Latifi: Puna Ime e Parë - Incizimi i Aseteve Komunale

Smajl Latifi, kandidat i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryetar të Komunës së Rahovecit konsideron se asetet komunale të çfarëdo lloji duhet të jenë të evidentuara.

Latifi në Debat Pernime tha se vendimi i parë nëse e merr mandatin e kryetarit pas 19 nëntorit do të jetë incizimi i aseteve.

“Vendimi i parë do të jetë formimi i një komisioni për incizimin e të gjitha aseteve komunale, inventarin dhe asetet që i ka komuna kudo, në arsim, etj… “, tha Latifi.

Në anën tjetër, kundërkandidati i tij nga Partia Demokratike e Kosovës, Idriz Vehapi tha se do të angazhohet në profesionalizëm dhe ndalimin e keqpërdorimit.

“Të respektohet strikt orari i punës dhe të ndalohen keqpërdorimet si përdorimi i veturave”, tha Vehapi.

Në rrethin e parë të zgjedhjeve lokale, i mbajtur më 22 tetor, kandidati i AAK-së, Smajl Latifi, ka fituar 33,5 për qind të votave dhe Idriz Vehapi i PDK-së 29,5 për qind.