ISIS kërcënon se do të sulmojë stadiumet e ndeshjeve çerekfinale të Ligës së Kampionëve, reagon UEFA

Grupi terrorist ISIS ka kërcënuar me mesazhin “Vritini të gjithë” krahas emrave të katër stadiumeve ku do të luhen ndeshjet e çerekfinales së Ligës së Kampionëve në futboll, raporton media britanike “The Mirror”.

Në anën tjetër, UEFA ka këmbëngulur se të gjitha ndeshjet do të zhvillohen siç ishin planifikuar me masat e duhura të sigurisë, ndonëse është në dijeni të kërcënimeve.

“UEFA është në dijeni të kërcënimeve të dyshuara terroriste të bëra ndaj ndeshjeve të kësaj jave të Ligës së Kampionëve të UEFA-s dhe është në lidhje të ngushtë me autoritetet në vendet përkatëse” – thuhet në deklaratën e UEFA-s.

Mesazhi i ISIS-it është shpërndarë përmes Fondacionit Al Azaim, media shpesh përgjegjëse për përhapjen e mesazheve nga ISIS.

Manchester City ndodhet në kryeqytetin spanjoll për t’u përballur me Real Madridin sonte më 09.04.2024, ndërsa Arsenali pret Bayern Munich në Londër.

Nesër, më 10.04.2024 Borussia Dortmund do të përballet me Atletico Madrid në kryeqytetin spanjoll, ndërsa PSG pret Barcelonën në Paris.

Autoritetet spanjolle thonë se “për parandalimin e kërcënimit terrorist, Forcat dhe Organet e Sigurisë së Shtetit kanë aktivizuar të gjitha sistemet e paralajmërimit dhe mbrojtjes së hershme, si dhe të gjithë mekanizmat e tyre të reagimit të gatshëm”.

Mbi 2,000 agjentë nga Policia Kombëtare dhe Garda Civile do të kryejnë një mbikëqyrje në Madrid gjatë 24 orëve të ardhshme.

ISIS ka marrë përgjegjësinë për sulmin terrorist rreth tri javë më parë, më 22.03.2024, në një sallë koncertesh në Moskë të Rusisë, ku kanë vdekur 137 vetë.