Burimi i fotos, FCB - Ardian Qela

Rrëfimi i biznesmenit Ardian Qela, i dyshuar për rrahjen e drejtorit të Gazmend Muhaxherit

Ardian Qela, i cili sipas organeve të rendit po dyshohet se e ka sulmuar drejtorin e Inspeksionit në Komunën e Pejës, Leotrim Murtezajn, e ka mohuar se e ka sulmuar atë.

Qela për KALLXO.com ka thënë se mesnatën e mbrëmshme ai bashkë me disa shokë të tij kishte dalë në një kafeteri të Pejës në të cilën ishte prezent edhe drejtori i Inspeksionit Leotrim Murtezaj bashkë me disa perona të tjerë.

Qela ka treguar se janë përshëndetur me Leotrim Murtezajn dhe me një shok të tij, i cili sipas Qelajt është inspektor në Drejtorinë e Inspeksionit.

Sipas Qelajt situata ka eskaluar pasi shoqëruesi i drejtorit të Inspeksionit Leotrim Murtezajt i ka thënë atij se a po më njeh mua.

“Shoqëruesi i drejtorit Leotrim Murtezaj më është afruar te tavolina dhe me ka thënë se apo më njeh, kurse unë ia kam kthye se jo. Ai më tha se ke me më njoftë. Pas pak shoqëruesi i Leotrimit e sulmoi një shok timin me të cilin ishim bashkë dhe aty ka filluar gjithçka”, ka treguar Qela për KALLXO.com.

Sipas tij, ai nuk ka pasur dhe as nuk ka probleme me drejtorin e Inspeksionit Leotrim Murtezajn.

“Shoqëruesi i Leotrimit e ka sulmu i pari një shok timin dhe aty filloi gjithçka. Por lokali ku kemi qenë ka kamera të sigurisë dhe besoj se filmimet do të tregojnë se çfarë ka ndodhur me të vërtetë. Filmimet do të tregojnë se unë nuk e kam sulmuar askë”, ka thënë Qela.

“Unë nuk jam dorëzuar në polici ende, por këtë do të bëjë të hënën. Në polici do të shkoj bashkë me filmimet e kamerave. Dhe nuk i jam dorëzuar policisë sepse nuk po kam besim. E kur t`i siguroj filmimet do të dorëzohem, sepse aty do të dalë e vërteta në shesh”, ka thënë Qela për KALLXO.com.

Qela ka thënë se ka muaj që lokalit të tij Komuna e Pejës nuk po i jep liçencë për të shitur alkool në lokalin e tij “Arthur-s”.  Sipas tij lokalet përreth shesin alkool me apo pa liçencë të Komunës, kurse atij nuk po ia japin licencën.

“Unë disa herë kam apliku për liçencë, por nuk po ma japin. E kam takuar para një jave në rrugë drejtorin, Leotrim Murtezajn dhe ia kam shprehur shqetësimet e mia që nuk po ma japin liçencën. Kemi bisedu dhe jemi ndarë si miq”, ka thënë Qela.

Ai tutje ka thënë se: “Nuk i di arsyet se pse nuk po ia japin liçencën pasi në të njëjtën lagje kafeteritë tjera shesin alkool pa ndonjë problem, me leje e pa leje të Komunës”.

KALLXO.com ka raportuar se drejtori i Drejtorisë së Inspeksionit në Komunën e Pejës, Leotrim Murtezaj është sulmuar mbrëmë në Pejë.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi. Sipas Nikçit, rasti ka ndodhur në një lokal në Pejë.

Detajet e Prokurorisë në Pejë për sulmin ndaj drejtorit të Inspeksionit

Lidhur me rastin ka reaguar edhe i pari i komunes së Pejës, Gazmend Muhaxheri, permes një komunikate për media.

Ia rrahën drejtorin e Inspeksionit, reagon Gazmend Muahxheri

.