Foto: Gjykata Themelore në Gjilan

Gjykimi ndaj të akuzuarve për rrëmbim, gjykata e mbyll seancën për çështje morali

Të akuzuar për rrëmbim, zyrtarët policorë Visar Kërqeli dhe Besjan Neziri, si dhe Margona Islami, Valon Kiqina, Flamur Sopi dhe Merita Zymberi, kanë dalë para gjykatësit në Gjilan.

Në seancën e sotme, janë shikuar video-incizimet nga vendi i ngjarjes ku sipas Prokurorisë është kryer vepra penale.

Andaj, nwn arsyetimin ‘për çështje morali’, trupi gjykues i drejtuar nga gjykatësi Ramiz Azizi, e ka mbyllur seancën për publik duke përjashtuar nga salla gjithë pjesëmarrësit.

Sipas aktakuzës, në mes datës 16 dhe 17 shkurt 2021, rreth orës 22:00, në një vilë në komunën e Novobërdës, të akuzuarit e lartshënuar, në bashkëkryerje, me dashje direkte dhe me qëllim të përfitimit material, kanë marrë dhe mbajtur të dëmtuarit Z.R. dhe A.A., në atë mënyrë që të akuzuarat Margona Islami dhe Merita Zymberi, fillimisht merren vesh që të dëmtuarit t’i joshin për marrëdhënie seksuale, ku aranzhojnë dhe shkojnë në një vilë, me ç’rast në momentin kur hyjnë brenda, pas një kohe aty arrijnë të pandehurit Visar Kërqeli, Besian Neziri dhe Valon Kiqina, ndërsa i pandehuri Flamur Sopi ka qëndruar jashtë vilës duke bërë roje.

Po sipas Prokurorisë, gjatë kohës kur tre të pandehurit kanë hyrë brenda vilës, të njëjtit nën kërcënimin e armës, i kanë prangosur të dëmtuarit me pranga plastike, duke iu bërë video-incizime, të cilat ua kanë dërguar familjarëve të të dëmtuarve. Gjithashtu, të njëjtit gjatë periudhës sa të dëmtuarit kanë qenë të mbyllur ua kanë marrë portofolet dhe ndaj tyre kanë ushtruar edhe dhunë fizike, duke i goditur me shuplaka por edhe me kondakun e armëve.

KALLXO.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast.

Zyrtarët policorë dëshmojnë në rastin ku akuzohen për rrëmbim dy kolegët e tyre