësimit. I pyetur nga Këshilli i Etikës se a keni pasur më parë ankesa të kësaj natyre ndaj profesorit Krasniqi, prodekani është deklaruar se asnjëherë nuk ka pasur asnjë ankesë, qoftë në formë zyrtare apo jozyrtare të kësaj natyre ndaj profesorit në fjalë” – thuhet në vendim të Këshillit të Etikës.

Këshilli i Etikës e ka pyetur prodekanin Krasniqi edhe se ishte në dijeni menaxhmenti që profesori Krasniqi nuk ishte duke i mbajtur ligjëratat dhe provimet në Fakultet të Mjekësisë, siç ishte përcaktuar në orarin zyrtar, prodekani kishte deklaruar se për një gjë të tillë nuk kanë qenë në dijeni.

Në anën tjetër, nga menaxhmenti i Fakultetit të Edukimit të UP-së ka marrë pjesë në seancën dëgjimore, dekani i këtij Fakulteti, Blerim Saqipi.

Sipas Këshillit të Etikës, në dëshminë e tij, dekani Saqipi ka deklaruar se për rastin në fjalë ishte njoftuar nga dekania e Mjekësisë, Suzana Manxhuka-Kërliu dhe pastaj edhe me shkrim.

“Dekani Saqipi deklaron që atëherë kishte kuptuar se profesori në fjalë ka qenë i angazhuar në procesin e mësimdhënies në Fakultetin e Mjekësisë. Pas marrjes së njoftimit, dekani Saqipi deklaron se kishte ftuar në takim profesorin në fjalë për të biseduar lidhur me këtë rast” – thuhet në vendim të Këshillit të Etikës.

Se a kishte dëgjuar që profesori Krasniqi ka përdorë gjuhë të papërshtatshme vazhdimisht gjatë ligjëratave dhe provimeve me studentë, dekani Saqipi ka deklaruar se asnjëherë nuk ka dëgjuar edhe sikur të dëgjonte do ta kishte adresuar menjëherë.

“Kurse, në pyetjen e Këshillit të Etikës se a keni pranuar ndonjë ankesë nga studentët për profesorin në fjalë, dekani Saqipi deklaron se prej që ai është dekan nuk ka pranuar ndonjë ankesë” – thuhet në vendim të Këshillit të Etikës.

Sa i përket raporteve të vlerësimit për performancës se profesorit Krasniqi në UP, të cilat Këshilli i Etikës ia kishte kërkuar Fakultetit të Mjekësisë dhe atij të Edukimit, në vendim thuhet se dekani i Edukimit, Blerim Saqipi i ka dërguar këto raporte më datë 19.04.2024, të cilat janë raporte vlerësuese të studentëve në tri vitet e fundit për shtatë lëndë që ligjëron në Edukim profesori Krasniqi.

“Pas analizës së tyre, del se në të gjitha lëndët që prof. Xhevat Krasniqi ligjëron në Fakultetin e Edukimit, vlerësimi ishte shumë mirë dhe shkëlqyer. Në raportin e vlerësimit kishte edhe një numër komentesh nga studentët, të cilat ishin pozitive në masën rreth 85%” – thuhet në arsyetimin e vendimit të Këshillit të Etikës.

Kurse, sa i përket raportit të vlerësimit të përformancës së Krasniqit nga studentët e Fakultetit të Mjekësisë, Këshilli i Etikës thotë se këto vlerësime ishin pozitive.

Ndërsa, për kërkesën e Këshillit të Etikës për konfirmimin e nënshkrimeve të studenteve që kanë nënshkruar denoncimin, menaxhmenti i Mjekësisë ka njoftuar përmes adresës elektronike se studentët që kanë nënshkruar denoncimin për ngacmim seksual kanë deklaruar me gojë se janë të gatshëm të deponojnë edhe njëherë nënshkrimet e tyre para Këshillit të Etikës.

Dhe se, disa ditë më vonë lista me nënshkrime e studenteve që kishin denoncuar Krasniqin për ngacmim seksual, i ishte dërguar Këshillit të Etikës.

Sipas Këshillit të Etikës, më 22.04.2024, bazuar në rregulloren e Këshillit të Etikës, është ftuar në seancë dëgjimore përsëri profesori Krasniqi dhe në fjalën e tij i ka mohuar në tërësi pretendimet për ngacmim seksual dhe mos vlerësim të studentëve duke i quajtur ato si “spekulime”.

“Sipas tij, e tëra kjo ka ardhur për faktin se ai kishte refuzuar që të vendosë notë jomeritore, përkundër presioneve të ndryshme që ka pasur. Të gjitha shprehjet komplimentuese dhe joakademike që i janë atribuar atij me rastin e denoncimit, profesor Krasniqi thotë se janë të shpikura dhe i mohon kategorikisht ato” – thuhet në vendimin e Këshillit të Etikës.

Si përfundim, Këshilli i Etikës ka përmendur disa nga gjetjet e tyre për këtë rast, duke shtuar se masa që kanë rekomanduar ndaj Krasniqit është e bazuar, e drejtë dhe proporcionale duke përmendur këtu “nenin 6, 7 paragrafin 3, në Rregulloren për masat dhe procedurat disiplinore ndaj personelit akademik të UP-së, të datës 11.04.2017 në lidhje me sidomos nenin 11, paragrafi 5 dhe 6 i Rregullore nr.752, të datës 11.05.2021”.

Gjetje tjetër e Këshillit të Etikës është se, përtej çdo dyshimi të bazuar, Krasniqi nuk ka respektuar vendimet e Fakultetit të Mjekësisë, në mbajtjen e leksioneve dhe provimeve, por ka obliguar studentët (e Mjekësisë) të vijnë në Fakultetin e Edukimit për t’i ndjekur ligjëratat dhe nënshtruar provimit në lëndën e tij.

Kurse, për menaxhmentin e Fakultetit të Mjekësisë, Këshilli i Etikës thotë se ka dështuar në monitorimin e mbarëvajtjes së procesit mësimor dhe organizimit të provimeve, duke mos qenë fare në dijeni se profesori Krasniqi ishte duke mbajtur ligjëratat dhe organizuar provimet në shpërputhje me vendimet e Fakultetit.

Këshilli i Etikës ka njoftuar se kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtën e paraqitjes së ankesës në Senatin e UP-së brenda afatit prej 30 ditësh pas pranimit të këtij vendimit.

“Ankesa mund të paraqitet për vendosje në Senat nëpërmjet Këshillit të Etikës dhe atë nëpërmjet e-mailit, dorëzimit të deklaratës me shkrim në Rektorat ose nëpërmjet postës apo dhënien e deklaratës verbalisht në zyrat e Rektoratit” – kanë përfunduar në vendim të Këshillit të Etikës.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com për rastin e profesorit Xhevat Krasniqi mund t’i lexoni në këtë LINK.