Thirrje për aplikim: Grante Hulumtuese për Studentët e Universitetit të Prishtinës 'Hasan Prishtina'

Thirrje për aplikim: Grante Hulumtuese për Studentët e Universitetit të Prishtinës ‘Hasan Prishtina’

“BALLAFAQIMI ME TRASHËGIMINË E KONFLIKTIT NË KOSOVË”

 Numri i granteve të vogla hulumtuese për studentë:  Pesë (5) grante

Lidhur me projektin

  • Projekti ‘’Ballafaqimi me trashëgiminë e konfliktit në Kosovë‘’ është një projekt që financohet nga Ambasada e Britanisë së Bashkuar dhe UNDP dhe zbatohet nga BIRN Kosova. Qëllimi i këtij projekti është që të adresohet trashëgimia konfliktuoze përmes aktiviteteve konkrete që përveç se informojnë publikun e gjerë mbi këtë çështje, ofrojnë edhe një hulumtim të thellë mbi luftën në Kosovë.
  • Një qëllim  tjetër i projektit është që t’u ofrojë mundësi të rinjve që të përfitojnë më shumë njohuri përmes aktiviteteve të këtij projekti – atyre po ashtu u jepet mundësia që të jenë edhe kontribuues në fushën e drejtësisë tranzicionale dhe ballafaqimit me të kaluarën. Një pjesë me rëndësi e projektit ndërlidhet edhe me kurrikulat arsimore dhe përpilimin e një vlerësimi të nevojave për Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), që adreson situatën faktike me arsimin parauniversitar dhe përfshirjen e drejtësisë tranzicionale në shkollat dhe kurrikulën arsimore në Kosovë.

 

Detaje mbi skemën e granteve të vogla hulumtuese për studentë:

Përmes kësaj thirrjeje, ftohen studentët e Universitetit të Prishtinës, shtetas/e të Republikës së Kosovës për të aplikuar në skemën e granteve të vogla hulumtuese prej 700 eurosh. Kjo thirrje hapet me qëllim të rritjes dhe zhvillimit të hulumtimit mes studentëve që janë të interesuar në fushën e drejtësisë tranzicionale. Në kuadër të këtij aktiviteti do të ndahen pesë grante hulumtuese për studentë të Universitetit të Prishtinës.

Studentët përfitues të granteve do të kenë mundësi që pas përzgjedhjes të marrin pjesë në një punëtori të udhëhequr nga njohës dhe praktikues të fushës në atë se si duhet të trajtohet hulumtimi në këtë çështje, kornizat dhe qasja metodologjike. Qëllimi i këtij aktiviteti është që studentët të mos jenë vetëm përfitues të dijes por edhe kontribuues të drejtpërdrejtë në fushën e drejtësisë tranzicionale dhe ballafaqimit me të kaluarën përmes punës së tyre hulumtuese. Gjithashtu, studentët përfitues do të mentorohen nga hulumtues të dëshmuar të Kallxo.com përgjatë gjithë punës së tyre hulumtuese deri në finalizim. Secili/a përfitues/e duhet që projektin e tij/saj hulumtues ta përfundojë brenda periudhës së definuar sipas tabelës në fund të thirrjes, duke iu përmbajtur buxhetit individual prej 700 euro për grant.

Llojet e aktiviteteve hulumtuese (temat)

Temat, në kontekstin e Kosovës që inkurajohen të hulumtohen, por nuk kufizohen, janë:

  • Shtyllat e drejtësisë tranzicionale – konteksti i Kosovës
  • Drejtësia në vendet post-konfliktuale
  • Dokumentimi
  • Kujtesa kolektive
  • Çështja e të pagjeturve
  • Iniciativat për ballafaqim me të kaluarën në Kosovë
  • Marrëdhëniet ndëretnike
  • Konflikti dhe Paqja
  • Intervenimet kulturore
  • Reformat institucionale dhe vettingu

Si të aplikoni?

Për të aplikuar, së bashku me dokumentet e listuara më poshtë, ju duhet të dorëzoni një projekt propozim të hulumtimit me 500-800 fjalë, duke respektuar standardet e shkrimit akademik, në të cilën përshkruani arsyen për temën e zgjedhur dhe synimin. Projekti hulumtues, kur të finalizohet, duhet që të jetë 3000 – 5000 fjalë dhe të mos dallojë në përmbajtje nga projekt propozimi me të cilin është aplikuar.

Dokumentet e nevojshme për aplikim janë si në vijim:

  • Dëshmia që jeni student/e i/e Universitetit të Prishtinës
  • Kopje e letërnjoftimit dhe kartës studentore
  • Dëshmia për llogarinë bankare
  • CV
  • Një letër motivimi ku përshkruani përse hulumtimi i juaj duhet mbështetur
  • Një deklaratë për punë origjinale

Aplikuesit duhet që të dërgojnë aplikacionet e  tyre me subjekt “BTKK – Aplikim për GH/ Emri dhe mbiemri i studentit/es” në [email protected]. Afati i fundit për aplikim është: 8 prill 2024.

Vetëm aplikacionet e plota për sa i përket dokumentacionit të kërkuar, do vlerësohen nga Komisioni i vlerësimit, që në përbërje do të ketë përfaqësues të BIRN Kosova dhe Universitetit të Prishtinës ‘ Hasan Prishtina’, ku si grante përfituese do të përzgjedhen ato aplikime që ofrojnë një kornizë të qartë hulumtuese.

Komisioni  do t’i vlerësojë aplikacionet në bazë të kritereve në vijim:

  • Relevanca e projekt propozimit për hulumtim 50%
  • Përzgjedhja tematike 50%

 

GRANTET HULUMTUESE PËR STUDENTË NË FUSHËN E DREJTËSISË TRANZICIONALE
Procesi Datat
Hapja e thirrjes dhe publikimi në kanalet digjitale 13.03.2024
Prezantimi i thirrjes para studentëve të Fakultetit Juridik 15.03.2024
Afati i fundit për aplikim 08.04.2024
Informimi mbi të përzgjedhurit 19.04.2024
Dhënia e granteve të vogla hulumtuese përfituesve 25.04.2024
Afati i fundit për dorëzim të punimeve hulumtuese 26.08.2024
Publikimi i hulumtimeve në kanalet digjitale të BIRN Kosova 09.09.2024 – 20.09.2024

Ky aktivitet zhvillohet në kuadër të projektit ‘Ballafaqimi me trashëgiminë e konfliktit në Kosovë’ mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar dhe UNDP, implementuar nga BIRN Kosova.