International Fact-Checking Day, Shkup, 02.04.2024

'Rrjeti kundër Dezinformimit i Ballkanit' shënon ditën e kontrollimit të fakteve

Rrjeti i organizatave kundër dezinformimit në Ballkan, The Anti-Disinformation Network for the Balkans – AND Balkans) kanë mbajtur sot, më 02.04.2024 konferencën “Mbrojtja e Demokracisë në Ballkan – ruajtësit e integritetit të informacionit në epokën digjitale”.

Kjo konferencë u mbajt në ditën ndërkombëtare të kontrollimit të fakteve ( fact-check) në Shkup të Maqedonisë së Veriut.

Në panelin e diskutimit të udhëhequr nga drejtoresha ekzekutive e Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese në Kosovë, Jeta Xharra, u tha se deziformimi është problem serioz në shtetet e Ballkanit.

Faik Ispahiu nga Internews Kosova tha se deziformimi në këto shtete është problem historik. Ispahiu ndër të tjera theksoi se asnjë media publike në Ballkan nuk është kredibile për kontrollim të fakteve duke e parë këtë si një nga hallkat kryesore në shpërndarjen e lajmeve të rreme.

“Ballkani nuk ka mbërri me realizu tranzicionin nga mediat e komunizmit dhe kjo e bënë opinionin lehtë të manipulueshëm. Në krejt Ballkanin nuk e kemi një medium publik që mund ta quaj veten media kredibile e që do të mund t’u besohej kontrollimi i fakteve. Kur parja publike shkon në prodhimin e kontekstit të gabuar puna për ne është më e vështirë” – tha Ispahiu.

“Sfida jonë është që televizionit publike e nacionale mos me publiku informata të pavërteta, deziformata. Për Ballkanin dezinformatat janë problem historik e shoqëror. Ne jemi në një situatë kur librat shkollorë nuk shpjegohet e vërteta konstruktive nuk e kemi një shtet që e ka shkru historinë në mënyrë të duhur që ta marrim shembull” – tha Ispahiu.

Ai tha se në vendet ballkanike çdo ditë shpërndahen lajme nga Kina e Rusia në cilat lidhen me tema aktuale.

“Në çdo ditë po marrim informacion nga Kina se çfarë po ndodh në ShBA, në çdo ditë marrim informacione nga Rusia për anëtarësim në BE, në çdo ditë marrim informacione nga shtete arabe e shtete të tjera për punët tona brenda. Zëri i kontrolluesve të fakteve është i dobët kundër zhurmës nga kanalet mercenare të paguara nga jashtë e nga brenda” – tha ai.

Klodiana Kapo nga Faktoje.al tha se nga studimet e bëra nga Shqipëria por edhe vendet e rajonit del se Serbia është shpërndarëse e dezinformimit.

“Nga studimet e fundit është vënë re që dezinformimi vjen nga Serbia dhe shpeshherë ato nuk kontrollohen dhe kjo bënë që të ketë ndikim. Në kohën që ne po kalojmë është shumë e rëndësishme që të verifikohen ato çka transmetohen. Ne kemi parë që foto apo video të ndryshme janë nxjerr nga konteksti për të nxitur tensione në mes vendeve” – deklaroi ajo gjatë panelit.

Në këtë panel ishin Faik Ispahiu nga Internews Kosova, Klodiana Kapo nga Faktoje.al , Denis Dzidic nga BIRN në Bosnje dhe Hercegovinë, Stylianos Pournis nga Greqia dhe Filip Stojanovcki nga Metamorfoza.

Në fjalën hyrëse të konferencës Bardhyl Jashari , drejtor ekzekutiv i Metamorfoza tha se lufta kundër dezinformimit kërkon bashkëpunim dhe përgjigje të organizuar.

Ai tha se detyra e kontrolluesve të fakteve përveç kontrollit të informacioneve është edhe mirë-informimi i qytetarëve.

“Kemi krijuar një aleancë që mund të ndjek kompleksitetin e informacionit. Ne kemi rol dhe përgjegjësi dhe nëse kemi bashkëpunim mund të kemi sukses në luftimin kundër dezinforimimit. Deziformimi është një sëmundje që kërkon një përgjigje të organizuar. Kjo ditë shënohet me dedikim për ruajtjen e vlerave demokratike. Detyra e kontrolluesve të fakteve është që të mbrojnë qytetarët dhe t’i mirë informojnë ata” – tha ai.

Vladmir Anchev nga Ministria e Mbrojtjes në Maqedoninë e Veriut tha se keqinformimi krijon mosbesim tek institucionet, duke theksuar luftën e kësaj ministrie kundër dezinformimit.

“Keqinformimi ka fuqi që të mbjellë farën e mos besimit dhe në fund ta gjunjëzoj demokracinë, ndikimi mund të jetë i madh dhe të krijoj mos besim tek institucionet. Lufta kundër keqinformimit kërkon angazhim nga e gjithë shoqëria. Ne si Ministri e kemi parasysh që lufta kundër dezinformimit është luftë kundër keqinformimit” – tha ai.

David Geer, ambasador i BE-së në Maqedoninë e Veriut ndër të tjera theksoi se “në Maqedoninë e Veriut është dhënë shembull për keq trajtimin e kontrolluesve të fakteve përmes sulmeve e kërcënimeve”

Nëntë organizata nga pesë vende të Ballkanit më 02.04.2024  kanë krijuar Rrjetin kundër Dezinformimit për Ballkanin (ADN-Ballkan).

Nënshkruesit fillestarë:

  • Fondacioni për Internet dhe Shoqëri, Metamorfozis nga Maqedonia e Veriut, themelues i Vërtetmatës.mk, mk dhe Meta.mk
  • Faktoje.al nga Shqipëria
  • Jaj.gr (Journalists About Journalism) nga Greqia, e mbështetur nga “Neës Literacy Center”, OJQ për Media dhe Shkathtësi të lajmeve
  • Crno beli svet (CBS), organizatë dhe portal online nga Kosova
  • Peace Journalism Lab, Fakulteti i Gazetarisë dhe Komunikimit Mediatik, Universiteti “Aristotel” i Selanikut, Greqi
  • Digital Communication Netëork SouthEast Europe Hub, Greqi
  • Istinomer nga Serbia
  • Ellinika Hoaxes nga Greqia
  • Internews Kosova, themelues i KALLXO nga Kosova

KALLXO.com pjesë e platformës rajonale ‘Rrjeti kundër Dezinformimit i Ballkanit’