Komuna e Prishtinës: Përgjegjëse për mirëmbajtjen e stadiumit “Fadil Vokrri” është FFK
Komuna e Prishtinës ka thënë se informatat se mirëmbajtja e stadiumit “Fadil Vokrri” i takon Komunës janë të pasakta.
Përmes një postimi në Facebook, ata kanë thënë se mirëmbajtja është obligim i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK).
“Gjatë ditës kanë qarkulluar informata të pasakta se mirëmbajtja e stadiumit “Fadil Vokrri” është në përgjegjësi të Kryeqytetit Prishtina, dhe se institucioni nuk është kujdesur për fushën e stadiumit. Ju informojmë se mirëmbajtja e stadiumit të futbollit “Fadil Vokrri” nuk është përgjegjësi e Kryeqytetit Prishtina, por është obligim i Federatës së Futbollit të Kosovës”- thuhet në njoftim në Facebook.
Sipas njoftimit, kjo përgjegjësi është e rregulluar me nenin 3, paragrafi 1.3. të Memorandumit të bashkëpunimit të lidhur ndërmjet Komunës së Prishtinës dhe Federatës së Futbollit të Kosovës më 30 dhjetor 2022.
“Ne jemi të vetëdijshëm se stadiumi “Fadil Vokrri” është i mbingarkuar me lojëra ndërkombëtare të klubeve dhe të Kombëtares së Kosovës dhe rrjedhimisht është në gjendje jo të mirë, prandaj Kryeqyteti bashkë me Federatën e Futbollit të Kosovës është duke punuar tash e sa kohë për ndërtimin e stadiumit të ri të Kryeqytetit”- thuhet në njoftim.
Dje është luajtur ndeshja e futbollit mes kombëtareve të Kosovës dhe Izraelit dhe në rrjete sociale ka pasur kritika për gjendjen e fushës.