'Dezinformatat brenda Kosovës, më të dëmshme për marrëdhëniet shqiptaro-serbe, sesa ato që vijnë nga Rusia'

Gazetari serb Branislav Kërstiq, ka thënë se dezinformatat brenda Kosovës janë më të dëmshme për marrëdhëniet ndër etnike se ato që vijnë nga jashtë.

Ai në panelin ku u diskutua rreth gjetjeve të raportit “Vorbulla e Rrenave”, shtoi se fokusi i gazetarëve jo gjithherë është në qytetarët.

“Ajo çka kam vërejtur këtu në Prishtinë tek gazetarët është se fokusi i tyre nuk është gjithmonë qytetari, por qeveria. Gazetari i cili nuk pajtohet me disa lëvizje të qeverisë bën autocensurë, pra vet shkon në atë rrugë. Duhet me kontrollu edhe informatën që del nga qeveria jonë, të njëjtin edhe nga komanda e policisë” – tha Kërstiq.

Ndër tjera ai ka folur edhe për serbët në Kosovë, ku tha se janë ‘viktima të Beogradit’.

“Me vite të tëra shteti i Kosovës së bashku me administratën amerikane, kanë ndërtuar rrjet të mediave të pavarura në gjuhën serbe në Kosovë, dhe licencën që e kanë fituar kanë qenë pa gjuhë të urrejtjes, kanë qenë të balancuara raportet. Tash kur Lista Serbe e fitoi pushtetin në veri të vendit, kur Aleksandar Vuçiq me mbështetjen e disa grupeve të interesit euroatlantike, nisën me ushtru diktaturë nën Beograd dhe me kontrollu 90% të mediave të Serbisë, u fik media e pavarur në Kosovë. Pra mediat e pavarura kanë qenë cak i regjimit serb” – shtoi ai.

Tutje ai thotë se është e rëndësishme që shqiptarët e Kosovës ta kuptojnë dallimin mes Beogradit, politikës së tij dhe qytetarëve serb në Kosovë.

“Fajtor është edhe Qeveria e Kosovës sepse se ka instalu kontrollin në zgjedhje, edhe ata kriminel që kanë ekzistu në veri të vendit. Mendoj që është koha e fundit që krejt me kuptu që serbët e Kosovës janë viktima të regjimit të Beogradit, janë pa media dhe janë në terr, kur flasim për ardhmërinë e tyre në këtë shtet” – deklaroi Kërstiq.

Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese, BIRN, të premtën ka prezantuar Raportin e Deziformimit, i cili përshkruan jo vetëm dezinformatat, por edhe narrativat e tij.

Këtu mund ta lexoni raportin e plotë, “Vorbulla e rrenave”.

I financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Raporti i Dezinformimit ka ‘hartuar’ dezinformimin në Kosovë duke ofruar njohuri për dinamikën e dezinformimit dhe pasojat që ai ka tek qytetarët e Kosovës në fusha të ndryshme.