Zyrtarët policorë dëshmojnë në rastin ku akuzohen për rrëmbim dy kolegët e tyre
Të akuzuar për rrëmbim, zyrtarët policorë Visar Kërqeli dhe Besjan Neziri, si dhe Margona Islami, Valon Kiqina, Flamur Sopi dhe Merita Zymberi, kanë dalë para gjykatësit në Gjilan.
Në seancën e sotme, janë dëgjuar dy dëshmitarë të propozuar nga Prokuroria.
Seanca ka filluar me dëgjimin e dëshmitarit Arben Sylejmani, pjesëtar i policisë së Kosovës, hetues në sektorin e krimeve te rënda.
“Në ditën kritike, ka qenë ditë feste dhe nuk kam qenë në orar të punës, jam ftuar nga nënkoloneli i cili është shef i hetimeve dhe më ka kërkuar që të dal në ndihmë për një rast. Pastaj kam shkuar në stacionin policor, ka kërkuar që t’i ndihmoj me disa antena telefonike që kishte të bënte me disa persona që gjinden në Gjilan. Jemi organizuar me njësitë e tjera mbështetëse dhe kemi vazhduar rrugën drejt restorant “Gërsheta”, njësiti para nesh ka vazhduar rrugën në drejtim të villave, ndërsa unë kam mbetur më poshtë në parking të restorantit”, tha dëshmitari Arben Sylejmani.
Tutje tha se kur janë afruar tek villat, ka takuar një grup njerëzish dhe vetura, aty tha se ka takuar edhe ish-kolegun e tij Visar Kërqeli, për të cilin kishte menduar që është në asistencë me ta.
Gjithashtu dëshmitari tha se ka shkuar afër tij sepse ka pasur respekt dhe e ka pyetur “Çka je tu bo këtu”, dhe pastaj tha se i ka thënë “mos më thuaj që je në këtë vepër dhe prapë nuk fol, e kam pyetur ku janë personat duke u mbajtur, dhe me një fjalë me ka thënë tek villa e parë”, ka dëshmuar dëshmitari i parë.
Seanca ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit Driton Aliu, rreshter në Policinë e Kosovës.
Dëshmitari ka rrëfyer për ditën kritike duke thënë se ishte ftuar për një operacion.
“Më ka ftuar nën koloneli që të paraqitem në zyre, më ka njoftuar lidhur me një rast, ku dy persona ishin duke u mbajtur në një lokacion të panjohur, jemi koordinuar edhe me njësitë e tjera relevante dhe gjatë asaj kohe kemi marr një informacion nga menaxhmenti i lartë, që na tha se duhet me kontrollu te villat “Gersheta”. Jemi nisur në atë drejtim, kemi marrë informacion se viktimat janë me tabela të Kumanovës, posa jemi afruar aty te villat ne e kemi vërejtur veturën me tabela të Kumanovës, i kemi parë po ashtu edhe personat e dyshuar jashtë villave, kemi dal dhe i kemi arrestuar personat e dyshuar”, tha dëshmitari Aliu.
Tutje tha se në rastin konkret në vendin e ngjarjes janë konfiskuar 3 revole, dy prej revolave ka deklaruar se kanë qenë të personave zyrtarë dhe një me leje.
Gjithashtu tha se të arrestuarit me rastin e kontaktit të parë me ta nuk ka vërejtur se kanë pasur maska ose sende në dorë.
Seanca e sotme do të vazhdohet më 25 tetor.
Sipas aktakuzës, në mes datës 16 dhe 17 shkurt 2021, rreth orës 22:00, në një vilë në komunën e Novobërdës, të akuzuarit e lartshënuar, në bashkëkryerje, me dashje direkte dhe me qëllim të përfitimit material, kanë marrë dhe mbajtur të dëmtuarit Z.R. dhe A.A., në atë mënyrë që të akuzuarat Margona Islami dhe Merita Zymberi, fillimisht merren vesh që të dëmtuarit t’i joshin për marrëdhënie seksuale, ku aranzhojnë dhe shkojnë në një vilë, me ç’rast në momentin kur hyjnë brenda, pas një kohe aty arrijnë të pandehurit Visar Kërqeli, Besian Neziri dhe Valon Kiqina, ndërsa i pandehuri Flamur Sopi ka qëndruar jashtë vilës duke bërë roje.
Tutje, sipas Prokurorisë, gjatë kohës kur tre të pandehurit kanë hyrë brenda vilës, të njëjtit nën kërcënimin e armës, të dëmtuarit i kanë prangosur me pranga plastike, duke iu bërë video-incizime, të cilat ua kanë dërguar familjarëve të të dëmtuarve. Gjithashtu, të njëjtit gjatë periudhës sa të dëmtuarit kanë qenë të mbyllur ua kanë marrë portofolet dhe ndaj tyre kanë ushtruar edhe dhunë fizike, duke i goditur me shuplaka dhe armë.
Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast: https://kallxo.com/lajm/rrembimi-i-dy-shtetasve-te-maqedonise-se-veriut-rrefehet-ne-gjykate-i-demtuari-i-dyte/.