Realizimi i planit të Smajl Latifit për sigurinë në komunitet

Gjatë fushatës për zgjedhjet lokale të vitit 2021, në emisionin ‘Debat Përnime’, kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, kishte thënë se komuna e tij është me diversitet kulturor e fetar dhe sipas tij, gjendja në këtë komunë është stabile.

“Kemi jashtëzakonisht ekipe të cilët e përcjellin në vazhdimësi situatën sic ka edhe programe që zbaton policia e Kosovës dhe sektori i sigurisë në bashkëpunim edhe me komunën për të luftuar në parandalimin eventualisht paraqitjen e radikalizimit” – kishte thënë Latifi.

Më shumë se një vit pas ri zgjedhjes së Latifit në krye të Rahovecit, shefi i kabinetit të tij, Ali Morina, thotë se gjendja vazhdon të jetë stabile.

Për vitin 2023 buxheti i Komunës së Rahovecit është 17 milion e 548 mijë euro. Sipas Morinës, nga ky buxhet, për investime kapitale shumica e kontratave janë të lidhura nga viti i kaluar dhe që vazhdojnë edhe për këtë vit.

“Për furnizim me kamera të sigurisë për vitin 2023 janë të parapara 10 mijë euro dhe janë me plan të prokurimit që dikur ka marsi duhet të fillojnë procedurat” – ka thënë Morina për KALLXO.com.

Kurse për ndriçimin publik, Morina thotë se është një kontratë që është nënshkruar në vitin 2022 dhe që po ashtu vazhdon edhe këtë vit. Vlera e kësaj kontrate është 2.3 milionë euro.

“Përfshin jo vetëm instalimin, por edhe dixhitalizimin dhe mirëmbajtjen e ndriçimit publik, gjithsesi do të jetë ndriqim efiçient do të jetë më lehtë i menaxheushëm, sepse çdo dritë që prishet e ka sensorin e vet që lajmëron ku është defekti edhe mënyra e operimit, si dhe rregullimit dhe mirëmbajtjes së këtij ndriçimi do të jetë më e lehtë”.

Sikurse në shumicën e komunave të Kosovës, edhe Rahoveci ka probleme me qentë endacakë. Për këtë qëllim, shefi i kabinetit të kryetarit, thotë se janë ndarë 10 mijë euro për vitin 2023.

Por që sipas Ali Morinës, trajtimi i qenve endacakë është një çështje që duhet të angazhohet edhe MAPL-ja.

“Megjithëse kjo është çështje që MAPL-ja në koordinim me Agjencionin e Ushqimit dhe Veterinës që kanë marrë përsipër për me e bo një strategji për me e trajtu, në kuadër të kësaj strategjie ata kanë kërkuar që ne me nda buxhet për këtë çështje, edhe mundësitë tona për me zbatu këtë strategji kanë qenë aktualisht 10 mijë euro. Do të shohim mundësitë për me e rritë këtë shumë, sepse vërtetë komuna jonë përballet me numër të madh të qenve endacakë, por aktualisht kaq janë mundësitë buxhetore tonat” – ka thënë Morina për KALLXO.com.

Një sfidë tjetër për Rahovecin, është edhe mungesa e psikologëve nëpër shkollat e komunës. Gjatë vitit 2022 Komuna e Rahovecit kishte të angazhuar vetëm dy psikologë nëpër shkolla.

Por që shefi i kabinetit thekson se ky numër gjatë vitit 2023 do të shtohet, por që prapë nuk do të jetë i mjaftueshëm.

“Në vitin 2022 i kemi pasur 2 psikologë të angazhuar nëpër shkolla, për këtë vit kemi planifikuar që të angazhojmë edhe katër psikologë. Do të thotë bëhen gjashtë. Ndoshta do të jetë më mirë se sa dy, gjithsesi nuk janë të mjaftueshëm, por kaq kanë qenë mundësitë tona për me angazhu staf. Ministria e Financave na ka lejuar me rekrutu dikun 25 punëtorë të ri të themi, në sektorin e arsimit që do të jenë kryesisht nëpër çerdhe. Dhe në kuadër të këtyre, do t’i angazhojmë edhe këta katër psikologë” – ka thënë Morina.

Gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të vitit 2021, kryetari Smajl Latifi kishte thënë se edhe pse komuna e Rahovecit ka diversitet etnik, kulturor e fetar, asnjëherë nuk ka pasur raste të theksuara të radikalizmit apo terrorizmit.

Edhe përgjatë vitit 2022, Ali Morina thotë se nuk ka pasur raste të tilla dhe situata me sigurinë publike ka qenë e qetë. Ndërsa ka thënë se gjithashtu nuk është organizuar ndonjë aktivitet që ndërlidhet me këtë temë.

“Jo ne nuk kemi pasur, përveç aktiviteteve të rregullta që i mbajnë Policia e Kosovës nëpër shkolla, për vetëdijësimin dhe ndërgjegjësimin e nxënësve për çështje të sigurisë në përgjithësi. Përndryshe me theks të veçantë për këto kategori nuk kemi pasur” – ka thënë Morina.

“Siguria publike në komunën e Rahovecit është e qetë, ne po bëjmë më të mirën e mundshme që qytetarët tanë të ndihen të sigurtë, duke përfshirë investimet siç e ceka në infrastrukturë publike, ndriçim publik”.

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), është funksional dhe sipas shefit të kabinetit, mbledhjet në këtë Këshill mbahen më shpesh se që e përcakton rregullorja.

“Në kuadër të Kuvendit Komunal operon edhe Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), që me rregullore i kemi të parapara që të mbahen minimum 6 takime në vit, por ne kemi mbajtur edhe më shumë. Aty diskutohen të gjitha çështjet që lidhen me sigurinë e përgjithshme. Deri më tani nuk kemi pasur ndonjë rast që e ka cënuar sigurinë e përgjithshme në komunën tonë’ – ka bërë të ditur Ali Morina.