OSHP: Komuna e Rahovecit e shkeli ligjin kur e rivlerësoi llotin për të cilin nuk kishte ankesa

Komuna e Rahovecit e ka rivlerësuar llotin e dytë të tenderit për “Furnizime mjekësore për nevojat e QKMF-së”, edhe pse kundër vendimit të saj për të rekomanduar për kontratë kompaninë “Pro Medical” nuk kishte pranuar asnjë ankesë.

Por, rivlerësimi i këtij lloti kishte ardhur pas një ankese që kompania “Pro Medical” e kishte bërë për njërin nga llotet e tjera, në të cilin nuk ishte rekomanduar për kontratë pasi ishte eliminuar nga gara, me arsyetimin se i mungon autorizimi nga prodhuesi siç është kërkuar në Dosjen e Tenderit.

Rivlerësimin e llotit për të cilin nuk kishte ankesa prej Komunës së Rahovecit, Organi Shqyrtues i Prokurimit e ka cilësuar si shkelje ligjore.

“Veprimi i ndërmarrë nga ana e Komunës së Rahovecit (AK) duke kthyer llotin 2 në rivlerësim bie ndesh me Ligjin e Prokurimit, konkretisht nenin 108/A… Paneli Shqyrtues konstaton se AK ka vepruar kundrejt dispozitave rregulluese duke kthyer llotin 2 në rivlerësim pa pasur fare kërkesë për rishqyrtim për këtë lot” – thuhet në vendimin e OSHP-së për këtë tender.

Madje, OSHP-ja ia ka tërhequr vërejtjen kësaj komune se do të ndërmarrë masa ndaj zyrtarëve të prokurimit nëse përsëriten shkeljet e njëjta apo të ngjashme.

Më 19 maj 2023, Komunës së Rahovecit i janë dërguar pyetje për arsyet që ata e kanë rivlerësuar llotin në të cilin nuk kishin pranuar asnjë ankesë. Ata nuk ishin përgjigjur në pyetjet specifike për këtë veprim. E njëjta është pyetur edhe njëherë me 29 gusht 2023 dhe sërish nuk janë përgjigjur në pyetjet specifike, por i kanë dërguar tri kontratat e nënshkruara.

Tenderi për “Furnizime mjekësore për nevojat e QKMF-së” (nr. 623-22-11331-1-2-1) i ndarë në tri llote është hapur më 18 tetor 2022. Në llotin e parë është planifikuar të blihen 10 EKG, në llotin e dytë është paraparë blerja e një Defiblatori mobil dhe statik, ndërsa në llotin e tretë është paraparë të blihet një shtrat elektronik për emergjencë.

Afati i fundit për dorëzimin e ofertave ishte caktuar më 7 nëntor 2022. Një muaj më vonë, më 8 dhjetor 2022, Komuna e Rahovecit e kishte publikuar vendimin për rekomandim të kontratës për tri llotet e tenderit “Furnizime mjekësore për nevojat e QKMF-së”.

Në llotin e parë dhe të tretë për kontratë ishte rekomanduar kompania “Made Kos”, kurse në llotin e dytë ishte rekomanduar kompania “Pro Medical”.

Kompania “Pro Medial”, duke u bazuar në nenin 108/A, kishte bërë kërkesë për rishqyrtim për llotin e parë, në të cilën ishte rekomanduar për kontratë kompania “Made Kos”.

Komuna e Rahovecit ia kishte aprovuar pjesërisht ankesën “Pro Medical” duke e kthyer në rivlerësim këtë tender.

Komuna në procesin e rivlerësimit e kishte futur edhe llotin 2, në të cilin ishte rekomanduar për kontratë kompania “Pro Medical”. Pas rivlerësimit, Komuna e Rahovecit e kishte eliminuar nga gara tërësisht kompaninë “Pro Medical”, duke mos e rekomanduar për kontratë për asnjë llot.

Behxhet Hashani nga kompania “Pro Medical” ka thënë se eliminimi i tyre edhe nga lloti i dytë ishte në kundërshtim me ligjin, prandaj janë ankuar në OSHP.

Ai ka thënë se është ankuar në OSHP edhe sa i përket llotit të parë, në të cilin ishte rekomanduar për kontratë kompania “Made Kos” me një çmim prej 8,990 euro.

Komuna e Rahovecit e kishte eliminuar kompaninë “Pro Medical” nga gara me arsyetimin se e njëjta e kishte dorëzuar Autorizimin nga prodhuesi, por në të nuk ishte shkruar numri i aktivitetit të prokurimit. “Pro Medical” për llotin e parë kishte ofertuar 7,990 euro, apo 1,000 euro më lirë se kompania e rekomanduar për kontratë.

“Pas kërkesës për qasje në dokumente zyrtare, ndaj operatorit të rekomanduar për kontratë për llot 1, gjatë qasjes në dokumente kemi hasur se Operatori Ekonomik i rekomanduar për kontratë për llot 1 ka ofertuar me të njëjtën pajisje siç kemi ofertuar ne: i njëjti sistem, të njëjtat performanca” – theksoi Behxhet Hashani nga kompania “Pro Medical”.

Gjykata e Tenderëve i kishte dhënë të drejtë kompanisë “Pro Medical” duke e anuluar vendimin e Komunës së Rahovecit për të rekomanduar për kontratë kompaninë “Made Kos”, ndërsa lënda ishte kthyer në rivlerësim.

Për këtë vendim, OSHP-ja ka dhënë një arsyetim të gjerë. Ata kanë thënë se OE e ka dorëzuar autorizimin nga prodhuesi për llotin e parë, në të cilin janë të dhënat e OE ankuese dhe produktet për të cilat ka autorizim.

Në vendimin e OSHP-së thuhet se mungesa e numrit të aktivitetit të prokurimit në këtë autorizim nga Paneli Vlerësues “konsiderohet se nuk mund të jetë shkak i eliminimit nga aktiviteti i prokurimit”.

OSHP-ja është thirrur edhe në praktikat që janë vendosur tashmë nga ky institucion në vendimet e mëhershme.

Pas vendimit të OSHP-së të datës 27 prill 2023, Komuna e Rahovecit e ka kthyer tenderin në rivlerësim dhe e ka rekomanduar për kontratë në llotin e parë (7,990 euro) dhe të dytë (2,995 euro) kompaninë “Pro Medical”, të cilën më herët i kishte eliminuar nga gara. Kurse në llotin e tretë për kontratë është rekomanduar kompania “Made Kos” me një ofertë prej 1,190 euro.

Kompania “Made Kos” nuk është ankuar më në vendimin e Komunës së Rahovecit. Ardian Buzuku, drejtor në këtë kompani, ka thënë se nuk janë ankuar në këtë tender.

“Unë as si ankohna kurrkujt, as si boj kurrkujt kurgjo. Jem 95 punëtore që e punojmë këtë punë edhe jemi ndër kompanitë ma serioze” – ka thënë Buzuku, duke mos dashur të hyjë në detaje.

Ky artikull është shkruar nga Jonida Avdiu përmes mbështetjes nga Shkolla për Gazetari Hulumtuese e financuar nga Aktiviteti i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) për Integritetin e Komunave të Kosovës. Pikëpamjet e paraqitura në këtë artikull nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e USAID-it ose të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.