Ekipi i Auditimit Social gjatë një vizite në projektin e Vitisë, Foto: KALLXO.com

Raporti i Auditimit Social, projekti i rrugës "Kongresi i Manastirit" në Viti nën mbikëqyrjen e qytetarëve

Një grup prej 18 qytetarëve, të profesionave e moshave të ndryshme, u bënë pjesë e ekipit të Auditimit Social në Komunën e Vitisë dhe për disa muaj kanë monitoruar realizimin e projektit “Renovimit, asfaltimit dhe zgjerimi i trasesë dhe trotuarit në rrugën ‘Kongresi i Manastirit’ Viti – Faza e II-të”.

Ekipi i Auditimit Social në Komunën e Vitisë fillimisht u trajnua për dy ditë me radhë mbi procesin e Auditimit Social dhe monitorimin e projektit dhe më pas u angazhuan për të monitoruar projektin, që nga faza e planifikimit të projektit e deri në implementimin e tij. Gjatë periudhës shtatë-mujore, puna e tyre vazhdoi me hulumtimin dhe analizimin e dokumenteve, takimet me udhëheqësit komunal e vizita në terren dhe në fund puna e ekipit të Auditimit Social në Viti u finalizua me grumbullimin e gjetjeve dhe rekomandimeve në një raport.

Raporti i Auditimit Social në Komunën e Vitisë paraqet të dhëna të grumbulluara nga ekipi në mes muajve korrik dhe nëntor 2023. Në të janë kategorizuar gjetjet në katër grupe: gjetjet në procesin e konsultimeve me qytetarët, në procesin e planifikimit, në fazën e kontraktimit dhe në fazën e implementimit të kontratës. Për secilën nga këto faza ekipi i Auditimit Social në Komunën e Suharekës ka dalë edhe me rekomandime.

Në raportin gati 30 faqe, ekipi ka renditur gjetjet. Ekipi ka gjetur se Komuna e Vitisë është obliguar të nënshkruajë kontratë për punë shtesë në këtë projekt për shkak të mosplanifikimit adekuat të punëve në projekt.

Grupi i Auditimit Social ka gjetur se projekti i komunës pati probleme të implementohej në terren për shkak të gabimeve në projektim. Qysh në fillim të punimeve ishin konstatuar lëshime në projektim të punëve që ishin paraparë të realizoheshin.

Po ashtu, në raport është evidentuar se Komuna e Vitisë i ka bërë dy llojë të ndryshimeve në projektin në vlerë gjysmë-milioni euro: janë ndryshuar disa pozicione brenda kontratës dhe është nënshkruar një kontratë për punë shtesë, të cilat nuk kanë qenë të planifikuara.

Si rezultat i punës së ekipit të Auditimit Social, komuna ka premtuar se do të ndërmarrë hapa për të përshtatur hapësirat për personat me aftësi të kufizuara. Gjithashtu, si rezultat i punës së ekipit të Auditimit Social, Komuna ka ndërmarrë hapa për të zëvendësuar kubëzat e dëmtuara në projekt.

Raportin e plotë të ekipit të Auditmit Social në Komunën e Vitisë mund ta lexoni në këtë LINK.

Gjithashtu, më poshtë mund të shihni dokumentarin që shfaq pamjet e punës disamujore të ekipeve të Auditimit Social në pesë komunat e përzgjedhura, duke filluar nga trajnimi i qytetarëve mbi procesin e Auditimit Social, takimet dhe diskutimet e shpeshta të grupeve, vizitat në terren, takimet me udhëheqësit komunalë dhe finalizimin e raporteve.

BIRN Kosova është angazhuar nga DEMOS për të bërë lehtësimin/fasilitimin e procesit të Auditimit Social në pesë projektet e përgjedhura në Drenas, Suharekë, Kaçanik, Han të Elezit dhe Viti.

Projekti për Decentralizimin dhe Përkrahjen e Komunave (DEMOS) mbështet 38 komuna të Republikës së Kosovës në arritjen e qeverisjes lokale më demokratike dhe menaxhimit më të mirë komunal. Projekti DEMOS gjithashtu mbështet Qeverinë e Kosovës në zhvillimin e politikave, të cilat janë më të favorshme për financim të bazuar në rregulla për komunat.

Auditimit Social përkrahet nga Projekti për Decentralizim dhe Përkrahje të Komunave (DEMOS), është projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) bashkëfinancuar nga BE-ja, Suedia dhe Norvegjia, dhe zbatuar nga HELVETAS Swiss Intercooperation-Kosovo.