Foto: ZKM

Kurti deklarohet pas refuzimit që mori nga Abdixhiku e Haradinaj

Kryeministri Albin Kurti është deklaruar pas përgjigjeve që mori nga 3 liderët e partive opozitare.

Në një deklaratë dhënë Televizionit Besa, kryeministri Kurti ka thënë se është i interesuar të takohet me të gjitha partitë politike, pavarësisht refuzimit që mori nga kreytari i LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj.

“Unë jam i interesuar që të takohem me të gjithë dhe mendova që është më së miri të takohemi të gjithë së bashku. Unë jam gjithmonë i hapur, i interesuar, i gatshëm dhe këtë e kam treguar edhe në të kaluarën, do ta tregoj edhe në ditët, javët e muajt në vijim tash të kemi hyrë në vitin e fundit të mandatit qeverisës” – ka deklaruar Kurti për Televizionin Besa.

Ftesën për t’u takuar e ka pranuar Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi dhe takimi pritet të mbahet të hënën, më 13.05.2024.

Sipas zëdhënësit të PDK-së, në këtë takim do të kërkohet caktimi i datës së zgjedhjeve.

Ndërkaq, Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe ai i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj kanë refuzuar që të takohen.

Abdixhiku ka konsideruar të vonuar ftesën e Kurtit dhe ka thënë se çështjet e ngritura në letrën e Kurtit, përkatësisht agjenda legjislative e Kuvendit mund të diskutohet në Kryesinë e Kuvendit mes përfaqësuesve politikë.

Edhe Haradinaj në refuzimin e tij ka thënë se tema e kësaj darke bie në përgjegjësinë e shefave të grupeve parlamentare.

Por, ai është shprehur i gatshëm që të diskutojnë në një moment tjetër në qoftë se ka tema të tjera për të përafruar qëndrimet në interes nacional.