Kosova në hartën e Serbisë, FFK i ka kërkuar UEFA-s ta përmirësojë këtë gabim

Shtëpia e futbollit europian UEFA të martën e ka lëshuar një promo për Kampionatin Europian “Euro 2024” që do të mbahet në Gjermani.

Në këtë promo bie në sy video e prezantuar ku Kosovës i mungojnë ngjyrat e simboleve të shtetit tonë.

Pjesa që i përket Kosovës dhe Serbisë mbulohet nga të njëjtat ngjyra dhe i njëjti dizajn, pa një ndarje të dukshme siç ndodh me shtetet e tjera.

KALLXO.com ka pyetur Federatën e Futbollit të Kosovës se përse Kosova nuk është e ndarë me ngjyrat e saj në hartën e UEFA-s.

FFK ka thënë se janë në kontakt me UEFA-n dhe presin që së shpejti ta përmirësojnë këtë gabim.

“Jemi në kontakt me UEFA-n për këtë çështje. Reagimi ynë ka qenë i menjëhershëm dhe tashmë është duke u punuar që ky gabim të përmirësohet. Kosova e ka stemën e vet në selinë e UEFA-s sikurse 54 federatat e tjera, por promo është bërë nga një kompani e kontraktuar nga UEFA dhe tani zyrtarët e këtij institucioni janë duke punuar në përmirësimin e kësaj videoje promovuese të Kampionatit Evropian 2024”, thuhet në përgjigjen e FFK-së për KALLXO.com.

 

UEFA paraqet Republikën e Kosovës si pjesë të Serbisë në logon për ‘’Euro 2024’’